SPECIALE/ Mira Kuçuku, artistja me intuitë të jashtëzakonshme kompozimi

25 Mars 2023, 22:00| Përditesimi: 25 Mars 2023, 23:27

  • Share

Është bukur kur të hapet një derë, këtu në një studio-arti të Tiranës, pranë zonës së “Porcelanit". Është emocionuese, kur derën ta çel vetë artistja. Është suprizuese, kur syri yt prek e ledhaton një sërë objektesh dhe formash, duke filluar nga qeramika, relievet, vazot magjike, skulpturat më të vogla, aplikacionet e ndërlikuara me figura, metafora e simbole, që paraqiten përmes glazurave të ngrohta. 

“Qeramika në Shqipëri duket sikur përfaqësohet nga Mira Kuçuku. Volumet dhe pikturimi i tyre i kanë dhënë fizionomi unike qeramikës së saj.  Njohja prej artistes e disa teknikave delikate të trajtimit dhe të modelimit me konfigurim mbi baltë të papraktikuar më parë në vendin tonë, si dhe fantazia në hedhjen e glazurave, të cilat çudisin dhe vetë artisten, të befasojnë dhe shkaktojnë një emocion të madh”,- thotë studiuesja e artit Suzana Varvarica.

Pasi është bërë procesi i ngjizjes së veprës në shpirtin e artistes Mira Kuçuku, në mendësinë, në fantazinë e pasur dhe intuitën e lartë të kompozimit, pasojnë edhe shumë punë të vështira me procesin e pjekjes në furrë dhe latimin e tyre deri në detaje, që jeta e veprës të zgjatet deri në përjetësi.  Vepra kalon përmes një procesi të çuditshëm krijimi, ku forca shprehëse artistike arrin të sfidojë “brutalitetin” e materies.  

“Mira Kuçuku baltën e ka bërë të flasë shqip në dialektin e qeramikës. Ky dialekt me fuqi magjike është vetëm i saj. Kanë kaluar vite dhe ajo flet gjithmonë e më bukur, sepse është enigma që ajo ka zgjidhur modernisht nga bukuria e folkut”, -shkruan për të skulptori i njohur Ilmi Kasëmi. 

Dialekti në skulpturë krijon stil të spikatur dhe ajo e ka arritur majën e malit të shenjtë të artit, me stilin Mira Kucuku. 

E diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, Mira u punësua për 17 vjet si skulptore në ndërmarrjen artistike “Migjeni”. 
Pas viteve ‘90 me ardhjen e demokracisë, skulptorja e qeramikës Mira Kuçuku çeli studion e saj dhe i dhuroi vetes lirinë e shumëpritur të shprehjes artistike. 

Mira Kuçuku, është kaq e sigurt dhe unike në krijimtarinë e saj. Një artiste produktive që vazhdon të eksplorojë tema të reja, duke u kthyer shpesh në motivet dhe simbolet e kulturës shqiptare.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?