Speciale/ ‘Letra nga ferri’, Parajsa e Purgatori fshehur në rreshta

2 Nëntor, 08:53| Përditesimi: 2 Nëntor, 09:14

  • Share

Tirane- Janë mijëra letra, të cilat dëshmojnë egërsinë e regjimit komunist në Shqipëri.

Ekspozita multimediale synon të paraqesë një dimension të thellë njerëzor të përvojës së të burgosurve politikë përmes letrave dhe dokumenteve autentike që përfaqësojnë rezistencën e tyre shpirtërore dhe intelektuale përballë një regjimi shtypës.

Në qendër të saj janë fjalët e të burgosurve – dëshmi të shkruara të një qëndrese që tejkaloi torturat dhe mizoritë.

Përmes kësaj ekspozite, vizitorët kanë mundësinë të njohin jo vetëm kushtet e tmerrshme të jetesës në këto burgje, por edhe aktin e shkrimit si një formë rezistence.

Ato paraqiten si objekte të vërteta historike dhe janë dëshmi të një lufte të brendshme për të mbajtur shpresën të gjallë, ndërsa vizitorët mund të lexojnë përmbajtjen e tyre përmes shënimeve të vendosura pranë letrave origjinale.

Këto letra krjojnë dialog vizual me vizitorët, ndërsa rrëfejnë edhe guximin e këtyre të burgosurve, të cilët iu janë drejtuar krerëve të regjimit, duke marrë parasysh edhe kostot.

Burrel 18 maj 1972

DHORI PANARITIT PROKUROR I PËRGJITHSHËM I R.P.SH

TIRANË

Zoti Prokuror! Ju dërgoj këtë letër të ngutëshme për t’u njoftuar mbi rrezikun e jetës të një të dënuari që është në grevë urije prej 6 ditësh e në vazhdim, ku vetëm ndërhyrja apo masat tuaja mund ta shpëtojnë jetën e këtij njeriu. Zgjidhja me vonesë e kësaj ccështje do ta dëmtonte shumë shëndetin e këtij personi. Shkaku i grevës të dënuarit Abdulla Sallaku është de: kërkon të izolohet për nja dy muaj në birucë për arësye se vuan nga nervat dhe nuk e ndjen vehten aspak të qetë në dhomë. Për këtë arsye nuk duhen as ilaçe as mjekime të ndryshme veçse një izolim i përkohshëm në birucë do të mund të qetësonte sadopak nervat e të dënuarit, i cili vuan shumë. Siç shihet kërkesa është e thjeshtë por, zgjidhja është shumë e zorshme për komandën e Reo. 321 Burrel. Mos vallë kjo është një varritje burokratike?! Komanda e repartit 321 pretendon se nuk ka kompetenca për të izoluar një të burgosur që për hir të mungesës së këtyre kompetencave u dashka që të justifikohet shkatërrimi I shëndetit të njeriut. Mendoj se kjo nuk ka asnjë bazë dhe s’e justifikon mos veçimin e të dëniarit A.Sallakut.

Më lejoni t’ju kujtoj se ç’pasoja të rënda ka greva e urisë për shëndetin e një njeriu aq më tepër kur ky i dënuar vuan nga një seri sëmundjesh s inga mëlçija, interkolit etj.

Këtu tek ne ka një farë përmirësimi në lidhje me trajtimin e të burgosurëve në krahasim me vitet e mëparshme por, ky përmirësim do të stononte në rast se nuk vihet dorë mbi ccështjet kryesore si, jetën e njeriut. Shembull negativ është ky rast që po ju shkruaj.

Jam i indinjuar prandaj dhe ju shkrova dhe besoj se kështu do kish vepruar çdo njeri me ndërgjegje në mbrojtje të jetës dhe të drejtave të njeriut.

Me respekt

I dënuari

(Gramoz Spahiu)

Në ekspozitë mund të gjenden letra, të cilat bëhen publike për herë të parë. Një letër e tillë shumë interesante është ajo që ka sjellë Murat Basha për gjyshin e tij para pushkatimit. Ai tregon se letrat që janë pjesë e ekspozitës janë ruajtur nga gjyshja e tij dhe më pas nga gjithë familjarët.

Disa kohë më parë, ai i ka dhuruar Muzeut Kombëtar Historik prangat me të cilat është ekzekutuar Murat Basha, i cili është lënë të japë shpirt i lidhur me to në duar.

Në ekspozitë prezantohen letra autentike të përzgjedhura nga një koleksionin i madh korrespondence, si dhe letra origjinale që janë pjesë e fondit të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, por edhe në bashkëpunim me muzeun Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës.

Sipas atyre që kanë vuajtur burgjet e diktaturës, letrat që iu drejtoheshin zyrtarëve të sistemit dërgoheshin me postë, me zarfe të pahapura. Ndërsa letrat që iu dërgoheshin familjarëve ishin të hapura; kontrolloheshin më parë, dhe ccfarë ishte e përshtatshme mund të mbërrinte në destinacion, në të kundërt familjarët nuk i merrnin kurrë ato letra.

Për herë të parë në “Letra nga ferri” ekspozohen edhe dy letra origjinale të Zef Zorbës drejtuar nënës së tij.

