Sociale
Speciale

SPECIALE/ Historia e Elez Tërshallës, 83-vjeçari që dikur ishte i pari dhe sot i fundit frezator në Kukës

9 Mars, 12:40| Përditesimi: 9 Mars, 13:06

  • Share

E ka nisur punën 60 vite më parë e nuk ka ndër mend të ndahet nga freza e tij.

Elez Tërshalla nga fshati Kreznë është i vetmi frezator në Kukës.

Pasi përfundoi dy vite të shkollës profesionale në Tiranë, nis punë për herë të parë në vitin 1964.

Ish - uzina e bakrit Kukës ka qenë e para uzinë e rëndësishme e projektuar dhe ndërtuar plotësisht me forcat e veta në vitet 1962-1965, ku prodhohej bakër blister. U ndërtua pranë vendburimit të xeherorëve të pasur të bakrit të Gjegjanit.

Ishte ndër Uzinat e pakta në Shqipëri që veç bakrit prodhonin dhe flori, ar. Bakri, ndërsa vinte nga Gjegjani futej në uzinë, aty përpunohej dhe vendosej në kallëpë me 50 kile secili. Mandej zbriste në Rubik, ku përpunohej: bakri nxirrej më vete dhe floriri, (që sipas rrëfimeve të punonjësve ishte gati 5 përqind) nxirrej më vete.

Rrënimi i industrive në vitet ’90 preku edhe uzinën e bakrit në Kukës. Prej saj, sot si relike ka mbetur vetëm oxhaku, 75 metra i lartë

Por Elezi zgjodhi ta vazhdojë punën e tij, këtë herë duke u investuar privatisht në blerjen e një freze.

Investimin e radhës Elez Tërshalla e bëri në kohën kur nisi puna për ndërtimin e rrugës së kombit. Ai pa se pavarësisht modernizimit të mjeteve, ndihma e tij ishte e vlefshme. Ai arriti të riprodhojë pjesët e makinerive të kompanisë turke që shërbenin për hapjen e tunelit.

Frezën suedeze e transferoi në Kosovë pasi kërkesat iu shtuan. Madje atje u bë edhe më i njohur duke e emërtuar “inxhinieri i Shqipërisë”.

I mësuar që të mos ndahet nga freza, ai bleu një tjetër dhe vendosi që në oborin e shtëpisë të tij të improvizonte një punishte modeste.

Zanati i frezatorit në Kukës është drejt zhdukjes. Sipas Elezit është domosdoshmëri përfundimi i studimeve në këtë fushë për shmangien e gabimeve.

Elezi nuk ngurron të japë detaje të frezës dhe mënyrës se si punon ajo. Llogaritjet e ka të gjitha të memorizuara.

Por ndërkohë që e shkuara dhe e tashmja e këtij zanati, mban emrin e Elez Tërshallës në Kukës, nuk dihet se si do të jetë e ardhmja.

Ai e nisi i pari e duket se është i fundit frezator këtë qytet në verilindje të vendit. Të rinjtë nuk shprehin interes edhe pse është një zanat që vlen edhe për të punuar jashtë Shqipërisë. Për Elezin, shpresa e fundit për të mos u shuar frezatori është nipi i tij që beson se do të vazhdojë në rrugën e gjyshit.

I njohur ndryshe si novatori, mjeshtri i madh i makinerive metalprerëse, Elez Tërshalla sot është 83 vjeç. ai vazhdon të bëjë plane për investime të tjera në freza, i bindur se nuk do të jetë i fundit i zanatçinjve të frezës në Kukës.

K.M/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Studentët dhe të rinjtë kujt duhet t’i japin prioritet: