Kalendari diktonte datën 3 mars të vitit 1945. Në Tiranë, Ministria e Shtypit, Propagandës e Kulturës Popullore, vendos një qarkore të pazakontë, ku paralajmëron të mos ekspozohen fotografi të paautorizuara e që nuk i përshtateshin dekorit nacional…
Ndonëse kishte vetëm pak muaj që Lufta e Dytë kishte pushuar, për strukturat e Partisë së Punës në pushtet, nuk kishte kohë për të humbur. Indoktrinimi i ideologjive të saj, duhet të bëhej me çdo mjet dhe arti, kultura e imazhi si pjesë e tyre, impaktin e kishin të shpejtë. Ajo çka ndodh në 45 vitet e ardhshme është një histori kontrolli totalitar, ku artistë e shkrimtarë, jo vetëm që kanë hapësirë të kufizuar veprimi, por shpesh të përcaktuar kanë krahas qëndrimit edhe veprat, ose së paku natyrën e tyre. Pas rrëzimit të sistemit, thuajse asnjë prej figurave të kulturës, nuk pohon zë lartë këtë shfrytëzim që i ‘u bë krijimtarisë së tyre, apo në të tjera raste edhe bashkëpunimi të imponuar apo vullnetar. Por çfarë ka ndodhur realisht me ta?! Studiuesi Afrim Krasniqi, afro 3 dekada më pas, së bashku me historianët Beqir Meta e Hasan Bello, në 4 vëllime të Institutit të Historisë, vënë publikun para fakteve e dokumenteve të pamohueshme që rrëfejnë një histori gjysmëshekullore “Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit”. Vepra të ndaluara e të tjera me porosi të Partisë e vetë diktatorit Enver Hoxha, repertorë tërësisht të diktuara në çdo skenë teatrore, struktura si Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve në shërbim të propagandës… 4 botimet, shpalosin përmes fakteve historike të gjithë mekanizmat që u përdorën, për të zgjatur e forcuar pushtetin komunist. Por, a ka në këto vëllime elementë befasues edhe për vetë studiuesit e historisë?!
“Ka pasur edhe elementë zhgënjyes, ose që mund të konsiderohen si surprizë. Këto lidhen kryesisht me jetën brenda komunitetit artistik në Shqipëri. Dhe rastet janë të shumta. Mjafton të shikoni referimet në mbledhjet që bëhen në Radio Televizionin Publik shqiptar, që gjatë vitit ’70 pësoi atë që u quajt si ‘gjuetia e shtrigave’, ku shumë nga drejtuesit u burgosën. Nëse shikoni dokumentet që lidhen me Teatrin Kombëtar apo kinematografinë, do të vini re imponimin që bëhej, për faktin se ata që duhet të merrnin role, duhet të kishin një biografi të mirë. Dhe këtu, koncepti i talentit nuk kishte vlerë. Artistët e njohur zëvendësoheshin me figura nga klasa punëtore, me argumentin se "të gjithë mund ta kryejnë të njëjtin funksion". Duke e humbur kështu konceptin e profesionalizmit edhe të meritokracisë. Madje ka elementë të tjerë të Lidhjes së Shqiptarëve, të cilët po ashtu janë zhgënjyes, pasi janë figura të njohura publike, që marrin përsipër gati të bëjnë gjyqe politike ndaj kolegëve të tyre. E gjitha kjo, për një krijimtari, ku nuk gjen asgjë armiqësore edhe nuk kanë pas asnjë prapavijë politike”, thotë Afrim Krasniqi, studiues dhe drejtor i Institutit të Historisë.
Një lum akuzash për “Provokacionin”, “Dimrin e madh”, “Dasmën” etj.,
Në këto gjyqe, askush nuk kursehej, as vetë Kadare. Akuzat i bëhen jo vetëm si shkrimtar, por edhe si kritik. Një prej rasteve është ai i recensionit që i bën veprës së Sabri Godos duke e konsideruar si “letërsi të vërtëtë”, kur ky i fundit ishte në qendër të sulmeve për tregimin “Fushata”. Mirëpo, jo rrallëherë në këto dokumente shohim se si akuzatori nga një mbledhje në tjetrën kalon në bankën e të akuzuarit. Përplasjet e Kadaresë me shkrimtarin Razi Ibrahimi janë të forta. Kadare e quan si një njeri që mban “qëndrim policor ndaj letërsisë” ndërsa Ibrahimi, propozon që romani “Dasma” të kthehet në karton.
