Në Shqipëri janë rreth 60 mijë përdorues të drogave. Gjatë vitit 2021 pothuajse është dyfishuar numri i përdorueseve të heroinës. Në muajin e parë të vitit 2022 është shënuar viktima e radhës nga mbidoza e heroinës. REPORT TV sjell dëshmitë e dy përdorueseve të drogave, sfidat dhe shpresën se mund t’i rikthehen jetës normale.
“Fillova të kuqen. Nga cigarja fillova varakun. Nga varaku, fillova shiringën. Kam shpëtuar nga vdekja 2-3 herë. Falë zotit jam sot gjallë”, tha Arjani.
“Kam pasur një jetë plot me ngjyra. Tani nuk kam më asgjë”, tha Bledi.
“Fenomeni tashmë është i pranishëm në çdo lagje tonën”, tha punonjësi i Aksion Plus.
“Kam qenë si gjithë të tjerët. As cigaren se pija. Për herë të parë kam qenë me një shok. Ka qenë shi, ftohtë. Ne jemi larë tek themelet e pallatit. Duke qesh me njerëzit kot. Budallallëqe. Kam pirë shumë hashash. Pija mbi 20 cigare hashash në ditë sa nuk na bënte efekt. Fillova të kuqen. Efektet? Më mirë mos t’i dish fare. Në 96* fillova të kuqen. Disa herë kam shpëtuar. Njëherë kam qenë i shtruar tek Ushtaraku. Pas 3 ditësh jam përmendur. Një shok më gjeti. I bëj thirrje çunave që mos të fillojnë asnjë lloj drogë. Të bëjnë çfarë të duan, por vetëm drogën mos ta pinë. Më ka vdekur dhe çuni i xhaxhait nga droga”, tha Arjani.
Heroina është një ndër drogat me të cilat abuzohet më shumë në Shqipëri, pas kafesë, duhanit, alkoolit dhe hashashit. Ajo hyn në grupin e qetësueseve. Për herë të parë është prodhuar në vitin 1874 nga përpunimi i farës së opiumit. Prodhuesit kryesorë janë Afganistani dhe Meksika.
“30 mijë lekë heroina dhe 80 mijë lekë kokaina”, tha Bledi.
“Me këtë kohë që ka ardhur tani vetëm lekë të kesh se e gjen kudo. Kam arritur të vjedh edhe shtëpinë time”, tha Arjani.
Kur injektohet, heroina është 2-4 herë më e fuqishme se morfina, si dhe më e shpejtë në veprim. Mbidoza e heroinës rrezikon jetën e përdorueseve. Vdekja mund të ndodhë brenda disa minutash ose orësh. Në Shqipëri janë rreth 50 mijë përdorues të drogave. Prej të cilëve 7 mijë janë përdorues problematikë. Gjatë vitit 2021 pothuajse është dyfishuar numri i përdorueseve të heroinës. Për përdoruesit e kokainës jemi vendi i dytë ose i tretë në Evropë. Ndërsa numri i të rinjve përdorues të kanabisit, ka arritur në 7 %.
“Ne kemi rreth 1100 raste që po trajtojmë. 126 raste janë nëpër burgje. Fatkeqësisht kemi dhe raste të rikthimit tek droga.”, tha punonjësi i qendrës Aksion Plus.
Arjani dhe Bledi po përpiqen të pastrohen siç thonë vetë ata. Rruga është e gjatë.
“E lash 8 vjet vite dhe ju riktheva sërish. Kësaj radhë vendosa ta lë fare. Është turp për ne se jemi me nuse”, tha Arjani.
“Dëshira për të jetuar, për ta bërë mirë. 6 muaj kam që trajtohem. Shpresoj që të pastrohem”, tregoi Bledi.
Përdoruesit e heroinës kurohen me metadon pranë qendrës Aksion Plus që është një prej 4 qendrave rehabilituese në Shqipëri përfshi dhe shërbimin toksikologjik në QSUT.
