Kryeministri Edi Rama pritet të nisë mandatin e tij të radhës në drejtimin e vendit. Në katër vitet e fundit, pavarësisht tensioneve të shumta në parlament, qeverisja e tij, më shumë se sa nga opozita u trazua nga Drejtësia. Ish ministra, deputetë dhe një seri kryebashkiakësh e ish zyrtarësh të lartë lokalë u arrestuan apo u përfshinë në hetime për korrupsion. Rama, arriti megjithatë, të amortizonte këto goditje dhe të fitonte sërish zgjedhjet, me një rezultat edhe më të thellë, nën premtimin e anëtarësimit të vendit në BE. Një proces i cili shënoi një ritëm të përshpejtuar në 12 muajt e fundit, me hapjen e pjesës dërrmuese të grupkapitujve të negocimit. Në 4 vite, Shqipëria njohu një bum turistik të pashembullt.
QEVERIA, NËN TRYSNINE E NDRYSHIMEVE
Qeveria me të cilën kryeministri Edi Rama nisi mandatin e tij të tretë, do të ndërrojë disa herë pamje, dhe në mbyllje të katërvjeçarit, emrat që rezistuan deri në fund, numërohen me gishtat e njërës dorë
Pa u mbushur viti, numri 2 i qeverisë, Arben Ahmetaj, me jetëgjatësinë më të madhe në kabinetet e kryeministrit, do të shkarkohet në muajin korrik. (25 Korrik 2022) Largimi, pa ndonjë shpjegim publik, do të shënojë për Ahmetajn, fillimin e një fundi të hidhur, jo vetëm politikisht.
Në krahun e tij të djathtë, Rama emëron Belinda Ballukun.
Një vit më pas, (8 Korrik 2023) në mes të mandatit, Rama ndërhyn sërish. Fillimisht në korrik zëvendëson ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, me Taulant Ballën.
Ndërsa në shtator, ndërron gati gjysmën e kabinetit. Ai vendos të prekë ministri kyçe, që nga Diplomacia, te Financa, Shëndetësia, Arsimi apo Bujqësia, ku Frida Krifca ishte vënë në qendër të vëmendjes, pasi BE pezulloi fondet e programit IPARD, nën dyshimet e forta për abuzime.
Pak muaj më vonë, (8 Janar 2024) me një tjetër lëvizje të beftë ai largon ministren e Kulturës Elva Margariti, ndërsa bën dhe një ndryshim në strukturën e qeverisë duke bashkuar në një të vetme Kulturën me Ekonominë, të cilave iu shtohet dhe Inovacioni. Drejtimi i besohet Blendi Gonxhes.
Nuk ka kaluar as një javë, kur ai krijon një portofol të ri, atë të Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Emri që do e drejtojë është po ashtu i ri, Adea Pirdeni.
Kur ka hyrë në vitin e fundit të mandatit, Rama prek sërish, për herë të tretë, ministrinë e Brendshme dhe të Financave, më 28 korrik 2024. Balla sa kishte mbushur një vit në detyrë, ndërsa ministri Mete, edhe më pak. Ndryshimet shtrihen dhe te mbrojtja. Në të tre ministritë, Rama zgjedhje emra pa një karrierë politike. Ervin Hoxha në ministrinë e Brendshme, Petrit Malaj te Financat e Pirro Vengun te Mbrojtja.
I rënë në gradë, Balla mbetet në kabinet, si Ministër Shteti për Marrëdhëniet me parlamentin.
SPAK-U, OPOZITA REALE E RAMËS
Në 12 vitet e pushtetit, kryeministri Rama ka notuar shpesh në ujërat e trazuar të politikës. Në mandatin e tretë ai thuajse shpërfilli luftën e ashpër të opozitës, e cila më së shumti përpiqej të kompensonte përçarjen e fortë brenda saj. Dhe në fakt, kërcënimi i vërtetë për të, erdhi nga godina e SPAK-ut.
