SPECIALE/ Në provën gjenerale të Spiro Dunit, regjisori e aktorët rrëfejnë paskuintat, nga përgatitja e roleve tek 'E vërteta’ e Zeller në skenën e Teatrit Kombëtar

8 Prill 2022, 20:48| Përditesimi: 8 Prill 2022, 22:01

  • Share

Akrepat ende nuk kanë shënuar 19.00... Ndërsa publiku i parë zë vend në sallën e madhe të “Arturbinës”, ndesh portretin e regjisorit në radhën e parë... Zëri i Spiro Dunit, depërton perdet skenike, pas së cilave aktorët presin të nisin lojën. U kërkon të jenë të qetë e sa më të natyrshëm në provën gjeneralë që zë fill të enjten e parë të prillit, ndonëse i lexohen emocionet e përgjegjësia në fjalët që thotë...

Starti është dhënë! Përmes këngës, zëri i Elina Dunit vjen si i pari xhevahir i shfaqjes e fton publikun e Teatrit Kombëtar për t’u përfshirë në komedinë “E vërteta” të francezit të njohur Florian Zeller... Vargjet që lajmërojnë për subjektin vijnë si bashkëpunim babë e bijë...

“Është një përpjekje e imja dhe e Elinës që të gjenim tekstin e duhur. Gjithçka u bë më e lehtë kur ajo lexoi tekstin në shqip e në origjinal e gjeti aty frymëzimin. Pastaj këmbenin vargjet, ajo bëri renditjen e fjalëve si poete e këngës. Unë i shpreha idenë time për të vërtetën, që ka kaq shumë halle kur përballet me gënjeshtrën por gjithsesi siç na mëson dhe autori është shumë e vështirë të japim definicione se cila është në fakt e vërteta”, shprehet regjisori Duni.

Pas shfaqjes “Babai”, me një ngarkesë të fortë emocionale, Duni rikthehet tek i njëjti autor, kësaj here për ta lehtësuar publikun por edhe veten, përmes humorit, ironisë të një subjekti që zë fill në tradhtinë bashkëshortore, por pa e pasur fenomenin në qendër të lojës...

“Dhe ti kur u takuam më the që kemi qarë shumë në atë shfaqje, ndaj zgjodha diçka që të qeshin dhe të zbaviten njerëzit. Por gjithsesi është një humor ‘mbi tela mbi gjëmba’, jo një humor spekulativ”, vijon regjisori.

Aktorët Flaura Kureta, Niada Saliasi e Genti Deçka me të cilët ka bashkëpunuar më herët i merr si karaktere për t’u dhënë jetë në skenë ‘krijesave’ të Zeller, ndërsa Donald Shehun do ta shihte si të përshtatshëm për rolin kompleks të Mishel.

“Bashkëpunimi me Donald Shehun është për herë të parë, por ai është një talent shumë premtues. Për të dy ne puna ishte sfiduese, pasi kishim të bënim me një rol sa të vështirë aq edhe të bukur. Por, njerëz me pasione të madha, me kaq këmbëngulje që ne i quajmë thjesht me fjalën të talentuar, janë ata që i japin jetën natë e ditë skenës. Tani që i kam zgjedhur më duket shumë e lehtë por jam menduar shumë për të vendosur, sepse regjisori mendon një formacion që do bëjë. Nuk mendon thjesht njërin prej aktorëve, por mendon që po të kem këtë aktor kush do jenë të tjerët”, thotë Duni.

Nga ana tjetër aktori Shehu rrëfen përjetimin e këtij roli.

“Ky është bashkëpunimi im i parë me profesor Spiron. Që në momentin e parë që ma ka propozuar këtë rol e kam marrë me dëshirë shumë të madhe, pikësëpari për regjisorin që është ai, sepse jam rritur me rolet e tij, me shfaqjet e tij që ka bërë në teatër a në filma. Kështu që mendova ta rrëmbej direkt këtë rol për të dhënë më të mirën time dhe besoj se me profesor Spiron e me gjithë aktorët e tjerë i’a kemi arritur”, shprehet aktori Donald Shehu.

Interpretimi i aktorëve në provën gjenerale rrëmben publikun në një lojë, ku askush s’do ta ketë të lehtë të dallojë gënjeshtrën nga e vërteta, viktimën nga fajtori në raportin në çift, por edhe në miqësi... 

Aktorët kanë më shumë se 40 ditë që përgatisin rolet. Rrëfejnë se kanë punuar intesivisht mbi 4 orë në ambientet e Arturbinës, e zbulojnë grimca nga faza përgatitore, por edhe qasjen e Dunit si regjisor.

