Çdo fletë e shkruar fsheh nga shpirti i tij... Në vitrinat e vogla ekspozuese të Bibliotekës Kombëtare, në një qoshk të katit të dytë, mbi një gjysmë shekulli letërsi pret krijuesin e vet. Visar Zhiti, ka mbërritur në të 70-tat, e miqtë e kujtojnë datën e tij të lindjes, përmes librave që shkroi, përkthimeve, publicistikës...
“Çdo qytetar është i lidhur ngushtë me bibliotekën e qytetit të tij. Unë nga anëtar i kësaj biblioteke pata fatin të vij si autor, ku ishte bërë një ekspozitë me botimet e mia që nga fillimet deri në librin e fundit. Mirënjohës Bibliotekës , drejtorit të saj, Piro Misha dhe ideatorit e frymëzuesit për të ardhur dhe unë sot, shkrimtarit të ri Andreas Dushi. Emocione njerëzore, sepse na bashkon fjala, na bashkon libri, kemi nevojë për takime të tilla”, rrëfen shkrimtari.
Ëndrra rinore, pasioni për poezinë, privimi i lirisë ... ruajtja e dinjitetit njerëzor në kushtet çnjerëzore të regjimit komunist... librat e rreshtuar janë dëshmi e përjetimeve të tij... Ato armë qytetarie, e ai ushtar paepur i sprovave letrare e jetësore...
“Prap çeli pambuku sivjet,
I bardhë i bardhë si çdo vjeshtë.
Nga vezët e boçeve
Si pulbardhat dolën bufkat e bardha,
Tufa tufa fluturuan krejt”
Janë këto disa nga vargjet e së parës poezi të tij të botuar “Prapë”. Ishte viti 1969, kur Visar Zhiti, në të gjashtëmbëdhjetat e tij, përjetoi të dyzuara ndjesitë, e të parit për herë të parë poezinë e tij të shtypur në letër, e më tej ndërhyrjet në to, që e bënin tek-tuk të ndihej i huaj me fjalë të shtuara, a tjetërsuara...
“Kam qenë gjimnazist kur ka dalë ajo poezi, ndoshta diku tek të gjashtëmbëdhjetat. Më pëlqente të shkruaja... Banoja në qytetin e Lushnjës dhe mësuesi ynë, poeti Faslli Haliti, mori disa poezi të miat dhe i çoi për botim. U zgjodh vetëm ajo që është botuar në revistën “Nëntori” dhe kështu doli poezia “Prapë”... një lirikë adoleshenti. Unë ashtu siç iu gëzova botimit pata dhe ato keqardhjet që e kishin ndryshuar... i kishin futur gjëra të tjera dhe si të thuash, nga njëra anë pata lumturinë e të botuarit, por njëkohësisht edhe u lajmërova që “Kujdes! Shtypi ka ligjet e veta, ka shërbimet e veta edhe të tjetërsojnë”... “, thotë shkrimtari.
Ka pasur të tjera poezi më të hershme të tij, rrëfen poeti Visar Zhiti.
“Ashtu është, ajo është poezia ime e parë e botuar, por jo e para që kam shkruar. Si çdo i ri , si çdo nxënës që ka qejf të bëjë një varg, një rimë, kisha filluar më herët ndoshta që në tetëvjeçare, mbushnim ato fletoret tona dhe u arrit deri tek romanet tani”, shprehet Zhiti.
Talenti i të shkruarit, por edhe dashuria për librin ushqehej nga atmosfera familjare, me të atin, Hekuran Zhitin, aktor, poet e dramaturg e një nga mësuesit më të spikatur, që ndonëse luftoi kundër pushtimit të vendit, përjetoi sagën e persekutimeve. Edhe pse i vlerësuar nga regjisor si Piro Mani, a artistë të tjerë të skenës si Vaçe Zela, atij i ndalohej të botonte, po si ndihej ai, tek shikonte se i biri, po ecte në gjurmët e tij?
“Besoj se si çdo prind i gëzohej dëshirave të fëmijës . Ai vetë na i ushqeu dashurinë për poezinë, për përrallat që na i tregonte. Tregonte shkëlqyer si dhe shkruante dhe vetë . Mendoj do t’i ketë pëlqyer ajo çka po ndodhte”, rrëfen më tej.
Poezia i rridhte në vena Visar Zhitit, njësoj si dëshira për të krijuar e jetuar i lirë... Por këto dy elementë, për artin krahë fluturimi, regjimi komunist i kthente në pranga. Ishte viti 1973 kur poeti, në të 20’tat, priste botimin e dorëshkrimit e tij “Rapsodia e jetës”... Ai botim, që ai ëndërronte ta çonte më pranë lexuesit, në fakt e bëri autor të ndaluar, sepse sipas gjykimit të Plenumit të Katërt, “ia nxinte faqen” realizmit socialist. U arrestua në ’79-ën në Kukës, e ndonëse përjetoi ferrin e burgut të Spaçit e Qafë-Barit, ai nuk reshti as aty të shkruante...
“Ndonëse u dënova për poezi, edhe atje shkruaja fshehurazi. Ne na kishin futur në burg për të qenë skllevër, për të punuar në miniera, jo për të shkruar . Jo për të qenë shkrimtar! Unë vazhdova të shkruaja. Ndonjëherë pyes dhe veten pse!