Hija e inceneratorëve do të shfaqet disa herë mbi qeverinë. Projektet e mbrojtura publikisht nga kryeministri, do të rezultojnë të ndotura nga një korrupsion i gjerë. Hetimet zbulojnë se si zyrat e shtetit ishin vënë në dispozicion të interesave të dy sipërmarrësve, Mirel Mërtiri dhe Kloadian Zoto.
Një seri arrestimesh, do të nisin me Elbasanin duke vijuar me Fierin e më pas në Tiranë. Në krye të listës ish ministri i Mjedisit Lefter Koka, i cili përfundon në pranga në dhjetor të vitit 2021. Shumë shpejt, atij do t’i bashkohet dhe deputeti socialist Alqi Bllako, (1 Prill 2022) dhe një sërë zyrtarësh të niveleve më të ulta.
Kryeministri Edi Rama do t’i dalë vetë përpara valës së ngritur. Ai shfaqet personalisht në Komisionin e Posaçëm hetimor, ku debaton për orë të tëra
“Në total janë 433 milionë euro. Nuk e kuptoj lumturinë, që ke angazhuar 433 milionë euro. Qetësohu, qetësohu”, shprehet zonja Tabaku, duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama, që ndërhyn duke e ndërprerë: “Domethënë paratë, që do të angazhohen për pastrimin deri në 2047, u keni thënë shqiptarëve që janë vjedhur? Seriozisht, seriozisht?”, pyet zoti Rama me ironi e duke nënqeshur.
Kryeministrit i përmbahet qëndrimit se përgjegjësia është individuale, ndërsa këmbëngul se “jam shumë krenar për ato vepra. Veprat janë aty”.
Në fakt impianti i djegies, hyri në funksion, për shumë pak kohë, vetëm në Elbasan. Në Fier nuk u përfundua, ndërsa në Tiranë as që nisi.
Çështja e inceneratorëve do t’i hajë kokën dhe ish numrit dy të qeverisë. Në korrik të 2023, Arben Ahmetaj, i shpëton arrestimit, duke u larguar drejt Greqisë, ditën që Prokuroria e Posaçme firmos kërkesën drejtuar parlamentit, për ta shoqëruar atë në qeli.
Shumica nuk heziton, ndërsa kryeministri detyrohet të japë dhe një shpjegim publik. (14 Korrik 2023)
“Ne na u vu përpara dosja e një pune voluminoze hetimore. Në mos e provoftë fajësinë e deputetit, çka mund e do ta thotë vetëm gjykata, ajo dosje krijon përshtypjen se ka dyshime të mjaftueshme për të mos e ndaluar autorizimin e kërkuar nga SPAK-u.”
Ekzaktësisht, një vit më pas, në korrik të 2024, një tjetër ish ministër dhe bashkëpunëtor po ashtu i ngushtë i zotit Rama, do të bjerë në pranga. Ilir Beqaj, arrestohet (4 korrik 2024) për korrupsion me fondet e Bashkimit europian dhe fshehje pasurie.
Por problemet e tij me Drejtësinë kishin filluar me kohë. Nën hetim për koncensionin e sterilizimit, prokuroria kishte arrestuar më herët ish zëvendësin e tij në ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepajn, ndërsa për atë vetë ishte urdhëruar masa detyrim paraqitje dhe ndalim i udhëtimit jashtë vendit.
Emra të tjerë të njohur të shumicës, do të hyjnë e dalin nga dyert e Prokurorisë së Posaçme.
Në tetor të vitit 2024 deputeti Jurgis Çyrbja qëndron me orë të tëra përpara prokurorëve. Të nesërmen ai jep dorëheqjen nga mandati. Pak ditë më pas i komunikohet akuza për shpërdorim detyre. Nuk kalon as një javë dhe ai arrestohet nën dyshimet për lidhje me grupe kriminale. (20 Tetor 2024)
Dy deputetët të tjerë socialistë do të përfundojnë të pandehur. Plarent Ndreca, për një tender të zhvilluar në kohën kur ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, dhe kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka, nën dyshimet për veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës.
