Meleqe Rrënja është e para mësuese rome në Shqipëri. Historia e saj është e pazakontë për të rinjtë e sotëm. Në moshën 11-vjeçare ajo merr vendimin më të rëndësishëm të jetës. Refuzon martesën e sugjeruar prej prindërve dhe merr bursë për të vazhduar shkollën pa dijeninë e familjes. Sot është 74 vjeçe me 52 vite eksperiencë pune dhe premton se nuk do të ndalet së ardhuri në ndihmë fëmijëve dhe grave të komunitetit rom e atij egjiptian.
“Kam qenë e fejuar që 8 vjeçe. Ambicia ime ishte pozitive duke pasur shoqe jo rome në krah. Doja që të isha krah tyre dhe mos t’i bindesha asaj që kishte komuniteti rom. Që do të thotë të martohesha që në moshë 11 vjeçe. Unë jam Meleqe Rrënja. Jam nënë e 5 fëmijëve. Jam 74 vjeç. Jam mësuesja e parë rome në Shqipëri. Për këtë ndihem shumë e lumtur, pasi pas meje kanë ardhur edhe shumë mësuese e mësuese të tjera. Kam punuar deri më sot 50 vjet në arsim. Edhe sot e kësaj dite punoj me edukimin e nxënësve sepse unë e dua shumë zanatin”, tregon Meleqe Rrënja.
Në moshën 11 vjeçare, Meleqe Rrënja nuk pranon t'u bindet prindërve për t'u martuar por vendos të vazhdojë shkollën, ndryshe nga bashkëmoshataret e saj të komunitetit rom.
“Pa dijeninë e prindërve e me një dëshirë dhe guxim të madh arrita të kërkoja bursë nga shteti. Me këmbëngulje e kërkova. Sa zura dhe mat përfaqësuesit e Fierit. Ju thash po mërse nuk ma nxirrni bursën? Ne romët nuk kemi të drejtëstudimi? Më thanë ik se do ta shohim rastin tënd. Kishin vendosur që të mëçonin në Fier 2-vjeçaren në Fier, ose 4-vjeçaren në Vlorë. Zgjodha 4-vjeçaren në shkollën pedagogjikët, “JaniMinga” në Vlorë. Isha një vajzë shumë e preferuar. Ndoshta e dinin që isha vajzë rome. Më mbanin shumë pranë. Mundohesha të justifikoja mirësjelljen. Kam dalë një nxënëse shumë e mirë. Sukseset nuk vijnë vetëm nga sakrificat e personit, por edhe nga mbështetja”
Ia doli që të realizojë ëndrrën e saj për të shkuar në shkollë, por përpara se të nisej duhej të përballej me realitetin brenda dhe jashtë mureve të shtëpisë.
“Familja ime e priti shumë mirë. Nuk e besoja këtë gjë. Kur babi im e mori vesh, u lumturua menjëherë. Unë e dija se do na bënte llafe. Doli e kundërta. U krenua shumë. Të nesërmen nuk shkoi në punë. Më përgatit valixhe prej drase. Nëna më përgatiti 2 rroba. U rrita para kohe. Isha vajza më e lumtur në botë. Unë do të shkoja, por pa dëshirën e tyre nuk do të isha e përqendruar”, tregon ajo.
Lumturia nuk ia zhbëri frikën brenda vetes. Ndjehej e përkrahur nga të gjithë të rriturit, por nuk dinte se si do të përballej me fëmijët në të ardhmen.
“Mendoja sikur njëherë një nxënës tëthonte mësuesja rome, gabele më vuri 4, të gjithë nxënësit do përsërisnin një gjë të tillë dhe unë nuk do të bëhesha dot mësuese”, thotë ajo.
Kjo ishte sfida e radhës e Meleqes pasi përfundoi me rezultate shumë të mira shkollën. Dita e parë e punës ishte në shkollën e fshatit të saj, në Hamil të Fierit.
“Kur vajta ditën e parë, nxënësit ishin më të gjatë dhe unë. Kur ngriheshin ata, unë ngrija kokën. Ishin nxënës rom dhe jo rom. Mora për herë të parë klasën e katër. Më donin dhe i doja shumë”, thotë Meleqja.
Meleqe spikati duke u shpallur mësuese e dalluar falë qëllimit që ajo i vuri vetes.
“Unë i vura një detyrë shumë të rëndësishme vetes, të dua fëmijët, të dashuroj zanatin, ti përkushtohem punës , me prindërit të kem komunikim. Të gjithë prindërit kërkonin ti kishin fëmijët në klasë me mua”, tregon ajo.
Para viteve 1990 arsimi ishte shumë i rëndësishëm për të ardhmen e gjithsecilit.Mësuesi kishte më shumë autoritet dhe përgatitje tregon Meleqja.
“Ishte e jashtëzakonshme. Nuk krahasohet. Mendo sat ë përgatitur ishim ne në atë kohë. Që në ditën e parë të shtatorit unë dija çfarë do ti shpjegoja nxënësit. Autoriteti i mësuesit shkonte deri në familje. Një ditë të mungonte mësuesi, apo nxënësi ne do ti shkonim në shtëpi që të shikonim pse mungoi dhe i shpjegonim mësimin”, shprehet ajo.
Nxënës të dobët dhe shumë të mirë ka pasur në çdo kohë, por mënyra se si silleshin mësuesit me ta ishte e ndryshme.