“Në çdo rresht krijohej armiku për shkak të udhëzimeve dhe klimës politike. Kjo ka qenë pjesa zhgënjyese e librit. Por ne, nuk kemi rendur pas emrave, nuk kemi vendosur njeri në fokus e as nuk kemi ruajtur njeri. Qëllimi ka qenë për të përfshirë të gjithë kurbën e dokumenteve përfaqësuese, që kur për herë të parë pas Luftës u vendosën strukturat e indokriminimit në nivel Republike. Kjo shikohej edhe për efektin social pozitiv, pasi për shembull të shihje kinema, të sillje filma edhe të bëje numra të cirkut edhe shfaqje publike ishte edhe argëtuese për qytetarët, sidomos zona të caktuara të periferisë. Ne kemi përfshirë dokumentet që tregojnë se si ne i morëm metodat e gatshme nga Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia. Më tej, sesi prishja e mardhënieve me këto vende u reflektua në art, letërsi e veprimtari të tjera. Kjo duke nisur nga diferencimi i veprave dhe kalimi i tyre në karton, apo edhe ndalimi i veprave në formën e shfaqjeve.
Pastaj kemi kaluar përmes dokumenteve arkivore në të gjithë fushatën e represioninit në vitet ‘70, për të ardhur në vitet ‘80, ku ka një zhgënjim të madh, sepse gjuha e Byrosë Politike, e Lidhjes së Shkrimtarëve, e figurave më të njohura publike dhe gjuha e Komiteteve të Partisë nëpër rrethe është gati e njëjtë. Nuk e gjen dot dallimin, se cili është intelektuali edhe cili është zyrtari. Mendojnë të gjithë në të njëjtën formë, me të njëjtat argumente dhe me të njëjtën logjikë tmerrësisht ideologjike”.
Në raportet e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës si dhe të Lidhjes së Shkrimtarëve dëshmohet për një varg veprash letrare e artistike të krijuara e frymëzuara nga porositë e Enver Hoxhës. Por cilët qenë udhëheqësit më të përfshirë në indoktrinimin që bëhej përmes artit e kulturës?
“Nuk ishte çështje individësh, por ishte çështje sistemi. Ky ishte një nga konkluzionet më të frikshëm të këtij libri. Pasi ne këtu kuptuam, se pavarësisht kush ishte individi, vendimmarrja ishte përcaktuar dhe parashikuar më përpara. Kështu, në mënyrë automatike, cilido individ të ishte në hallkën e fundit do ta bënte këtë gjë. Nuk kemi akte rezistence, nuk kemi individë që refuzojnë ta bëjnë punën. Por, kemi individë që e bëjnë me një lloj devotshmërie për shkak të benefiteve që marrin nga politika, si dhe prej frikës që kishin nga politika. Janë të dy elementët, edhe në këtë lloj këndvështrimi është shumë e vështirë për të bërë dallimin nëse një periudhë e caktuar ishte më mirë apo më keq, se lidhet më shumë me ngjarjet politike të kohës”
Një nga nismat më të kobshme të propagandës ishte padyshim censura ndal letërsisë së traditës. Veprat autorëve të mëdhenj pak vite pas ardhjes në pushtet të komunistëve ranë pre e një çensure “të çmendur”, ku nga komisione thuajse anonime, titujve e autorëve që krijuan bazat e letërsisë e gjuhës shqipe u vihej vizë me një lehtësi të frikshme.
