Që prej vitit 2013, kur humbi pushtetin, Partia Demokratike, nuk ka njohur asnjë fitore elektorale. Me Sali Berishën të rikthyer në drejtimin e saj, pas një lufte të gjatë të brendshme, e me kosto jo të vogla, forca kryesore e opozitës, premton të përmbysë rrjedhën e këtyre 12 viteve të fundit.
Kushti për zgjedhje me një qeveri teknike, dominoi për një kohë të gjatë retorikën dhe aksionin politik të demokratëve, me Berishën që komandonte nga arresti i shtëpisë dhe demokratët që kishin zbritur në disa protesta radhazi
“Beteja jonë nuk ndalet deri në krijimin e një qeverie teknike”, deklaronte Berisha më 11 korrik 2024.
Por ndërsa pala përballë, as që kishte ndërmend të lëshonte gjë, Berisha tentoi imponimin përmes një vale të re protestash
“Kjo kërkon nga ne mosbindje civile në një betejë të fuqishme”, shprehej kreu i PD-së më 30 tetor 2024, teksa ndodhej në arrest shtëpie për aferën Partizani.
Berisha arriti t’i bashkohej fizikisht protestave në formën e mos-bindjes civile vetëm më 23 dhjetor, pak ditë pasi ishte vendosur lirimi i tij nga arresti i shtëpisë.
“Nuk ndalojmë pa realizuar objektivat tona”, theksoi ai.
Por kërkesa për qeveri teknike u harrua shpejt. Mos-bindja civile nuk pati ndonjë efekt të dukshëm, dhe Berisha e kaloi në heshtje dështimin. Shpejt nisi të diskutohej për primaret, proces i sanksionuar në statutin e Partisë Demokratike për të përzgjedhur kandidatët për deputetë.
Shumë drejtues në Partinë Demokratike, ndonëse kurrë nuk e pohuan me zë të lartë, ishin kundër tyre. Në korridoret e selisë blu, ishin jo të paktë ata që i druheshin një përçarjeje tjetër të mundshme, por këtë nuk ia artikuluan kurrë në sy Sali Berishës:
Mes klimës së skepticizmit të drejtuesve të PD dhe vendimit të Sali Berishës për t’ju përmbajtur statutit, primaret u mbajtën më 1 mars.
Por ndryshe nga sa pritej, primaret nuk u konsideruan përcaktuese për të qenë ose jo në listat e kandidatëve për deputetë.
Shumë nga ata që ndonëse rezultuan ndër më të votuarit, nuk e gjetën në listat e sigurta të kandidatëve për deputetë, nuk e fshehën pakënaqësinë, një pjesë dhe me dorëheqje
Por krye-demokrati e kishte të gatshme formulën e kundër-përgjigjes: “Nuk braktiset beteja sheshi i burrave”, do të shprehej Berisha.
Në vend të më votuarve demokratë në lista, u vendosën jo vetëm besnikët e Sali Berishës, por një pjesë e mirë e aleatëve të tij me të cilët kreu i PD zyrtarizoi koalicionin parazgjedhor
Nga Burgu, Ilir Metës iu plotësua dëshira për të provuar veten në listën e hapur të Tiranës. I bindur se me peshën e emrit të tij do të grumbullojë votat e nevojshme, lëvizja e tij synon të rrisë dhe numrin e deputetëve të ardhshëm të partisë së vet, ku të paktën 4 mandate mund të konsiderohen të garantuara, brenda listave të mbyllura të koalicionit.
Në Tiranë, Berisha i ka siguruar mandate dhe aleatëve të tjerë të vjetër. Por më shumë sesa ata, vëmendjen këtë herë e morën aleatët e rinj
Me disa, martesa politike për Shqipërinë Madhështore, zgjati shumë pak, sic ndodhi me të larguarin Selami Jenisheri, aleatin nga Partia e Pensionistëve.
Surpriza e Sali Berishës në prag fushate ishte marrja si drejtues i fushatës së Chris Lacivita, amerikani që punoi për fushatën që riktheu Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Me njollën e non gratës në SHBA mbi supe, kryedemokrati premton një fushatë të frymëzuar nga Trump edhe në Shqipëri.
Fushata në prag të nisjes zyrtare të saj do të rikthejë Chris LaCivita në Tiranë. Sipas PD-së, do të jetë ai që do të ketë në duar strategjinë për mënyrën sesi do të bëhen takimet, mesazhet dhe simbolikat e fushatës duke nisur nga 11 prilli kur në orën 19:00 PD do ta çelë zyrtarisht atë. Sali Berisha vetë, ka premtuar se fokusi do të jetë alternativa opozitare dhe programi dhe jo akuzat për kundërshtarin politik.
Komente
