SPECIALE/ Në Shetel, fshati që nuk braktis kultivimin e duhanit

14 Prill 2023, 11:31| Përditesimi: 14 Prill 2023, 11:39

  • Share

SHIJAK- Për të kuptuar më shumë rreth kulturës së duahnit, Report Tv i është drejtuar një prej zonave periferike të qytetit të Shijakut. Fshati Shetel ndodhet në një distancë rruge tokësore, prej 12 kilometrash, larg qendrës së qytetit të Shijakut, si pjesë përbërëse e Njësisë Administrative Gjepalaj. Edhe pse në dukje larg qendrës, ky fshat është vendbanim për 1500 familje, të cilat duket se dita ditës pakësohen me plakjen e popullsisë dhe emigrimin e të rinjve.

Rruga për në fshatin Shetel të Shijakut, ofron pamje piktoreske, me fusha të gjelbëruara, hapësira të pafundme dhe pamje nga disa rezervuarë mjaft interesantë, të cilët duken si zona ideale për zhvillimin e atraksioneve të reja.

Pas 30 minutash udhëtim në një rrugë të asfaltuar, mbërrin në zemër të fshatit, ku ajo që të bie në sy gjatë udhëtimit, janë serat e shumta të cilat ndodhen pothuajse në hyrje ose përbri të çdo banese private.

Në banesën e familjes Tuda
Banorët në këtë fshat, mbijetojnë më shumë nga të ardhurat që sigurojnë nëpërmjet bujqësisë. Fiqirete Tuda  jeton në këtë zonë prej më shumë se 40 vitesh.

Kohën e shpenzon midis punëve të shtëpisë dhe atyre të arave me të mbjella. Tashmë ka nisur sezoni i rritjes së filizave të duhanit, të cilat janë mbjellë që në muajin shkurt. Kushtet klimatike, terreni fushor-kodrinor dhe përkushtimi në përpunimin e tokës, ka bërë që në këtë fshat, shumë familje të gjejnë të udhës, mbjelljen e duhanit, siç ka vepruar dhe familja Tuda. Në ndihmë i vjen bashkëshorti dhe familjarë të tjerë kur kanë mundësi, pasi fuqia punëtore mungon në këtë fshat. Fiqiretja na tregon se nisja e përgatitjes së tokës me pleh, mbjelljes së farës dhe ujitja një herë në dy ditë, kanë nisur që prej 15 shkurtit, për të kaluar më pas në muajin prill në heqjen e filizave nga bahçja, për t’i mbjellë në ara.

Procesi i mbjelljes në arë, pasohet nga procesi i kultivimit të gjetheve të duhanit dhe këputjes së luleve për të mos i lënë të lulëzojnë, për shkak se kjo e fundit, ndalon procesin e rritjes dhe forcimit të gjetheve, gjithashtu rrezikon t’i ndryshojë shijen dhe ta kthejë gjethen e duhanit në të pa konsumueshme.

Me t’u kultivuar gjethet e duhanit, nis qepja e tyre për t’u varur më pas, në mënyrë që të kryhet procesi i cili lidhet me tharjen enë sera apo depo të posatçme. Fiqiretja shpjegon se i gjithë ky proces zgjat deri në muajin korrik, ku nga ana e tyre vetëm shpenzohet për të arritur të plehërohet mirë toka dhe të kryhen të gjitha proceset e tjera të nevojshme për një duhan sa më cilësor. Procesi i kultivimit të duhanit ka shumë kosto deri në arritjen e shitjes, por krahasuar me kultivimin e misrit apo disa produkteve të tjera bujqësore, Fiqiretja shprehet se duhani, u sjell të ardhura sa për të siguruar një thes miell më shumë, ose siç shprehet ndryshe ajo “fitojmë sa për të gënjyer veten”.

Më shumë se 44 vite nuse në familje Tuda, zonja e shtëpisë tregon se në fshatin Shetel, familja e bashkëshortit është marrë gjithnjë me kultivimin e duhanit. Jo vetëm familja Tuda, por shumë të tjera në këtë zonë, e kanë gjetur të udhës zhvillimin e kulturës bujqësore të duhanit.

Sakaq vetë Fiqiretja shprehet se do ta vazhdojë sa të ketë jetën këtë punë, pasi me këtë kulturë bujqësore, ka rritur fëmijët e saj. Në një kohë kur jeta në fshat nuk të ofron shumë të ardhura dhe shumicën e produkteve jetësore e sigurojnë prej bahçeve të njëri-tjetrit, mbjellja e duhanit kërkon kosto të cilat dua apo nuk duan kultivuesit e kësaj kulture, janë të detyruar t’i sigurojnë, në mënyrë që puna të vazhdojë. Punimi i tokës, freza, plehrat organike, vaditja, punëtorët për të kryer këto punë dhe shumë të tjera, duket se ulin edhe më shumë fitimet nga kultivimi i duhanit, pa përjashtuar faktin e mungesës së tregut dhe reduktimin e blerjeve.

Djali i Fiqiretes, duket se ka qenë një krah mbështetës për shitjen e duhanit dhe gjetjen e tregut, por më shumë dëgjojmë dhe për familje të tjera, duhani i të cilave ka mbetur nëpër depo prej 4-5 vitesh për shkak të vështirësisë së shitjes. Në rastet kur duhani mbetet stok për një kohë të gjatë, si çdo gjë, rrezikon të prishet apo shpërbëhet, por edhe në rastet kur duhani mund të shitet pas shumë vitesh, problem për kultivuesit mbetet kostoja dhe shpenzimet të cilat presin t’i marrin në kohë, ndërsa kështu rrezikojnë jo vetëm produktin, por edhe të dëmtohen ekonomikisht.

Tokë edhe kanë edhe s’kanë pasi si shumica e fshatrave në Shqipëri kanë mbetur pa e hipotekuar duke e bërë ndarjen sipas kufijve të vjetër.

Por mungesa e certifikatës së pronësisë i penalizon ata që duan ta zgjerojnë kultivimin e duhanit apo produkteve bujqësore duke blerë apo marrë me qira toka të fqinjëve. Ajo çfarë mund të bëjnë këta banorë është të vazhdojnë të punojnë tokën e të bëjnë atë ç’ka dinë më mirë, kultivimin e duhanit. Por për këtë u duhen fëmijët që kanë zgjedhur emigrimin në vend të vendlindjes.

“Të kthehen rinia në shtëpi”, është thirrja e fundit e Fiqiretes.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?