“Me Spiron unë kam luajtur shumë shfaqje, si aktore, por edhe si asistente regjisore. Në këtë kuptim, mendoj se kam qenë me fat, se është një regjisor që e çon aktorin atje ku do, dhe e bën këtë me lehtësi. Dhe në fund aktori mendon se e ka bërë vetë rolin, por në fakt nuk është kështu. Spiro i dirigjon shfaqjen e provat me maturi, sepse është regjisor karriere. Jam ndier shumë mirë në punën me të, por edhe me Donaldin, Gentin e Niadën. Me një fjalë, stafi ëhstë në harmoni”, thotë aktorja Flaura Kureta.

“Procesi i përgatitjes së shfaqjes nuk ka qenë me orë të tejzgjatura, por ato orë kanë qenë produktive dhe rezultati është ky që ju patë në provën gjeneralë. Jemi në pritje dhe të reagimeve të tjera për të parë se ku mund ta çojmë më tej pjesën, por mendoj se është maksimumi që mund të bëhet mbi këtë pjesë”, shprehet aktorja Niada Saliasi.

“Procesi i tavolinës ka qenë për shembull për mua, një ndihmë shumë e madhe nga ana e profesorit. Kemi pasur një bashkëpunim shumë të frytshëm dhe ku ai ka shfaqur një qetësi shumë të madhe”, thotë Shehu.

“Siç thotë Havel, përgatisim personazhe duke u nisur nga vetja, përpjekja e parë është që aktori futet në rrethanat e personazhit që na është përcaktuar dhe më pas përpiqet që të krijojë e të krijojë gjatë gjithë kohës”, rrëfen aktori Genti Deçka.

Edhe kësaj here skenografia për shfaqjen e Dunit është sa e thjeshtë aq edhe simbolike... Ilirjan Sadiku e përshtat procesin e regjisorit e të Zellerit për kërkimin e të vërtetës duke e ftuar publikun të kuptojë se sa më thellë shkohet për gjetjen e saj, aq më i errët mund të bëhet realiteti që kishim menduar se po jetonim... Mandej në vend të skenave që ndërrohen duke u zhvendosur, përzgjidhen objekte multifunksionalë që i përshtaten akteve të komedisë...

“Teatri ta lejon këtë, ndërsa kinemaja është ndryshe, pasi sjell një copëz realiteti. Ndërsa kjo është konvencion, ku e ndërton vetë një realitet artistik për një orë e gjysmë në mënyrë të tillë që ai realitet të jetë i këndshëm, emocional, dramatik si në rastin e “Babait” dhe zbativtës në komedi”, thotë regjisori.

Me pjesën e Zellerit, edhe  Flaura Kuretën shënon eksperiencën e dytë teatrale, pas shfaqjes “Babai” të Dunit, ku interpretoi në krah të Reshat Arbanës.

“Është hera e dytë që unë luaj me këtë autor të madh shumë të rëndësishëm në Evropë dhe botë. Madje së fundmi është vlerësuar edhe për skenarin më të mirë jo të huaj në Holliëod.  “E vërteta” shtë një komedi shumë simpatike me një tekst jo shumë të rënduar. Ju që e patë shfaqjen mund ta konfirmoni se nuk ka asnjë tepri nëpër skena”, shprehet Kureta.

Ndonëse në dukje viktimë e tradhtisë, personazhi i Lorensës i interpretuar nga aktorja, do të befasojë... Një grua që në mënyrë konstante duket se heton atë çka ndodh rreth saj, por pa lënë të kuptojë sa di, e as çfarë mund të fshehë...

“Unë luaj Lorensën, gruan e Mishelit, të dashurën e Polit dhe shoqen e Elisës. Me një fjalë janë dy çifte moderne, mendje hapur do të thosha. Fatkeqësisht në kohët që ne jetojmë, në kohët moderne edhe në Shqipëri kanë filluar këto lidhje. Shfaqja nuk është moralizuese, është e këndshme, flet për situata aktuale që tashmë ndodhin në jetën tonë dhe që ne i kemi pranuar në një mënyrë ose në një tjetër”, thotë Kureta.

Nga ana tjetër Mishel, në lidhjen e tyre jashtëmartesore, i kërkon Elisës të mos rreket të rrëfejë të vërtetat, pasi kjo mund të ishte më e trishtë se vetë gënjeshtra për partnerët e tyre... Por vetë personazhi e ka të vështirë të pranojë se edhe atë mund ta kenë gënjyer, ndaj tenton të zbulojë se çfarë mund t’i ketë fshehur miku i tij i ngushtë Poli e bashkëshortja...

