Sociale
Speciale

SPECIALE/ Nga turizmi familjar në atë të aventurës, Fushë Studën dhe Liqeni i ngrirë i Kallabakut, dy destinacionet dimërore

Sa herë që bora nis të shtrohet si tapet i bardhë nëpër Shqipëri, paralajmëron nisjen e turizmit dimëror. Për të pasionuarit pas turizmit të bardhë është koha për të bërë plane. Ku mund ta kalojnë fundjavën?

Menjëherë mendja të shkon në Voskopojë e Dardhë. Të njohura në dimër për akomodimin e ngrohtë, ushqimin tradicional dhe ofrimin e mundësisë për të skijuar. Por ne kemi zgjedhur destinacione të tjera ku zhvillohet turizmi i këtij sezoni. Rrugëtimin e nisim fillimisht drejt Fushë-Studën.

Nga Tirana për të mbërritur në zemër të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë udhëtimi zgjat afro dy orë. Është 90 km rrugë tërësisht e asfaltuar, që kalohet pa vështirësi nga të gjitha automjetet. Panorama është mbresëlënëse, rruga gjarpëron nëpër male derisa zbret në këtë fushë të veshur me petkun e bardhë. Simboli i këtij vendi është liqeni akullnajor.

Ajri i freskët vjen prej pyjeve me pisha të cilët ofrojnë një pamje piktoreske dhe mjaft tërheqëse për turistët që vizitojnë këtë anë. Vitet e fundit në Fushë-Studen janë hapur disa bujtina dhe restorante, të cilat ofrojnë kushte të mira dhe ushqim bio. Zona dallohet për peshkun troftë dhe për mishin e qengjit, por dhe patatet.

Fushë-Studen frekuentohet kryesisht në fundjavë, ku takojmë vizitorë nga Tirana, Durrësi, Berati, etj, të cilët tregojnë pse kanë zgjedhur këtë fshat turistik. Turistët në Fushë-Studën mund të shijojnë shumë gjëra, si peshkimin, ecjet sportive dhe shumë atraksione të tjera që ofron kjo hapësirë.

S’mund të mungojnë aventurierët, të pasionuarit pas makinave “Off Road” të cilët provojnë adrenalinë të jashtëzakonshme në Parkun Kombëtar Shebenik - Jabllanicë. Në Shebenik turistët kanë mundësi të shijojnë liqenet karstike, liqenin e Fushë-Studës, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë-Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë.

Fushë-Studën bashkë me fshatrat Borovë, Llangë, Zabzun, Sebisht dhe Moglicë janë pjesë e njësisë administrative Steblevë në Bashkinë e Librazhdit janë ende të pazhvilluara plotësisht. Në gjithë zonën numërohen 100 shtretër të shpërndara në 4 vila, 2 Guest House, 1 Hostel dhe 1 Hotel. Në 2024 kjo trevë u vizitua nga 450 000 persona, por 83 për qind e tyre ishin vizitorë ditor. Numri i atyre që zgjedhin të qëndrojnë për pushime 2-3 ditore mbetet i pakët për shkak se mungojnë investimet në turizëm siç mund të jetë pista e skive.

Ndonëse Shqipëria ka 70 përqind të territorit malor, nuk njihet ende si destinacion skish.I vetmi teleferik është instaluar në vitin 2012. Kemi një pistë skish në Dardhë dhe një tjetër modeste në Pukë.

Por a mund të ketë turizëm të bardhë pa pista skish?

Nëse bëjmë një krahasim me vendet fqinje, vihet re mungesa e resorteve, pishinave të mbyllura, ambienteve sportive e të kalimit të kohës së lirë. Gjthçka mund të gjesh është natyra e virgjër dhe përpjekjet e biznezeve të vogla në agroturizëm për t’u ofruar oxhakun e ndezur, ushqim tradicional apo fjetje në kushte të favorshme për klimen e ftohtë.