Një numër jo i vogël kryebashkiakësh dhe ish-drejtues socialist të bashkive do të hyjnë në këtë derë, për të dalë prej andej me akuza mbi shpinë. Një pjesë e mirë e tyre do të provojnë dhe qelitë e burgut
Në korrik të vitit 2021, arrestohet kryebashkiaku i Lushnjës Fatos Tushe, së bashku me një numër të lartë zyrtarësh të Bashkisë. Në mars të vitit 2023 Gjykata e Posaçme e Apelit, konfirmon dënimin e tij me burg për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.
Gjatë po këtij viti, të paktën dhe 6 kryebashkiakë apo ish, u përfshinë në hetime, thuajse të gjithë për abuzime me detyrën e korrupsion.
Rasti më i bujshëm do të jetë ai i Vangjush Dakos. Njeri shumë i afërt me kryeministrin dhe ish anëtar i kryesisë së Partisë socialiste, ai do të arrestohet (6 Qershor 2023) për shpërdorim detyre në dy raste, së bashku me 7 ish zyrtarë të tjerë të bashkisë. Goditjen e parë publike zoti Dako e kishte marrë që në 2019 kur Departamenti amerikan i Shtetit e shpalli “non grata”.
Gjatë 2024 disa eksponentë të tjerë lokalë, do të përfundojnë nën hetim, që nga prefektja e Fierit, ish kryebashkiake e Patosit Rajmonda Balili, te Jorgo Goro, kryebashkiak i Himarës i cili do të arrestohet për tjetërsim pronash, apo kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi, i cili vihet në arrest shtëpie së bëshku me zëvendësin e tij.
Po gjatë këtij viti, pushteti i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj nis të lëkundet, pasi disa zyrtarë dhe ish drejtuesë të Bashkisë përfundojnë në pranga. Hetimet përfshijnë dhe atë vetë, dhe familjen e tij.
Në shkurt të 2025 (10 Shkurt 2025) ai do të arrestohet në zyrën e tij. Një goditje e fortë për shumicën socialiste në prag të zgjedhjeve parlamentare.
Kryeministri Rama, reagon me tone të ashpra (11 shkurt) “Asnjë pendesë, asnjë pendesë për heshtjen këto 5 vjet, por me shumë gjasë besoj, në dritën e zhvillimit më të fundit, heshtja jonë është keqkuptuar dhe nga disa konsumatorë të reformës. Këta konsumatorë, disa konsumatorë, duhet t’ja kursejnë shoqërisë, çorbën e derrit në menynë e Drejtësisë”.
INTEGRIMI, DRITË NË FUND TË TUNELIT
Socialistët arrijnë të amortizojnë kostot e goditjeve të drejtësisë. Si kurrë më parë, në zgjedhjet e 11 majit arrijnë një fitore shumë të thellë. E gjithë fushata u bazua në premtimin e anëtarësimit në BE brenda vitit 2030
Pas 13 vitesh, që kur Shqipëria aplikoi për anëtarësim dhe 8 vjet që nga momenti kur mori statusin e vendit kandidat, vetëm më 19 korrik të 2022-shit, Brukseli hap dyert duke çelur zyrtarisht negociatat
“Bisedimet për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin evropian nisën”, me këtë fjali ministri i Jashtëm çek Jan Lipavský, vendi i të cilit mban presidencën e radhës, mbyll punimet e konferencës së parë ndërqeveritare, mes përfaqësuesve të vendeve anëtare dhe Shqipërisë, në Bruksel.
Ky do të ishte vetëm hapi i parë, dhe rruga mbetet e gjatë. Do të duheshin dy vite të tjera, që Shqipëria të bënte një tjetër hap domethënës, të niste konkretisht punën me çeljen e grupkapitujve të negocimit.
Më 15 tetor 2024-ës, nën drejtimin e presidencës hungareze, në Luksemburg hapen bisedimet për grupkapitullin e parë dhe më të rëndësishmin, të ashtuquajturin “Themeloret”.