“Ne bënim punë diferencuese. I mbanim pas mësimit. I ndihmonim në gjuhë, matematikë. Nuk arrinte tek 10, por tek 7 ose 8. Nxënësit e mirë kishin detyra më të vështira. Nxënësit e mirë I bëja mësuesit”, shprehet Meleqja.
Koha ka treguar ndryshimet që ka pësuar edhe sistemi arsimor në Shqipëri. Hapa para por edhe hapa të gabuar janë hedhur në këtë proces sipas mësueses së parë rome në Shqipëri.
“Mësimi në kohën e Monizmit ishte më i plotë, Nxënësi dilte më i sigurt nga ajo që merrte nga mësuesi. Nuk ka një organizim, kërkesë të fortë. Të nxjerrës një nxënës është sit ë përgatisësh një diell tjetër për të ndriçuar mendjen e të tjerëve. Nuk është e lehtë të japësh numra, shkronja nxënësve, kur ti nuk je e aftë. Edhe vija 4, por unë punoja që mos ti vija 4. Kur një nxënës e meritonte për 4, por unë i thoja që ti ke mësuar më mirë se dje sot. Do të të vendos një 5-së i thoja, ndoshta nesër merr edhe një 6-të. Ai ndoshta meritonte një 4 të fortë, por kjo e nxiste që të motivohej për të ecur përpara. Sot lexohet dhe mësohet mekanikisht. Që ditën e parë të shkollës mëson fjali, pa ditur shkronjat. Ndoshta është metodë e mirë, por unë nuk e pranoj”, shprehet ajo.
Eksperienca është mësuesja më e mirë për Meleqen. Ajo ka parë se si është këputur zinxhiri i i tabusë së shkollimit brenda komunitetit rom. Shumë prej nxënësve të saj janë të suksesshëm në profesionet që kanë zgjedhur.
“Sot janë mbi 200-300 në Shqipëri që janë studentë të mirë. Që kanë punuar në Ministri, Bashki. Unë ndjehem shumë e lumtur. Nuk vepron vetëm fjala ime, por edhe shembulli që unë jap. Unë ndihem e re, midis të rinjve”, thotë Meleqja.
Sot është në pension, por vazhdon të punojë me komunitetit rom e jo vetëm. Ajo ka qendrën e saj “Gruaja rome e së nesërmes” dhe është aktiviste për mbrojtjen dhe edukimin e fëmijëve e grave.
“Unë përgatis gra të forta për të nesërmen. Më të mira se vetja ime. Kam përgatitur gra që dinë të mos martohen herët, dinë të dallojnë punën, të japin informacione. Ky është suksesi i punës që ne bëjmë”, thotë ajo.
Një ndër qëllimet që i vuri vetes Meleqe Rrënja në jetë ishte futja e fëmijëve romë dhe egjiptiane parashkollorë në kopshtet shtetërore në të gjithë Shqipërinë. Pas mbledhjes së 6000 firmave, Bashkia e Tiranës e aprovon duke i dhënë mundësi familjeve në pamundësi ekonomike që të integrojnë fëmijët e tyre në programet shtetërore.
“Programet në shkollë janë shumë të vështira, nëse nuk frekuentojnë kopshtet shtetërore. Është një sukses. Unë mundohem të ju shpjegoj detyrat që nesër të asimilojnë lehtë pjesën tjetër të programit”, thotë Meleqja.
Racizmi dhe diskriminimi vazhdon të jetë i pranishëm për komunitetin rom e egjiptian e jo vetëm. Meleqe është kundër përdorimit të saj të shpeshtë nëpër biseda.
“Unë isha kundër krijimit të një zyre kundër diskriminimit. Ajo lufta kundër diskriminimit duket sikur është një objektiv për ta bërë. Më mirë të shuhet kjo fjala. Të gjithë jemi njerëz të këtij zoti”, tregon ajo”, shprehet Meleqja.
Komuniteti rom vazhdon të jetë ndër më të varfrit. Ekzistenca e tyre në Shqipëri është përmendur që në vitin 1635, por duket se për më shumë se 5 shekuj, asnjëherë ata nuk kanë pasur një shifër të pranisë së tyre në vendin tonë.
Përveç traditave dhe gjuhës së ruajtur, këtëkomunitet e karakterizon paqja.
“Ne jemi njerëz paqësorë. Ne e nxjerrim bukën nga guri. Ne kemi një pasuri që se kanë të tjerët. Ne kemi një shpirt shumë të madh. Ne duam të bëjmë për të tjerët. Ne krenohemi”, tregon ajo.
Meleqe Rrënja është edhe një nga fitueset e edicionit të tretë të "Çmimit të BE-së për Integrimin e Romëve për Ballkanin.
“Komision Evropian, vendosi të më dekorojë mes 15 shteteve të tjera si një grua e heshtur dhe e suksesshme. Më dha një dekoratë, një trofe që unë e mora në Bruksel. Kishte dhe gra të tjera me 10-15 vjet punë. Ndërsa unë kisha mbi 50 vjet punë. Unë edhe sot 74 vjeçe nuk i ndahem punës së arsimit. Edhe sëmurë të jem, me një dorë do të shkruaj dhe do të ndihmoj një fëmijë”, përfundon Meleqja.
Me ne fund nje lajm i bukur dhe positiv qe ndryshon nga llumi i perditshem i politikes.
Përgjigju