Më dukej sikur ishte ankthi..., dëshira për të lënë një dëshmi, po besoj ka qenë më e thellë se kaq. Ishte dëshira për të krijuar! Kur krijon, kur bën një poezi kudo qofsh, ti je! Krijon sadopak lirinë tënde. Ne krijonim lirinë tonë me poezi”, rrëfen shkrimtari.
Nga burgu u lirua në vitin ’87, e prej aty dërgohet në Lushnjë për të punuar në punë të rënda...
“E kujtoj! Natyrisht janë data vendimtare në jetën e një njeriu, qoftë lindja, qoftë arrestimi, qoftë dalja nga burgu..... ndoshta vdekjen s’do kujtoj dot...”, shton më tej.
Në të tilla rrethana, deri në botimin e parë “Kujtesa e ajrit” në vitin 1993, do të ishte një kohë e gjatë pritje për më shumë se tri dekada për poetin...
“Kohë e gjatë sepse unë isha ndaluar si autor . Më ishte hequr e drejta e botimit. Ndodhën këto ndryshimet, libri im u bë gati në vitet 1991-1992... Krizë e madhe! Unë prapë s’pata fat në këtë drejtim. Nuk kishte letër në atë kohë. Unë prita sa të vinte letra. Kështu doli në vitin 1993, libri me poezi. Ndoshta nuk është vonë asnjëherë për poezinë....”, shprehet ai.
Rënia e diktaturës, do ta ndihmonte që jashtë vendit të konsolidonte formimin e tij përmes specializimeve e punëve të ndryshme.
“Unë punoja në gazetën e parë opozitare, në gazetën “Rilindja Demokratike”, pastaj kisha shkuar me specializim në Milano në gazetat “Corriere della sera” , “Il sole venti quattro ore” dhe “Avvennire”, dhe kur po dilte libri isha në Itali në këtë kurs, u ktheva ...Punova, herë pas here jam emëruar në vende të ndryshme në fushën e diplomacisë , por nuk kam ikur ndonjëherë ... Derisa u mbush mosha për të lënë punën, isha i lirë që ta mbartja shtëpinë ku ishte e mundur. Ku isha më qetë në njëfarë mënyre. Pra vazhdimisht kam punuar në vendin tim, për vendin tim”, tregon poeti.
Poezia e tij e burgut, në fletët që i fshiheshin syve të gardianëve të regjimit, letërsia që Visar Zhiti shkroi për ato vite më pas, konsiderohet si një nga dëshmitë më të vyera memuaristike, por edhe me vlera letrare.
“Po letërsia, si të thuash është ditari i asaj jete, i atij autori që e shkruan. Dhe është dëshmia, përjetimet dhe emocioni që ai ka. Do të jetë i lumtur ai autor që ky emocion, ashtu si e ka dhe ai t’i shkojë lexuesit të veprës së tij”, shton më tej.
Nuk ka reshtur kurrë Visar Zhiti së shkruari, prej fëmijërisë, mësuesisë në Kukës, si i dënuar... në demokraci e në Çikago ku janë zhvendosur në këtë periudhë. E ku shkroi dhe romanin më të fundit “Këpuca e aktorit”.
“Unë kam shkruar vazhdimisht në çdolloj pune...student, punëtor, i burgosur, diplomat! Kam shkruar gjatë gjithë kohës kam shkruar . Letërsinë nuk e shoh si profesion apo punë, po e shikoj si mënyrë jetese. Më ka dhënë emocionin e të jetuarit dhe të krijuarit njëkohësisht”, shprehet poeti.
E çmon përvojën si i ngarkuar me punë në Vatikan. Ndonëse nuk u emërua si ambasador, ai arriti të shënonte takime e momente me rëndësi. I tillë qe edhe takimi me Papa Françeskun.
“Vatikani është selia e shenjtë dhe e gjithë bota si të thuash e vështron dhe i do ato porosi. Janë porosi madhore për jetën dhe për shekujt njerëzorë. Janë porosi dashurie, porosi mëshire, të duam njëri-tjetrin. Popujt të bëjnë më të mirën midis tyre. Për mua ishte një përvojë e mrekullueshme. Vet figura e birit të Zotit dhe birit të njeriut, Krishtit, ka brenda dhe të burgosurin, dhe vuajtjen njerëzore dhe dritën dhe ringjalljen, dhe në këtë drejtim Vatikani është një mrekulli e Zotit në tokë”, shprehet ai.
Në krah të tij, si ngaherë është edhe në këtë ditë të veçantë, bashkëshortja Eda. Me letërsinë e besimin, duket se bëjnë një trini të shenjtë dashurie e force për të .
“Natyrisht derisa këto mbijetojnë i duhen njerëzimit. Dhe përsa janë dhe do të jenë do të thotë se kanë vlera të mëdha shpirtërore... Janë gjaku i jetës!”, rrëfen ai.
poet dhe shkrimtar i denuar kot,,,sic denonte atehere regjimi...//// por dhe ne qe ishim jashte ne ferr kemi jetuar....50 vjet i kemi humbur si popull ne marrezira..... jo per fajin tone...
Përgjigju