Në favor të Shqipërisë tanimë është dhe situata gjeopolitike. Agresioni rus në Ukrainë, ka zgjuar vetëdijen e Europës për të mos lënë njolla të zeza brenda kufijve të saj gjeografikë.
Në fakt procesi për Shqipërinë ecën me hapa të përshpejtuara. Më dhjetor (17 dhjetor 2024) hapet grupkapitulli i dytë, ai i Marrëdhënieve me jashtë
Në 14 Prill dhe 22 Maj 2025 hapen dy grupkapituj të tjerë. Për grupkapitullin e pestë, bisedimet nisin më 16 Shtator. “Ka mbetur edhe një grupkapitull dhe s’kam dyshim që do ta bëjmë këtë gjë së shpejti, deklaron Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama.
TIRANA, KRYEQENDËR E DISA SAMITEVE
Në këtë 4-vjeçar Shqipëria drejtoi forume të rëndësishme ndërkombëtare, ndërsa vetë u bë mikpritëse e disa samiteve europiane me peshë. Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken, shënoi një tjetër moment kyç për vendin
Në fillim të vitit 2022 Shqipëria zë vend si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shumë shpejt, Shtetet e Bashkuara do ta zgjedhin si bashkëpenëmbajtëse për çështjen e Ukrainës. Debati mes kryeministrit Rama, në cilësinë e drejtuesit të seancës më 20 shtator të 2023, dhe ambasadorit të Rusisë, Vasily Nebenzya për praninë e presidentit Zelensky në Këshill tërhoqi jo pak vëmendje
Edi Rama: Subjekti sot që ne flasim do ti japë mundësi këshillit të dëgjojnë presidentin Zelensky. Ky nuk është një operacion special nga presidenca shqiptare dhe kjo është sipas rregullave të këshillit e precedentëve të mëparshëm.
Vasily Nebenzya: Ne nuk besojmë se argumentet tuaja qëndrojnë. Pse i dhatë prioritet Zelensky-t. Ju tërheqim vëmendje për shkelje. Ishte një privilegj i dhënë nga ju për Zelensky-n të fliste përpara Këshillit të Sigurimit.
Edi Rama: Ky leksion nga ju për thyerje rregullash në këtë godinë është mbrelënës. Ju ndaloni luftën dhe Zelenksy s’ka pse flet.
Në shkurt të vitit 2024 Shqipëria do të presë sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në një vizitë 8 orëshe (15 Shkurt 2023)
Blinken: “Partneriteti i SHBA-ve me Shqipërinë është më i fortë se ç’ka qenë ndonjëherë”.
Përtej bisedimeve zyrtare me presidentin Begaj dhe kryeministrin Rama, ajo që bie në sy është nga njëra anë, takimi, ndonëse i shkurtër me 4 drejtuesë të institucioneve të Drejtësisë, dhe nga ana tjetër, takimi i munguar me përfaqësuesit e opozitës, siç nuk kishte ndodhur më parë, me vizitat e pararendësve të tij në Shqipëri.
Dy javë më pas, më 28 shkurt 2023, do të mbërrijë presidenti ukrainas Volodimir Zelensky. Në Tiranë mbahet Samiti Ukrainë-Europa juglindore. Në takim ai do të ftojë vendet e rajonit për një bashkëpunim në prodhimin e armëve dhe municioneve, aq të nevojshme për t’i bërë ballë agresionit rus.
Lufta e nisur në shkurt të 2022, ka shkundur Bashkimin europian, i cili intensifikon marrëdhëniet me Ballkanin, për ta mbajtur atë sa më larg influencës ruse.
Për herë të parë samiti mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mbahet jashtë unionit, dhe mikpritëse do të jetë Tirana (6 dhjetor 2022)
Gati 10 muaj më vonë, në 16 tetor 2023, kryeqyteti shqiptar do të presë samitin e radhës së procesit të Berlinit.