Nga mosha 18 deri në 65 vjeç janë pacientët që i nënshtrohen trajtimit ndaj drogës, kryesisht heroinës. 70% e tyre i përkasin moshës nga 25 deri në 45 vjeç. Trajtimi nis fillimisht në shërbimin toksikologjik në QSUT. Më pas i dërgojnë në qendrën Aksion Plus për të vazhduar kurën. Bashkëpunimi edhe me Bashkinë e Tiranës duket se ka dhënë rezultat për t'i ardhur në ndihmë edhe familjeve të përdorueseve të drogës, 80%e të cilëve janë meshkuj dhe 20 % femra.
“Hera herës meshkujt janë më të vendosur. Pjesa më e madhe e personave që marrin trajtim tek ne janë meshkuj dhe ka rezultuar se janë më të vendosur. Një shtysë e madhe është familja. Duhet bërë apel që të ju qëndrojnë pranë. Këta nuk janë lecka apo rroba, por janë jetë njerëzore që nëse ju japim ndihmë ja dalin mbanë për të qenë më produktivë dhe ndihmës”, Aksion Plus.
“Tani të them të vërtetën e lash të kuqen dhe e fillova prap. Shoqëria e keqe. Kisha një shok që e pinte dhe i thash hajde ta provoj”, tregoi Arjani.
“Familja e di. Janë mërzit. Shumë kanë bërë. Të isha unë për vete do isha lodhur. Kollaj fare ta gjesh. Shitet ashiqare. Duket sikur nuk duket, por po ti hysh kësaj pjesë është shumë e dukshme”, tha Bledi.
Shqipëria më shumë se përdoruese e lëndëve narkotike është kultivuese dhe trafikuese, një fenomen që është evidentuar që në vitin 1991. Kultivimi i kanabisit ka marrë trajta shqetësuese sidomos nga viti 1997 dhe më tej.
Goditja e suksesshme kundër grupeve dhe rrjeteve kriminale në Lazarat në vitin 2014, nxori në dritë edhe përmasat e tjera që kishte marrë fenomeni pothuajse në të gjitha qarqet e vendit. Kjo goditje e fortë solli si pasojë që energjitë kriminale të përqendruara në këtë rajon të shpërndahen në drejtime të tjera në të gjithë vendin.
Sipas Policisë së Shtetit vetëm në 9 mujorin e parë të vitit 2021 janë arrestuar, ndaluar ose proceduar penalisht rreth 50 kryepleq në të gjithë Shqipërinë me arsyen e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Moskallëzim krimi” për kultivimin e kanabisit në zonat e tyre. Sot gjetja e drogës nuk përbën problem për përdoruesit e saj.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC) në raportin ”Droga në botë-trendet e tregjeve, 2021” përmend Shqipërinë dhe Serbinë si dy vendet kryesore të origjinës, nisjes dhe tranzitit të kanabis-it në Evropën Juglindore. Sipas të dhënave të tij në vitin 2019 në të gjithë botën rezultojnë 2 milionë përdorues.
Përdorimi i kanabisit dhe drogave të tjera i mori jetën 500 mijë personave në vitin 2019, ndërsa sëmundjet e rënda, shpesh vdekjeprurëse janë më të zakonshme ndër përdoruesit e drogës. Pavarësisht këtyre fataliteteve sipas raportit, përdorimi i drogës dhe i kanabisit po rritet. Ne vitin 2020, 275 milionë njerëz përdorën droga të ndryshme. Deri në vitin 2030, faktorët demografikë parashikojnë që numri i njerëzve që përdorin drogë të rritet me 11% në të gjithë botën dhe deri në 40% vetëm në Afrikë.
Mendon se do të krijosh familje, fëmijë?
“Nëse bëhemi njëherë mirë. Unë se preferoj një gjë të tillë sepse dua të jem normal si gjithë të tjerët”, tha Bledi.
“Ajo që më ka mbetur në mendje është rasti një 8-vjeçari. Kishte eksperimentuar në këto gjëra. Është fatkeqësisht. Një apel shkon për prindërit, mësuesit sepse askush nuk ja del vetëm”, tha përfaqësuesi i Aksion Plus.
“Ata që e kanë filluar ta lënë sa më shpejt sepse nuk do të kenë më kohë. Për ato që se kanë provuar, mos e provojnë kurrë sepse për ndryshe do të mallkojnë veten”, përfundoi Bledi.