Speciale/ Nga Kodikët e Beratit te historia e rrallë e dashurisë së 'Lejlës dhe Mexhnunit', historia e Arkivës së Shtetit në dokumente, Bido: Kodekset pasuria më e madhe prej shek. VI

28 Prill 2022, 14:55| Përditesimi: 28 Prill 2022, 15:59

  • Share

Doreza e derës u hap nën tingullin e një kërcitje, për t’i lënë vendin një kureshtje të veçantë e njëkohshëm të fortë që të mbërthen habitshëm, imagjinatën.

M’u duk se po lexoja kohën time në çdo hap përballë portës së një kasaforte, që në pamje të parë duket se nuk mund të shkulej, nga vendi i saj.

Një dhomë e ftohtë, që në kuriozitetin e parë të syrit të ngjall, misterin e së panjohurës.

Ky ambient frigoriferik, ruan të gjallë copëzat e një kujtese historike të një kombi, që ruhet në koleksionet e rralla që i kanë mbijetuar kohës e shekujve.

Më i veçanti prej tyre që të paktë janë sytë e njerëzve që e kanë parë është Kodiku i Purpurt i Beratit" (“Beratinus 1”).

I shkruar në pergamenë gjatë periudhës së Perandorit Justiniani i madh, në kohën e perandorisë bizantine ,ky dorëshkrim i rrallë liturgjik i përket vitit 529 pas Krishtit.

E konsideruar Bibla më e vjetër perandorake dhe vlerësuar nga UNESCO si një prej 5 kopjeve unikale dhe më të rëndësishme që vijojnë të ekzistojnë në mbarë botën, ky dokument I shekullit VI-të, ruhet ende sot në trajtën e artefaktit.

Një prej 5 kopjeve të rralla që ekzistojnë nga ky dorëshkrim biblik, për fat të mirë e gjejmë dhe në territorin shqiptar.

Kodiku i Purpurt i Beratit" (“Beratinus 1”) dhe "Kodiku i Artë i Anthimit" ("Beratinus-2"), I shek i 9-të pas Krishtit, një nga pasuritë më të rëndësishme kulturore të popullit tonë, po aq edhe të letërsisë ungjillore në të gjitha kohërat, deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore ishin të shpallura në listën e objekteve "në kërkim" .

Historinë e zhdukjes dhe se si këto kodekse të rrallë u rizbuluan në një prej kishave të kalasë së qytetit shqiptar të jugut, në 1968 na njeh dhe rrëfen studiuesi, Sokol Çunga. 

“Është ajo pjesë e fondit historik që na vjen që nga periudha e Mesjetës, nga periudha Osmane dhe nga periudha e Pavarësisë dhe pas Pavarësisë. Këtu përpara kemi Kodikun e Purpurt të Beratit (Beratinus 1), i cili është një nga dokumentet më të vjetër që ruhet në territorin e Shqipërisë por edhe në territore të tjera shqipfolëse. Është një dorëshkrim i shekullit të VI-të, diku mes shek. IV-të është prodhuar në punishtet e shkrimit perandorake diku në Kostandinopojë. Është një tekst i Ungjillit të Mateut dhe të Markut shkruar me gërma të argjendta, në pergamenë të purpurt dhe që prej mesit të shek. XIV-të është ndodhur në Kalanë e qytetit të Beratit, ku është ruajtur deri në 1968 ku kishte qenë i fshehur e u zbulua. Në 1971 u restaurua në Republikën e Kinës dhe mori këtë pamje që ka sot pasi ishte jashtëzakonisht i dëmtuar dhe në 1972 Kodiku i Beratit u soll në Arkivën e shtetit. Është trashëgimi e çmuar, sepse është një dëshmi e lidhjes që kanë viset e Arbrit me qendrën e Perandorisë Bizantine”, thotë Çunga

 Ndërtim të një memorie të rëndësishme historike në dekada e konsideron, Drejtori i përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido pasurinë e trashëguar të dokumenteve e dorëshkrimeve të vjetra që ruhen sot, në institucionin që ai drejton.

 “Janë diku 20 km linear dokumentacion që ruhen në 13 arkiva, që janë në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe që përbëjnë pasurinë më të madhe dokumentare që ka vendi ynë. Dixhitalizimi bëhet sipas kërkesës dhe është një proces në vijim. Ne kemi ngritur një sistem elektronik ku janë 2 milionë tituj dosjesh, që pasurohet vazhdimisht dhe me dosje të arkivave vendore, ku studiuesi mund të hyjë dhe mund të shikojë në çdo orë të natës dhe të ditës, database më të madhe Albanalogjike që ekziston në botë me një mundësi në sistem të zgjedhë dosjen që do dhe orën që do për të parë atë dokument”, shprehet drejtori i përgjithshëm, Ardit Bido.

Një fond me plot 14 shekuj histori të dokumentuar liturgjie fetare për Bidon dhe që përbën një ndër kopjet më me rëndësi të Biblës më të vjetër në Botë janë Kodikët mesjetarë të Beratit.