Mungesa e investimeve të mëdha e kanë lënë sektorin e turizmit dimëror në nivel lokal dhe ende fillestar. Sipas njohësve të sektorit të turizmit, turizmi dimëror është më i vështirë se ai veror, pasi kërkon shpenzime më të mëdha dhe që nuk mund të ketë ecuri vetëm duke punuar në fundjavë. Të njëjtin fat ka edhe Shishtaveci i njohur si vendi i sporteve dimërore i frekuetuar kryesisht nga turistët aventurierë.

Fshati Shishtavec në Kukës, që shtrihet në lartësinë e 1500 metrave mbi nivelin e detit është futur në programin e 100 fshatrave pasi konsiderohet si një zonë tërheqëse për zhvillimin e turizmit malor. Megjithatë të paktë janë vizitorët edhe në ditë fundjave.

"Është 30 minuta nga Kukësi ose më pak se 30 km larg. Duhet të kishte më shumë interes," tregon z. Shehu.

Ndonëse Shishtaveci është një ndër zonat e favorizuara për turizëm gjithëvjetor, vizitorët sporadikë mundohen të vlerësojnë gjithçka dhuron vetë natyra.

"Nuk është e nevojshme të ketë pista skish profesionale si në rezortet e mëdha. Do të ishte shumë mirë t'i kishim, por në kushtet që jemi është shumë prapë e këndshme," shprehet koordinatori i QPR-së.

Ndodhet shumë pranë zonave ku turizmi dimëror është kryefjalë, siç është Kosova dhe Maqedonia e Veriut, megjithatë në Shishtavec ka shumë pak bujtina të improvizuara dhe ndërtesa të vjetra që nuk mund të plotësojnë kushtet e një turizmi malor.

Për më tepër që Pllajat e bukura të Shishtavecit dhe Novosejit janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e sportit të skive. Udhëtimi ynë vazhdon drejt Liqeni të Kallabakut ose Novosejt.

Për të mbërritur tek ky liqen edhe pse rruga është e hapur duhet udhëtosh me mjet të lartë në rrugën Kukës-Shishtavec. Në skaj të rrugës nacionale është rruga malore që të dërgon tek Stanet e Novosejit, rruga është e hapur por udhëtimi me makinë është i vështirë për shkak të pranisë së borës e akullit. Pasi le makinën, të shoqërojnë udhërrëfyesit lokal. Nga Stanet e Novosejit, ecja vazhdon për rreth 1 orë në këmbë pasi trashësia e borës ka arritur deri në 1 metër.

Pavarësisht vështirësive të ecjes më këmbë dhe zhytjes në borë shkuarja tek liqeni Kallabakut, është një përjetim i këndshëm për shkak të peizazhit dimëror që të ofron kodrina mbi liqen dhe rrezet e diellit, në lartësinë 1600 metër mbi nivelin e detit. Mbërritja në liqen është gati 45 minuta. Zemra e parkut kombëtar Korab – Koritnik, ndalesa e shumë vizitorëve vendas dhe të huaj në verë, tashmë në këtë periudhë dimri të ashpër është plotësisht i ngrirë.

Përgjatë kësaj periudhe  me pamje mbresëlënëse në të gjitha stinët liqeni merr ngjyrat e dimrit. Një mundësi e mirë për tërheqjen e mjaft vizitorëve, dashamirësve të natyrës që kërkojnë dëborën dhe mundësi për të shijuar dimrin. Alban Xhaferri, udhërrëfyes lokal që na shoqëroi në këtë aventurë dimërore thotë se liqeni i Kallabakut ka potencial për zhvillimin e sportit të patinazhit për shkak të ngrirjes gjatë dimrit.

Sipas udhërrëfyesit Xhaferri, për ta kthyer liqenin në një pistë patinazhi nuk nevojitet investim i madh por duhet dëshirë dhe vullnet nga institucionet lokale me qëllim që edhe në dimër të jetë i shfrytëzueshëm ashtu si në verë.

Liqeni i Kallabakut është një ujëmbledhës me sipërfaqe rreth 7 ha, i pozicionuar mes pyjeve të përbërë nga ahu, bredhi, mështekna ku dimri vjen i ashpër në këtë zonë dhe peizazhet  në stinën e dimrit të mbeten gjatë në kujtesë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në vend?