“Për shembull nëse në vitet ‘60 pati një lloj hapje më të madhe, për shkak të lidhjeve me literaturën ruse që solli një fazë liberalizimi. Mirëpo në momentin që nisi shtrëngimi, kjo u reflektua në të gjitha veprat dhe aktet. Në këto raste, të befason fakti se si figura të njohura dhe të letërsisë në Shqipëri e shëndërrojnë vetën në gjykatës. Po sjell shembullin e figurave të Rilindjes Kombëtare. Të analizosh Naim Frashërin, poetin kombëtar duke parë çdo fjali ku permendet fjala Zot apo Perëndi, apo elementë të tjerë fetarë, ky është një absurditet që vetëm në Shqipëri e gjejmë, edhe pse Naimi kishte jetuar në një kohë që nuk kishte lidhje me komunizmin në Shqipëri. Një nga mësimet e këtij botimi është nevoja për t’i botuar këto dokumente e të bëhet çdo gjë publike. Kjo që mos të meremi me element të veçantë, por çdo gjë të jetë publike, për të bërë një analizë të plotë. Dhe së dyti, këto lloj botimesh na ndihmojnë shumë që të kuptojmë tranzicionin”.
Por, a ka një mitizim në tranzicion, që elitat publike dhe politike do të duhet që ta ndryshojnë Shqipërinë dhe përse se kanë ndryshuar? Përse kanë dështuar apo janë frenuar në këtë pikë?
“Në fakt, kur lexon këto lloj dokumentash kupton se elitat e periudhës komuniste, që kaluan në tranzicion, thjesht u zhvendosën, por ishin të njëjtat elita. Ata e kishin shumë të vështirë që të krijonin një mentalitet ndryshe nga formimi i tyre, që jepet në këto vëllime. Pra, ata e kishin shumë të vështirë që të hidhnin poshtë vitet e kontributet të tyre për sistemin e kaluar, jo për Shqipërinë, janë dy gjëra të ndryshme. Ata zgjodhën mekanizmin e bashkëfajësisë dhe bashkëvuajtës, term që u përdor në vitet '90, dhe u riciklua në demokraci, duke u munduar të imponohen si elita. Por, problemi i madh krahasuar me vendet e tjera, është që duke qenë elita të emëruara na sollën kulturën dhe teza shtetërore politike, të cilat i trashëguam në demokraci. Ka një tregues shumë interesant, shihni edhe figura të letërsisë, historisë dhe të artit, edhe të gazetarisë në Shqipëri, që kur përmendin CV-n e tyre nuk i përmendin veprat që kanë bërë gjatë periudhës komuniste, sidomos veprat ideologjike. Mundohen që t'i harrojnë! E megjithatë e përdorin hapësirën demokratike edhe aksesin për të kërkuar dokumente që përfaqësojnë tezat e tyre para viteve 90, jo për të reflektuar, jo për të pranuar përgjegjësitë e për të ofruar një relitet të ri për brezat e ardhshëm”.
Dhimitër Xhuvani, Mihallaq Luarasi, Tonin Harapi, Ali Oseku, Maks Velo etj., janë të shumtë personalitetet e artit që në dokumentet e botuara rezultojnë të jenë objekt i akuzave politike, duke u privuar në shumë raste nga liria e duke iu ndaluar edhe vepra. As të rinjtë nuk toleroheshin. Poetë si Nodc Gjetja, Moikom Zeqo e Fatos Arapi konsiderohen si hermetikë e të pakuptueshëm në vargjet e tyre. Sulmen që i bëhen Arapit janë të njëpasnjëshme. E, sigurisht që kur qëllimi ishte baltosja e figurës së shkrimtarit nuk mund të mungonte dëshmia nga masa. Zëri i popullit, që pa dashjen e tij, pretendonte se kish rënë në qorrsokakun e ndikimeve të huaja.Ndonëse, në dokumentet e botuara “gjyqet” për krijimtarinë përfshijnë më tepër shkrimtarë, dhe artet e tjera kanë pasur me dhjetra krijues viktima të propagandës.
