Kosova & Rajoni
Speciale

SPECIALE/ James Rubin në Hagë, 3 ditë dëshmi për rastin ‘Thaçi’: UÇK s’kishte strukturë dhe organizim ushtarak! Raportet e OKB për krime, jo të sakta

20 Shtator, 13:15| Përditesimi: 20 Shtator, 13:56

  • Share

Në Dhomat Speciale në Hagë, u dëgjua këtë javë dëshmia e rëndësishme e diplomatit amerikan James Rubin, një nga zërat kyç të diplomacisë amerikane gjatë luftës në Kosovë. Në tri ditë dëshmie, Rubin hodhi dritë mbi rolin e Hashim Thaçit në UÇK dhe mbi negociatat e Marrëveshjes së Rambujesë. Rubin dha një tablo që sfidon disa nga akuzat qëndrore ndaj Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

***

Ish-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, James Rubin, dëshmoi për tre ditë me radhë në Hagë në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Me deklaratat e tij ai solli një fotografi më të qartë të Hashim Thaçit gjatë periudhës së luftës dhe negociatave për marrëveshjen në Francë dhe të mënyrës sesi SHBA shihnin UÇK. Kjo e fundit, sipas tij, vepronte më shumë në formën e grupeve apo klaneve të vogla. UÇK, sipas Ish-Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, ishte si një organizatë që nuk kishte një zinxhir të qartë komandues kur tha se nuk ka parë asnjë shtab të përgjithshëm funksional.

“Me sa pashë unë nuk ka pasur batalione, brigada apo njësi në UÇK, nuk besoj se ka pasur organizim nga pikëpamja ushtarake. Unë di që kishin uniforma. Disa kishin, disa jo. Ne nuk i konsideronim ata si komandantë apo shtab i përgjithshëm”.

Fjalët e Rubin në dëshmi lanë të kuptohej se ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, nuk kishte autoritet komandues ushtarak gjatë luftës dhe se nuk ishte figura që jepte urdhra ose drejtonte veprime ushtarake.

“Nuk kishte as dijeni, as kapacitetin, e as autoritetin për të marrë vendime të tilla”.

Kjo u vërtetua edhe gjatë procesit të Rambujesë, kur Thaçit i kërkohej të pranonte marrëveshjen nga ndërkombëtarët, gjë që nuk mund ta bënte i vetëm pa u konsultuar dhe pa patur garancitë për pavarësinë e Kosovës në marrëveshjen që do të firmosej.

Ish-zyrtari i lartë i SHBA në fillim të dëshmisë së tij në Hagë, konfirmoi se Thaçi gjatë bisedave të të dyve në Francë i shpjegonte pasojat që do të kishte pranimi i marrëveshjes pa u konsultuar dhe pa garancitë e pavarësisë në letër.

Sipas tij, Thaçi nuk refuzoi marrëveshjen për shkak të demilitarizimit, por për shkak të mungesës së garancive ndërkombëtare për mbrojtje nga NATO në rast të dhunës serbe.

“Nuk kujtoj ta ketë quajtur veten tradhtar, por unë po përpiqesha të bëja një përmbledhje të asaj çështje. Fjala që kam zgjedhur bazohej në vlerësimin që kam bërë. Megjithatë, di se ai ishte në një presion të madh”.

Ish-Ndihmës Sekretari i Shtetit kujtoi se përpara Rambujesë, askush në qeverinë amerikane nuk e njihte mirë Hashim Thaçin. Por ai u bë i rëndësishëm në negociata, sidomos për faktin se ishte përfaqësues i rezistencës së armatosur shqiptarëve të Kosovës.

Figura e Thaçit filloi dalëngadalë të merrte formë. Përfaqësuesi politik i palës së shqiptarëve të Kosovës në negociata, nisi të projektohej tek amerikanët për të ardhmen.

“Ne donim që ai të kthehej në udhëheqësin e një kombi, që me shpresë do të ishte i lirë”.

Dëshmia e James Rubin në Hagë pritej me padurim mbi të gjitha për shkak të akuzave të prokurorëve ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK për krime. James Rubin tha se vrasjet në formën e hakmarrjes ndaj serbëve ishin një shqetësim i amerikanëve. Ai solli në vëmendje një bisedë telefonike që Presidenti i SHBA i asaj kohe, Bill Clinton, kishte zhvilluar me Thaçin, ku ky i fundit kishte dhënë garanci se nuk do të kundërpërgjigjeshin.

“Unë kam dëgjuar nga Sandy Berger, këshilltari për siguri i presidentit Clinton. Ai i kishte thënë presidentit Clinton se, pavarësisht dhunës që kishin pësuar, nuk do të kundërpërgjigjeshin”.

Megjithatë, ndër vite raporte ndërkombëtare të OKB dhe mediave prestigjioze flisnin për vrasje të serbëve dhe pjesëtarëve të pakicave në Kosovë nga UÇK-ja. Me ton të qartë Rubin tha se ato nuk kanë qenë të besueshme dhe se administrata amerikane nuk kishte prova për krime.

“Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport, sepse organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar mirë situatën shumë shpesh”.

Deklarata më e bujshme e ish-Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit në dëshminë e tij ishte kritika ndaj procesit hetimor e gjyqësor për rastin e Thaçit dhe të tjerëve, të cilët kanë mbi 5 vite në qeli, gjë e cila sipas Rubin është padrejtësi dhe një fajësim i ndikuar politikisht.

“Ata nuk janë arrestuar. Ata janë dorëzuar vetë për t’u përballur me drejtësinë dhe kjo drejtësi nuk ka ardhur ende. Ata janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me prokurorinë, nuk e kuptoj pse kanë qëndruar kaq gjatë në burg, kjo më shqetëson. Kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi. Mua kjo më është dukur si fajësim politik, për shkak se Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i UÇK”.

Rubin ka qenë i pranishëm në negociatat e Rambujesë në vitin 1999, duke shërbyer si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Sekretares së Shtetit Madeleine Albright. Ai ndihmoi në krijimin e konsensusit për marrëveshjen e paqes që synonte ndërprerjen e dhunës në Kosovë dhe largimin e forcave serbe.

James Rubin ka shërbyer si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështje Publike nga viti 1997 deri më 2000. Ishte zëdhënësi kryesor i Departamentit të Shtetit në kohën kur Amerika u angazhua fuqishëm për ndërprerjen e dhunës në Kosovë.

Rubin ishte një nga zërat që loboi fort për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, dhe ka qenë pjesë e kontakteve të vazhdueshme me delegacionin shqiptar në Rambuje.

Ai ka diplomë në marrëdhënie ndërkombëtare nga Universiteti Columbia dhe ka vazhduar karrierën si analist dhe pedagog në SHBA dhe Evropë.

Dëshmia e James Rubin në Hagë erdhi në një moment kyç për procesin gjyqësor që ka zgjatur më shumë se pesë vite. Ish-zyrtari i lartë amerikan portretizoi Thaçin si një figurë politike, jo komandues ushtarak, ndërsa vendimet e UÇK-së nënkuptoi se ishin kolektive e jo të centralizuara.

Ndikimi i deklaratave të tij në Hagë, do të kuptohet pas muajit nëntor, kur pritet të përfundojë procesi i mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Publikisht ato patën një impakt të menjëhershëm. Aktakuza pretendon se Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi kryen krime kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime nga marsi 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në veri të Shqipërisë. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së.

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?