“Kam përshtypjen se ashtu si autori e ka lënë pak pezull këtë, edhe Misheli nuk e ka gjetur akoma se cila është e  vërteta dhe cila gënjeshtër. Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh, apo çfarë do të ndodhë, mjafton që ajo e vërtetë të thuhet”, shprehet Shehu.

Ndonëse Zeller e thotë përmes personazheve se nëse do të thuheshin të gjitha të vërtetat rreziku do të ishte që të mos kishte më çifte, personazhi Elisës vuan brerjen e ndërgjegjes për tradhtinë që i bën bashkëshortit Polit.

“Gjithë ideja e kësaj vepre ka të bëjë me të vërtetën a duhet thënë e vërteta apo nuk duhet thënë, dhe sa kushton ajo nëse thuhet” shton Saliasi. 

Kur publiku duket se i ka zbuluar të gjitha të vërtetat, Zeller përmbys situatat përmes rrëfimeve të personazheve. Genti Deçka në rolin e Polit, arrin ta sjell personazhin e tij në të gjitha ngjyrimet, duke e zbuluar gradualisht psikologjinë e tij. A ka pranuar ai gjithçka, apo rrëfimi i tij, fsheh edhe dëshirën për t’u hakmarrë?

“Besoj se kjo është edhe pjesë e natyrës njerëzore, askush nuk pranon deri në fund ta gënjejnë, as këtë dyfytyrësinë... Madje dhe njeriu me dy fytyra nuk e pranon dyfytyrësinë tek tjetri, kështu që edhe autori e ngre këtë pyetje. Tek e fundit kjo është detyra e teatrit, të ngrejë pyetje, besoj se i ngelet spektatorit të reflektojë pas shfaqjes”, thotë Deçka.

Në përballje me të vërtetat aktorët nuk kalojnë në akte tragjike, ndonëse ndihen nuancat e dëshpërimit... Edhe ato të hipokrizisë, kur Misheli nuk arrin të pranojë se edhe atij mund ti bëjnë njerëzit e ngushtë ato çka u ka bërë ai vetë...

“Sidomos gjatë fundit të shfaqjes, kur ai merr vesh se çfarë i ka ndodhur gjatë gjithë procesit, gjatë periudhës që ai ka shkuar me gruan e shokut të tij, e më pas merr vesh për gruan e vet. Pra është një proces dhe një katarsis shumë i madh për atë që i ndodh. Prandaj në fund është ajo mbyllja e bukur midis çiftit”, tregon Shehu.

Akti i fundit e gjen Lorensën përballë Mishel e të zhytur në një përqafim. Dikush mund të zgjedhë sërish të mos i tregojë të gjitha të vërtetat, por a mund të rinis kështu një raport i sinqertë?! Dashuria mbetet deri në fund pjesë e dialogut të tyre, mes një kolone zanore, një pendese a shprese për rifillim ndryshe...

“Kam përshtypjen se Lorensa është kjo maska e trishtë... ajo që nuk e pranon kurrë se ka tradhtuar deri në fund. Ju që e patë shfaqjen e kuptuat se ajo e dashuron burrin dhe për ta mbajtur këtë lidhje, këtë martesë ajo nuk e tregon të vërtetën . Ajo gënjen bukur dhe luan lojën deri në fund bashkë me Mishelin. Dhe deri në skenën e fundit nuk kuptohet nëse këta vazhdojnë bashkë do vazhdojnë të dashurojnë të tjerë apo jo....unë mendoj që ata do ta ruajnë familjen dhe ndoshta do të vazhdojnë lidhjen edhe me të tjerë....”, thotë Kureta.

Në kërkim të së vërtetës së bashku me Florian Zeller, Spiro Duni mer përsipër riskun për të zbuluar se raportet njerëzore mund të mos jenë krejtësisht të sinqerta, apo më keq të jenë të zhytura në tradhti...Pra, a është diçka e mirë ta mësosh të vërtetën, kur tanimë, publiku është i bindur, sikundër edhe personazhet: E vërteta mund të lëndojë!

“Sado të themi për raportet, ato në fund të fundit janë të hidhura, sepse vetë autori që në krye të veprës thotë “E mira e fshehjes së të vërtetës dhe e keqja e zbulimit të saj...”  Pra është një filozofi e tij, që në Shqipëri është pak më e vështirë për tu konceptuar në krahasim me spektatorin  e huaj, ku kjo shfaqje ka korrur shumë sukses. Por unë uroj që dhe këtu spektatori të gjejë gjëra që i interesojnë por më kryesorja është që kur të dalë jashtë të flasë dhe gjysmë ore më tej për atë vepër”, thotë Duni...

Shfaqja nis këtë të premte dhe do të shfaqet për publikun nga e mërkura në të diel përgjatë gjithë muajit prill.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?