“Dominon letërsia për shkak të rolit që ka pasur, më tej pason kinematografia, por aty gjen elementë edhe tek Cirku apo organizatat e pionerëve. Të ketë elementë se si fëmijët e vegjël, pionerët, të indoktrinohen që në shkollën tetëvjeçare me teza të gatshme, që kur të dalin në jetë të jenë të përgatitur, siç thuhet, në mënyrë militante, vetëm Shqipëria ka arritur në këtë lloj pike. Dhe ne i kemi botuar dokumentet për këtë. Kjo do të thotë që kishte një lloj organizimi kapilar të të gjithë strukturës, edhe në këtë lloj organizimi kapilar ishte e pamundur që të kishe një përfundim tjetër përveç përfundimit që ne patëm”.
Edhe skena e muzikës, në këto dokumente, në momente të caktuara, veçanërisht në fund vitet ’70 e fillim vitet ‘80 duket se kthehet në një arenë gare të ashpër akuzash e përpjekjesh për mbrojtje. Artisti sulmon artistin. Kompozitori kritikon ashpër kolegun. Ndër emrat që vihen në shënjestër, me pretendimin e ndikimeve të huaja është edhe Feim Ibrahimi. Shqetësimin për këto zëra, ai ia shpreh në vitin 1982 shkrimtarit Dirtëro Agolli. Derisa situata përçohet edhe në hallkat e larta të partisë, që në këto vite, siç diktohet në vëllimin e tretë, kishte nisur, që nga udhëzimet për veprat, udhëheqësit të bënin edhe kritikën letrare. Ja çfarë i shkruan Xhelil Gjoni, Ramiz Alisë pas takimit me kompozitorët, të cilët në mënyrë të tërthortë kërkonin censurën e koncertit “Oboe” të Ibrahimit.
Me vigjilencën e strukturave të Partisë, asnjë diskutim, qoftë edhe i çastit, mes artistëve, nuk lihej mënjanë. Një zinxhir informativ e përçonte atë drejt strukturave më të larta, e në rastin më pak të dëmshëm, pjesë e tij nuk ishin artistët. Por, si kanë mundur të ruhen deri më sot dokumentacione të tilla, në një kohë që shumë prej artistëve e shkrimtarëve kanë pasur ndikim e reputacion të fortë edhe në post komunizëm?
“Ne i jemi mirënjohës në aspektin arkivor zyrtarëve të kaluar që i kanë ruajtur dokumentet, edhe janë akoma. Ata i kanë ruajtur me idenë se do të jenë të përjetshëm në pushtet, duke mos e menduar se një ditë këto dokumente do të vlejnë. Por, nga ana tjetër ne kemi bërë gabimin e madh, ne me ligj vazhdojmë që të kemi akses publik në arkiva, por praktikisht periudha më e nxehtë e Shqipërisë, që është periudha pas '85 nuk është hapur ende. Institucionet që e kanë për detyrë për ta hapur nuk e kanë bërë ende, dhe i mbajnë në mënyrë selektive. Kjo edhe për shkak se nuk duan që të prishin raportet personale apo politike me individë që kanë sot ndikim në publik, apo familjarë të tyre, duke lejuar që mitet fiktive të së kaluarës të shndërrohen në mite për demokracinë.
Ndodh kështu ajo, që quhet t'i konsiderojmë disa figura si monumente kulture, ku askush nuk lejohet që të flasë apo t'i kritikojë pavarësisht kontributit të tyre pozitiv apo negativ që kanë pas në historinë e Shqipërisë. Dhe para se të flasim për Luftën e Dytë Botërore, që është një luftë në fund të fundit, ne kemi detyrë dhe përgjegjësi që të analizojmë 45 vite të sistemit komunist. Kemi për detyrë ta shpjegojmë shoqërinë e stome shqiptare edhe si vazhduese të shoqërisë së djeshme, edhe çdo institucion t’i bëjë publik dokumentet. Ne këtë patëm si qëllim pa bërë interpretime, pasi interpretimet do të bëhen në një fazë tjetër, kur të bëhen studimet të thelluara për këtë gjë. Por, dokumentet përkatëse, mund tu vijnë në ndihmë shkollave, medias, sepse duke u lënë dokumentet grupeve që kanë interesa politike praktikisht i kemi deformuar”
Në një raport pa autor të mbajtur në Kongresin e 3-të të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, do të flitej për orientimin e artistëve dhe shkrimtarëve brenda hullisë ideologjike. Në të thuhej se artistët dhe shkrimtarë janë ndihmës dhe besnikë të vijës së Partisë. Raport, që sigurisht lë vend për diskutim për periudhën në të cilën është bërë, por edhe për faktin se autori mbetet anonim...
