Speciale/ Kruja vatra më e nxehtë e COVID-19 në vend! Një ditë në terren me epidemiologët

12 Maj 2020, 16:43| Përditesimi: 12 Maj 2020, 16:48

  • Share

Kruja u kthye në vatrën më të nxehtë të infeksionit me Covid-19 që kur u shfaq rasti i parë në fasoneri në mes të prillit. Tashmë raportohen 128 të infektuar, ndërsa janë kryer mbi 1000 tamponë. Për të parë nga afër punën për gjurmimin e rasteve në Krujë ne kemi ndjekur një ditë në terren me epidemiologët e Krujës.

Grupi i xhirimit të Report Tv, ndoqi një ditë nga puna në terren e epidemiologëve të Krujës. Mjeku Ervin Karafili, Olta Xhixha, Silvana Denizi, Jonida Limanaj, Albert Lata, Majlinda Mustafa dhe Mirela Vata janë në një lagje të qytetit, pasi mjeku i familjes ka referuar për disa qytetarë kanë shenja të infeksionit. 

Marrja e tamponëve është një proces që kërkon afro 30 minuta përgatitje. Frika e përhapjes ekziston edhe ndërmjet stafit.

Mjekët marrin të dhëna të hollësishme, duke i pyetur personat e dyshuar me imtësi përpara se tu marrin material me tampon në gojë dhe hundë.

Drejtor i njësisë vendore të Kujdesit Shëndetësor në Krujë Redion Rroshi tha në intervistën për Report Tv se janë bërë rreth 1 mijë tamponë.

Të prekur nga Covid-19 në Krujë kanë qenë të moshave të ndryshe që nga fëmijët 2 vjeç e deri tek të moshuarit. Që nga data 14 prill kur një punonjëse fasonerie rezultoi e prekur me covid 19, kontrollet e tyre janë shtuar.

Roshi rrëfen se në fillim të prillit, 70 - 80% e tamponëve që bëheshin rezultonin pozitiv, ndërsa tashmë në mes të Majit, numri i tyre ka rënë në më pak se 5%.

Por si do të jetë e ardhmja në Krujë dhe sa shanse ka që ajo të dalë nga harta e kuqe?

"Ne jemi duke punuar me stafin për ta arritur këtë. Po e menaxhojmë në mënyrën më të mirë edhe me mirëkuptimin e qytetarëve të Krujës shpresojmë të arrijmë që Kruja të kthehet në zonë jeshile. Rasti i parë në ndërmarrjet fasone është shënuar më 14 prill, nga ky moment kemi dyfishuar grupet e testimit për marrjen e mostrave. Në bashkëpunim me mjekët e familjes kemi bërë zbërthimin e listës së punonjësve të fasonerive. Sot kemi një situatë më në rënie nga ditët e pikut", tha Roshi.

Fasonët janë rihapur por ato mbeten ende shqetësim...

"Ato janë subjekt i inspektoratit shëndetësor për kushtet higjieno-sanitare, pajisja me maska e doreza, dezinfektimi i ambienteve, etj. është një procedurë e ndërthurur. Ne kemi depistuar 90% të listës së fasonerive dhe të gjithë ata që janë negativ dhe kanë plotësuar kohën e karantinimit janë të lirë të kthehen në punë. Ndërkohë po mbahet në monitorim pjesa tjetër për të paraprirë çdo mundësi tjetër për përhapjen e virusit", shprehet Roshi.

Kruja, një bashki me rreth 60 mijë banorë është cilësuar si vatra më e nxehtë e Covid-19. Deri më 12 Maj numërohen 128 të infektuar, prej të cilëve 56 janë raste aktive, ndërsa të tjerët janë shëruar. Ndërsa një qytetar e ka humbur betejën me Covid-19.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?