Regjisor, përkthyes dhe poet, Zorba është autor i dy librete operash, “Teuta” dhe “Rozafa”, i tekste këngësh me muzikë të Prenk Jakovës, ndërsa vepra e tij është zbuluar vetëm pas vdekjes, kur, për herë të parë në vitin 1994 iu botua vëllimi me poezi “Buzë të ngrira në gaz”.

E dashtuna Mama,

Jam krejt mirë. Dishroj qi edhe ju të jeni mirë. Më dërgoni ushqime: tlyn ose ushuj, mjaltë ose tjetër, duhan, pare, çarçafë leshit e mundësisht nji palë këpucë alpine ose tollumba gomet e nji palë pantallona të gjata të trasha që mbyllen në fund të këmbëve.

Ju përqafoj të gjithëve

Bepi

30/05/49

P.S. Dërgoni edhe zarfa me letra, pulla poste e brisqe rroje.

Një tjetër letër e ekspozuar është ajo e Ethem Bakallit, që mban vitin 1949.  

Ethem Bakalli ishte një nga protagonistët e lëvizjes antikomuniste “Përpjekja shqiptare” bashkë me Ahmet Bushatin. Bakalli i shkruan këtij të fundit, por është një letër me një tipologji të veccantë, pasi nuk i drejtohet Ahmet Bushatit, që tashmë ishte arratisur në SHBA, por përmes tij, nënës së Ahmetit, duke u bërë njësh me të.

Po ashtu, mënyra si i drejtohet Ahmet Bushatit ka të bëjë me përulësinë se si një nënë ka arritur të rrisë një të ri kaq të zgjuar, kaq inteligjent dhe të zot.

Në stendë ka edhe rreth 20 letra të ish-të dënuarit politik, Kaso Hoxha, të cilat ai ia ka dhuruar Arkivit të Institutit të Studimeve të Krimeve për Komunizmin.

Spaç 15 janar 1982

E dashur nanë!

Mirë je? Mos rri me mëndje ngritur, unë jam gjall. Nuk u mësove akoma me mungesën time? Ke të drejtë, e di që mërzish shumë kur sheh krevatin tim bosh. S’mund ta harrosh aq lehtë si fëmij që të ka bërë të vuash e të heqësh pa të drejtë. Ma bënë hallall atë që nuk e meritoj. Unë vazhdoj të pi akoma nga gjaku tënd edhe pse u bëra 31 vjeç. Ti nuk paske lindur njeri, por përbindësh, po!

Pse m’i dërgove ato lekë prap? Unë nuk mund t’i ha dot më, më është krijuar psikoza sikur përtyp mishin tënd. Të lutem mos më!

Të fala me shumë mall!

Qofsh mirë!

Kaso

Në letrat e Kaso Hoxhës gjenden disa letra që ai i shkruan nënës së tij për mallin dhe pamundësinë për t’i parë dhe takuar familjarët e tij, si dhe letrat që ai u drejton dy motrave të tij dhe vajzës, Luljetës.

Vite më parë, letra të tilla, që i dërgonin apo iu dërgoheshin mijëra italianëve të mbetur në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë në shtator 1943, u bënë objekt i një videoinstalacioni me titull “Sue proprie mani” me autorë Adrian Paci dhe Roland Sejko.

Një grup edhe më i madh letrash, që ishin nga shqiptarët për shqiptarët, rrëfejnë tmerret e atyre që vuajtën skutat më të errëta të ferrit komunist.

Nga viti 1944 deri në vitin 1990, regjimi komunist i Enver Hoxhës krijoi një sistem të gjerë burgjesh dhe kampe internimi për të burgosurit politikë. Mijëra burra dhe gra u arrestuan për shkak të bindjeve të tyre politike, shprehjes së lirë, apo thjesht për lidhjet familjare me të ashtuquajturit “armiq të popullit”.

Duke bashkuar zëra të kujtesës, “Letra nga Ferri” kërkon të nderojë vuajtjen dhe rezistencën e atyre që u përballën me torturat e burgjeve, duke u ofruar vizitorëve një përvojë të fuqishme të ndarjes së përjetimeve të tyre të vërteta.

S’kam asnjë dyshim se po hakmerren, po hakmerren si burracakë, sepse unë luftoj gjer në fund për dinjitetin tim, për ato pak të drejta që na garanton ligja edhe këtu. E kjo bahet me gjakftohtësinë më të madhe. Mirë, le të fitojnë se vetë e kanë arrën edhe gurin. Vetëm ta dijnë, se kur jam në të drejtën time, unë jam arrë gungë e duhet me më thye një herë e mirë.

E përsëris, nuk ju drejtohet që të më mbroni, as akuzoj të tjerë ke ju, sepse nuk ka gja që ju të mos e dini apo merrni vesht. Por njeriu nuk duhet të heshtë kurrë, heshtja i përket skllavit.

Abdullah Sallaku

Janë me mijëra letrat të shkruara nga të dënuarit politikë, që kalojnë shifrën 3 mijë faqe arkivore, një koleksion i disponueshëm i të cilave ruhet edhe nga ISKK.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?