Sot, kur krijimtaria kinematografike e veprat e tjera të artit kanë një mbështetje të limituar, deri edhe vetë partitë rimarrin diskutimet për veprat artistike që u bënë nën presionin e diktaturës komuniste. A duhet të jenë ato të shoqëruara me “pullë”, apo siç diktohet në opinionet më ekstreme të fshihen nga historia? A duhet të trajtohen ato si dëshmi të një epoke, qoftë edhe indoktrinimit të saj, apo historia e krijimtarisë të përfshihet në një tjetër valë shkatërrimi, atë të post diktaturës?
“Unë mendoj se ne si shoqëri jemi në fazën, që quhet si shoqëri demokratike, por në fakt ne jemi në fazën postkomuniste. Dhe si shoqëri, mentaliteti ynë është mentalitet komunist. Edhe gjithë retorika antikomuniste që përdoret, në fakt vjen me logjikë edhe argumente komuniste. Kështu që vetëm një maturim shoqëror do t'i lejojë qytetarët që të zgjedhin kush është më e mira, dhe institucionet të kuptojnë vlerat e krijimtarisë. Pasi zhgënjimet e tranzicionit ndonjëherë të çojnë tek nostalgjia, edhe nostalgjia është diçka që të krijon perceptime të gabuara për jetën. Është ndryshe të shikosh një film, ndryshe të shikosh një vepër edhe të thuash, që qenka e bukur dhe po e shijoj. Edhe ndryshe që të analizosh si është bërë ajo vepër, kush e ka ndërtuar dhe cilët janë individët që kanë rrezikuar jetën apo janë ndëshkuar për shkak të krijimtarisë apo mendimit kundër. Dhe nëse e merr në mënyrë komplekse këtë informacion e ke më të lehtë për të gjykuar. Ndërsa koncepti për t'i parë të shkëputura, në shabllon, të paprekshme veprat e së kaluarës dhe sot të refuzuara, përsërit një mentalitet që nuk i shërben askujt. Dhe unë si historian do të preferoja, se ashtu si për dokumente na duhen dy tre burime, duam që shoqërisë t'i ofrojmë burime alternative për informim dhe qytetarët të zgjedhin vet se çfarë preferojnë më shumë”.
Është e vështirë të gjykosh sot artistët për zbatimin e porosive të një krijimtarie që i shërbente sistemit, veçanërisht kur presioni ishte i shumëanshëm, dhe nuk të shtrohej asnjë alternativë tjetër për të jetuar, jo i lirë, por së paku, jashtë burgjeve fizike. Por, si shikohet nga studiuesi, retushimi që u bëhet sot veprave të shkruara në një tjetër kontekst, në të tjera rrethana të tolitarizmit?