 “Është një dorëshkrim i rrallë historik kombëtar, i cili është mjaft i përfolur, por, që fatkeqësisht, pak herë kanë pasur mundësi individët që ta shohin në origjinal pasi procedura për të nxjerrë në ekspozim është shumë e vështirë. Ne kemi mundur ta nxjerrim në ekspozim përpara 3 vitesh , është nxjerrë dhe më herët në vitin 2000 dhe 2010. Dhe rrjedhimisht janë të pakta momentet që njerëzit mund të mahniten nga kjo pasuri e rrallë e historisë tonë”, shton Bido.

Frymëzuar nga historia e bukur e një dashurie që pati fatin e një fundi të palumtur,  më 1971, një nga më të njohurit e muzikës Blues, këngëtari Eric Clapton bashkë me Jim Gordon kompozoi një prej këngëve më të njohura për kohën, “Leyla”.

Lejla e këngës, në analogji është historia e dy të dashuruarve që tejkalon përmasat e njerëzores për të arritur atë të pakapshmen, hyjnoren, asaj të Lejlës dhe Mexhnunit.

Po ku tjetër gjendet historia e rrallë e kësaj dashurie? Një tekst i një vepre të një shkrimtari dhe poeti azerbajxhan Muhamed Fuzili i shkruar në 60 fletë letre, me përmasa 180 me 135 mm në osmanisht ruhet sot në Dosjen “833”, në Arkivin Qendrore të Shtetit.

 “Libri që kemi, është  Libri i Fuzulit një histori dashurie arabe mes dy të rinje, Lejla dhe Kajsi. Për herë të parë është Nizami ai që e përmblodhi këtë si shkrim. Ky që kemi ne është libër i vitit 1535 i shkrimtarit Fuzulit. Fuzuli kur e ka shkruar këtë vepër e ka shkruar në turqisht. E veçanta është se Fuzuli, kur e ka shkruar ka bërë ndryshime nga autori i parë, por, si i pari dhe i dyti ka një sens filozofie. Filozoi këtu është se dashuria nuk është thjesht dashuria mes dy personave, por i një shkalle tjetër asaj hyjnore, Familja e Lejlës nuk pranon që ajo të martohet me Kajsin. Ata e martojnë me një tjetër dhe këtu fillon historia e Lejlës dhe Mexhnunit", thotë Rezart Mezani, studiues i osmanishtes.

Por një hallkë e rëndësishme e funksionimit të rrjetit arkivor kombëtar është dhe Laboratori i Restaurimit të dokumenteve të vjetra .

Unik në Shqipëri, ky laborator përfshin të gjitha ndërhyrjet e mundshme që u bëhen dokumenteve, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore e historike të objekteve të së kaluarës.

Specialiste në sektorin e restaurimit prej 9 vitesh në Drejtorinë e Arkivës, Valentina Begaj na njeh dhe tregon më shumë mbi punën restauruese që bëhet në këtë laborator.

"Fillimisht niset me pastrimin mekanik sipërfaqësor. Domethënë do të duhet të largojmë të gjithë papastërtitë që, ka dokumenti në sipërfaqe kjo bëhet me sfungjer, me pluhur etj. Pastaj, bëjmë provën e bojës a është boja e shkrishme apo jo, domethënë nëse u reziston solucioneve e tretësirave ujore. Masim pehashin (aciditetin e letrës). Dhe, pastaj me proceset e tjera siç është procesi i larjes, aty shkarkohen të gjithë papastërtitë midis fibrave që përmban dokumenti. Dhe më pas bëjmë deactifikimin nëse është e nevojshme. Plotësohet atëherë kur duhet, formati i dokumentit me pjesët e mangëta me letër restauruese”, u shpreh Begaj.

Rimekembja, rehabilitimi dhe rikuperimi i dokumenteve për t’i dhënë sa më shumë jetëgjatësi në kohë sipas Valentinës është qëllimi kryesor mbi punën restaururuese që dora e specialistëve bën mbi dokumentet, që për arsye të ndryshme mund të jenë dëmtuar në memorien e kohës.

"Disa rregulla në restaurim, të mos cenojmë origjinalitetin e dokumentit të shtojmë apo të heqim. janë që mos të ndërhyjmë në origjinalitet. Tjetra, nuk duhet të përdorim materiale të panjohura që nuk janë përdorur më parë. Të gjitha proceset që bëhen në restaurim duhet të jenë të rikthyeshme, që do të thotë në rast të një gabimi, nëse ne duam të çojmë dokumentin në stadin fillestar atëherë ne këtë e bëjmë. Me një lagie ose sprucim të lehtë me ujë ose alkool. Qëllimi i restaurimit, është që të largohen dëmtuesit të ndërpriten proceset shkatërruese që kanë filluar të degradojnë dokumentin, të përmirësojmë fizikisht dokumentin dhe t'i rrisim jetëgjatësinë”, shton ajo

Një listë e gjatë memorie me mbi 200 milionë dokumente, mes tyre 119 njësi nga fondi i koleksionit të Kodikëve të Shqipërisë dhe mbi 548 dorëshkrime nga koleksioni  “Dorëshkrime osmane, arabo dhe perse” janë një pjesë e fondit të rëndësishme të trashëgimisë kulturore historike që ruhet sot në ambientet e Drejtorisë së përgjithshme të Arkivës Shtetërore në Shqipëri. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?