Politikë

SPECIALE/ Nga tallavaja te hitet botërore! Këngët e PS dhe PD në fushata ndër vite dhe sloganët e partive (VIDEO)

16 Prill, 13:30| Përditesimi: 16 Prill, 17:32

  • Share

Gongu i fushatës elektorale të 11 majit ra. Partitë politike zbritën në fushë-betejë zyrtarisht duke zbuluar edhe sloganet që do i shoqërojnë si mesazhet kryesore të fushatave të tyre.

“Shqipëria në Be, vetëm me Edin dhe Ps”. Edi Rama për herë të parë ka vendosur në epiqendër të fushatës identitetin e tij, duke e lidhur votën për partinë ngushtë me imazhin e krye-socialistit.

Kënga e fushatës iu besua një reperi: Noizyt, që i përshtatet filozofisë së fushatës socialiste që Shqipëri ka përparuar e drejt integrimit po shkon me meritën e saj.

“Shqipëria Madhështore” slogani i demokratëve, nuk erdhi aspak surprizë pasi me të njëjtin emër PD ka pagëzuar edhe koalicionin politik, duke përshtatur sloganin e fushatës së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të tetorit “Make Amerika Great Again”

PD nuk do të ketë një këngë të vetme që do ta identifikojë në këtë fushatë.

Tingujt e këngës së famshme të filmit Rocky Balboa, Survivor – “Eye of the Tiger” do të thyhen herë pas here nga hiti i Renis Gjokës që ka shoqëruar PD gjatë aksionit dy vjeçar të saj në beteja elektorale e ato në shesh, “Rezisto”

Por jo vetëm në këtë fushatë! Sloganeve në çdo palë zgjedhje u kushtohet vëmendje e veçantë, si fjalia që identifikon thirrjen kryesore përmes së cilës kërkohet vota.

Partitë politike kujdesen të shënjojnë me sloganet e tyre, të cilat shpesh janë të thjeshta e lehtësisht të memorizueshme nga masa.

Në të paktën 4 zgjedhjet e fundit parlamentare, ato kanë qenë element i rëndësishëm identifikues.

Në fushatën e zgjedhjeve të 2009, të parat që përballën drejtpërdrejtë në një betejë elektorale Sali Berishën, aso kohe në qeveri e Edi Ramën, PD dhe PS e fokusuan jo pak vëmendjen edhe në sloganet e tyre.

“Shqipëria po ndryshon” e PD u shoqërua edhe me një këngë me po të njëjtin titull.

“Politikë e re për ndryshimin” qe slogani i përdorur nga Edi Rama, për herë të parë në një palë zgjedhje si kryetar i PS.

Kryesocialisti përdori si kolonë zanore të fushatës një bashkëpunim me West Side Family “Çohu” që asokohe evidentonte në tekstin e këngës problematikat e thella sociale e ekonomike që vendi po kalonte.

Ndonëse lehtësisht i memorizueshëm, ky slogan nuk rezultoi fitues për socialistët, të cilët para se të sillnin rotacionin në zgjedhjet e 2013, rishpikën vetveten.

“Rilindje” qe slogani i Edi Ramës në zgjedhjet e atij viti, ndërsa fushata u shoqërua nga dy këngë: Ne jemi rilindja dhe Born Free e Kid Rock.

Partia Demokratike përdori si slogan “Ne jemi ndryshimi, përpara” sërish shoqëruar me një kolonë zanore që interpretohej aso kohe nga këngëtarë shqiptarë.

Pas 4 viteve në qeveri, PS shkoi drejt fushatës së 2017 me sloganin “Për Shqipërinë që duam”.

Në këto zgjedhje, Edi Rama do të kishte përballë një rival të ri me të cilin më herët e kishte përballur vetëm beteja elektorale vendore për bashkinë e Tiranës.

Nga çadra e ngritur në bulevard e me një qeveri teknike të siguruar, Lulzim Basha do të niste fushatën me sloganin “Republika e re! Ekonomi e fortë, e nesërme e sigurt”

Krejt në kushte të jashtëzakonshme trokiti fushata e 2021.

Me 2 sfida të mëdha të kaluara tërmetin e 2019 e më tej pandeminë e Covid 19, socialistët e lidhën fushatën e 2021 me të ardhmen.

“Shqipëria e Ardhmja jonë, s’ka kohë për pushim” ishte slogani me të cilin hynë në zgjedhjet në kërkim të mandatit të tretë.

PD hyri në zgjedhje me sloganin “Shqipëria Fiton” slogan përmes së cilit Lulzim Basha ishte i bindur se do të realizohej rotacioni politik.

Për kolona zanore, PD e PS u larguan nga këngët e personalizuara të fushatave dhe  zgjodhën dy hite ndërkombëtare, demokratët Sia-n me Unstoppable ndërsa PS Pit Bull me hitin e atij viti “I Believe That Ëe Ëill Ëin”,  “Ne besojmë se do të fitojmë”

Por dekorit të fushatave me mesazhe përmes sloganëve e kolonave muzikore, nuk i është kushtuar rëndësi vetëm në fushatat e zgjedhjeve të përgjithshme.

Edhe në ato vendore, i është kushtuar jo pak rëndësi.

Mjafton të kujtohet kënga e famshme e Edi Ramës me West Side Family Tirona.

Apo ajo e zgjedhjeve të shkuara kur sloganit “Vetëm përpara, kurrë më mbrapa socialistët i bashkëngjitën këtë këngë me nota tavallaje.

Kurse opozita, për të bekuar ri-bashkimin në aleancë të Berishës e Metës, të kthyer rishtaz në krye të partive që themeluan, përdori sloganin Bashkë Fitojmë, dhe këngën me të njëjtin titull të artistit Renis gjoka.

G.M./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?