"Sa i përket retushimit që bëhet në lidhje me të kaluarën, ka individë që kanë bërë gjithë karrierën e gjatë duke u bazuar në teza që rezultuan të gabuara. Ata duhet të kenë kurajë shumë të madhe që ta ndajnë veten nga kjo përgjegjësi. Por, nëse e ndajnë, duhet të heqin dorë nga benefitet edhe statuset që kanë fituar. Por, ata kanë gjetur rrugën e shkurtër, i gëzojnë të gjitha këto benefite, statuse, duke mbrojtur teza të caktuara. Prandaj Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, që gati gati duket se vazhdojmë dhe Luftën e Dytë Botërore. Ne ende zihemi për Luftën e Dytë Botërore, për datën e çlirimit. Një trajtim serioz qytetar, i letërsisë, arteve, sistemit ekonomik, historisë dhe i strukturës ekonomike, i raportit të elementëve ndërkombëtarë, apo edhe i elementëve të tjerë, kërkon një hapje të plotë të arkivave edhe një hapje ndryshe ndaj debatit, jo diktim nga lart. Ne në Shqipëri vazhdojmë ende që të diktojmë nga lart, strukturat edhe autorët, veprat e tezat kryesore. Kjo është rruga më e shkurtër për politikën për të përfituar në mënyrë afatshkurtër, por njëherazi nuk lejon shoqërinë që të marrë frymë edhe të kuptojë të kaluarën e saj. Është një lloj agonie, dënimi, që ne i japim shoqërisë shqiptare. Maks Velo ka thënë një shprehje të bukur se "Në burgun e madh të Shqipërisë, kishte burgje të vegjël ku ne jetonim". Ne pamë se letërsia e arti në diktaturë kishin mbrojtje politike, brenda Byrosë Politike kishte dhjetëra të tilla. E njëjta gjë funksiononte në artet figurative, e njëjta gjë në sektorin ekonomik, në sektorin e minierave dhe Ministrinë e Jashtme. Edhe detyra jonë është që t'i zbardhim të gjitha, por le të themi dhe atë që është e vërtetë, se ne bëmë të mundur botimin e këtyre dokumenteve falë një donacionit gjerman “Konrad Adenauer”, sepse nëse ne do përdornim buxhetin e shtetit shqiptar për t'i studiuar me siguri që do të sulmoheshim, edhe nga sektori shtetëror edhe nga sektorë të tjerë. Por duke pasur një donacion gjerman, duke pasur të bëjmë me një shtet që ka arritur që të ndajë të kaluarën e vet nga periudha më e errët naziste, normalisht që jemi më të mbrojtur edhe kritikat janë më të vogla”.
Katër vëllime për “Indoktrinimin” gjatë diktaturës, me dokumente arkivore, e bëjnë të pamohueshëm përdorimin e artit e kulturës si mjet për pushtetin komunist. Por në tri dekada demokraci, a është mundur të çrrënjoset ky mentalitet?
“Ne vazhdojmë që të kemi indoktrinim, të kemi mite fiktive, mjafton që të merrni emra rrugësh, shkollash, bibliotekash etj., ku ne kemi vendosur individë që janë shpërblyer për shkak të lidhjeve politike dhe jo për shkak të kontributit të tyre jetësor. Nuk kemi arritur që të botojmë shumë nga ato botime, që janë bërë nga individë që janë persekutuar, që kanë humbur jetën, apo që kanë lënë pas vepra anonime. Edhe vazhdojmë që të trashëgojmë, qoftë me pension të posaçëm apo dhe me mekanizma të tjerë të promovimit struktura edhe individë që kanë qenë plotësisht në shërbim të indoktrinimit dhe të sistemit më stalinist në Evropën Lindore”.
Nuk po riperseriti te thenat se,Kadare u formua dhe krijoi veprimtari letrare e politike i papenguar po se po,por edhe i privilegjuar.I vetmi shrimtar me veture e vizites,shtepi qe edhe sot deshmohet,Eshte thene poashtu se,Po te harronte Kadare lapsin ne Paris,Enveri do i t hoshte.Ktheu e shko merre!Nuk po ritheksoj poziten politike dhe privilegjet qe thuhen dhe njihen.
PërgjigjuMir kultura socialiste ishte i politizuar,fliste per puntoret dhe fshataret fliste per emancipimin e shoqeris etj Po kultura juaj ke promivon grande fratelon ai emissioni kush provon me shum femra,me thuaj zotni nje veper roman apo film te arrir,po skeni mo jeni fallito si thot italiani,dini vetem te llapni dhe te shani te kaluaren qe ju se arrini dote,ca solli kultura juaj vetem degjenerim dhe prostituzione
Përgjigju37-të vjet nga shënjtërimi i të madhit ENVER (nuk do të vdes kurrë) Tridhjetë e shtatë vje nuk jan pak për të kuptuar se qe i vetmi që e deshi Kombin Shqiptar dhe shqiptarët e kudo ndodhur.
PërgjigjuShko re pirrdhu fashist i flliqur.
Përgjigju