Presidentja e Komisionit europian do të paraqesë në Tiranë dhe planin e rritjes për Ballkanin, me miliarda euro për të mbështetur ringritjen ekonomike të rajonit
Von der Leyen “Plani i rritjes është një stimul shumë i madh, një stimul për të hapur dyert në aspektin ekonomik por dhe për të kërkuar dhe hapjen e mëtejshme të kufijve brenda për brenda Ballkanit Perëndimor”.
Katër muaj më vonë, (29 shkurt 2024) sërish në Tiranë, udhëheqësit e vendeve të Ballkanit do të ulen sërish për të diskutuar me përfaqësuesit e Komisionit europian dhe të institucioneve të ndryshme financiare ndërkombëtare, detajet e Planit të rritjes.
Por takimi më i rëndësishëm do të jetë ai i Komunitetit Politik Evropian, (16 Maj 2025) i cili do të mbledhë në kryeqytetin shqiptarë 47 liderë të shteteve dhe institucioneve më të rëndësishme të kontinentit
SHPËRTHIMI I TURIZMIT
Emri i Shqipërisë nuk do të lakohet vetëm në mjediset e politikës ndërkombëtare, por do të shfaqet gjithnjë e me shumë si një destinacion turistik. Për të do të shkruajnë gazetat e revistat më me emër, ndërsa shifrat e vizitorëve të huaj do të rriten në mënyrë eksponenciale.
“Do e bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit në Turizëm dhe kjo është plotësisht e mundshme”, do të deklaronte në prill të vitit 2021, kryeministri Rama.
Dhe ndërsa bota po dilte e topitur nga pandemia e Covidit, Shqipëria do të njohë një rritje të fortë të turizmit, në vitin 2021. Afro 5.6 milionë vizitorë, përfaqësojnë një shifër 114 përqind më të lartë krahasuar me një vit më parë.
Një e rritje e fortë pason nga viti në vit, me 7.5 milion në 2022, në 10.1 milion në 2023.
Mediat nga më prestigjiozet, dhe agjencitë ndërkombëtare të turizmit promovojnë në mënyrë të përsëritur vendin, duke nisur nga bregdeti te bujtinat malore
Në fillim të Janarit 2024, ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro do të parlajmëronte se "2024 do të jetë prova e zjarrit që kjo mos të na kthehet në boomerang”.
Po këtë vit, emri i Shqipërisë do të lidhet dhe me interesin e sipërmarrësit amerikan Jared Kushner, dhëndri i ish presidentit Donald Trump, për të investuar në Sazan një eko-resort luksoz të markës Aman. Për Bloomberg-un, ai do të shprehej se “ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pacënuara dhe unike që kam parë kudo në botë”.
Por bumi i turizmit, shtoi dhe oreksin e pakontrolluar për fitime të shpejta, që sollën rritje të cmimeve. “Të flitet me operatorët e hoteleve dhe t’iu thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë, mbase në kushtet e kapitalizmit nuk e perceptojnë, por është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë”, shprehet me shqetësim kryeministri më 17 korrik 2024.
Viti do të mbyllet me 11.7 milionë turistë që shpenzuan në total afro 5 miliardë euro.
Ndërsa 2025 do të pasohet me rritje të turistëve, por larg ritmit të mëparshëm. Në fund të korrikut, do të regjistrohen vetëm 225 mijë vizitorë më shumë krahasuar me vitin e shkuar.
Komente

Koto janë gabimet e pa falshme të Edi Ramës sepse të tre këta hajdutë janë të ardhur nga PD aq më tepër kur populli thërriste tigri,tigri ai i vari për herë të dytë tigrit mëlçitë në qafë dhe kjo vjen sepse çdo gjë e bën me kokën e tijë njëlloj si Sali non grata.
PërgjigjuCa tigri tigri thoni juve suksesi i spak tigri po shijon jeten ne zvicer ne pension per qef te zotit, hajde pini nga i got uji tani