SPECIALE/ Ngjarjet më të bujshme kriminale që tronditën Shqipërinë, krimi ngre 'dorë' ndaj vetë drejtësisë (VIDEO)

1 Janar 2020, 16:24| Përditesimi: 1 Janar 2020, 16:40

  • Share

Viti 2019 do ta niste sagën e tij të ngjarjeve vetëm një ditë pas ndërrimit të viteve. Pasditen e 2 Janarit, Gazment Musta vret me thikë bashkëshorten e tij 31 vjeçare Gentiana Çaushaj dhe kunatën 18 vjeçe, Milisa Çaushaj. Krimi makabër ndodhi në qytetin e Ballshit, në sy të dy fëmijëve të mitur të çiftit të bashkëshortëve. Autori kishte vetëm dy ditë që ishte kthyer nga Greqia, e ndërsa shkak i vrasjes u bë një debat mes tyre, pasi Musta nuk lejonte bashkëshorten të shkonte tek prindërit e saj në fshatin Drizar të Mallakstrës. Pas ngjarjes, ai u vetëdorëzua në polici ku pretendoi se ishte ndier i fyer nga bashkëshortja, e ndërsa në sallën e gjyqit qëndroi i heshtur.

57 vrasje, 13 prej të cilave me dashje shkaktuan 63 viktima dhe 10 të plagosur.

Ky është bilanci i vrasjeve të ndodhura përgjatë vitit 2019.

1 NENTOR ATENTAT PROKURORIT ARJAN NDOJA

Atentati më i bujshëm do të ishte ai i prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja. Pasditen e 1 Nëntorit, mjeti me të cilin ai udhëtonte së bashku me Landi Muharremin, një emër jo pak i njohur ky për policisë, do të qëllohej me breshëri plumbash pranë “Urës së Dajlanit” në Durrës. Ndoja e Muharremi mbetën të lënduar, e ndërsa 6 ditë pas atentatin, ndërroi jetë në Spitalin e Traumës, shoferi Andi Maloku.

Kjo ngjarje, do të trazonte jo pak politikën, ku akuzat ndaj të dyja krahëve të do të ishin të forta. Prokurori Ndoja u vu në qendër të akuzave të kryeministrit Edi Rama dhe zëvendësit të tij Erjon Braçes, kur Ndoja urdhëroi arrestimin e kreut të Kadastrës në Durrës, Liridon Pula.

Nuk do të kalonte shumë ditë, kur policia vuri në pranga një nga autorët e dyshuar të ngjarjes, Redjan Rrajën. I riu nga Fushë-Kruja, i njohur si mik i deputetit socialist Rrahman Rraja. Emri i Redjan Rrajës doli u përmend edhe në vrasjen e Elton Çiços në Maj të 2018, teksa ndodhej në të njëjtën tavolinë me viktimën, ku u akuzua se prishi provat në vendngjarje, por pas disa orësh rifitoj lirinë. Pista kryesore e atentatin ndaj prokurorit Ndoja dhe Landi Muharremit dyshohet të ketë ndodhur për shkak të hakmarrjes, dhe konflikteve të pronave në bregdet.

30 JANAR VRITET ISH POLICI ARBEN BILALI

Më 30 Janar, ish polici Arben Bilali do të ekzekutohej me breshëri plumbash pranë banesës së tij në Tiranë, në zonën e Selitës. Pista kryesore është ajo e hakmarrjes, nisur nga dinamika e ngjarjeve kriminale prej 22 vitesh në Tiranë, konflikte të nisura në vitet 1994 dhe 1997, kur ka mbetur i vrarë vëllai i tij Bujar Bilali, e ndërsa në 2010-ën vritet vëllai tjetër i tij, Leonardi. Ngjarja do të mbetej pa autor. Gjergj Cukali, i njohur si i “forti i Myslym Shyrit”, u arrestua si një nga të dyshuarit kryesor për shkak se gjurmët e gjetura në një bidon plastik uji brenda mjetit të braktisur të autorëve përputheshin me të tijat, provë kjo e cila nuk ishte bindëse për gjyqtarët e Apelit të Tiranës, duke i rikthyer atij lirinë muaj pas prangosjes.

17 SHKURT ATENTAT “ÇIPURIT”

Dora kriminale do të zhvendosej në qytetin e Vlorës, ku më 17 Shkurt persona të paidentifikuari zënë pritë Armando Sulejmanit, njohur me pseudonimin "Çipuri", duke e lënë atë të plagosur rëndë, e ndërsa ndërruan jetë Orest Rexho dhe Arjan Hasani, kunati dhe shoku i tij. Mjeti i atentatorëve bashkë me 3 kallashnikovë u gjet i djegur në Babicë të Vlorës, por pa asgjë gjurmë nga autorët. Një ditë pas ngjarjes, policia do të arrestonte Çpurin për armëmbajtje pa leje. Hakmarrja vijon të jetë pista kryesore e policisë së qytetit bregdetar, për shkak të së kaluarës kriminale të Çipurit, i cili më herët ka qenë i skeduar nga policia për disa ngjarje të rënda. I vënë edhe më herët në shënjestër të dorës kriminale, Armando Sulejmani njihet edhe për shkak të konflikteve me fisin e Llanajve, po në këtë qytet.

Marsi i 2019-ës do të linte jo pak viktima, në Tiranë, Shkodër e Elbasan.

18 MARS VRITET JURGEN KURTI

Më 18 Mars vritet pranë banesës së tij Jurgen Kurti, i njohur si menaxheri i vipave. I skeduar më herët nga policia, Kurti do të arrestohej fillimisht në 2016 i dyshuar si vrasësi i babait të tij Artur Kurti, krim për të cilin më pas e pranoi se e kishte kryer daja e Kurtit, Leonard Ristani. Një vit më vonë ai do të përfshihej në një tjetër ngjarje, kësaj here për vrasjen e pronarit të një picerie në Durrës, Agim Arapi, por më pas mori sërish pafajësinë.

Vrasja për të cilën ende nuk ka një motiv, do të mbetej edhe pa autor, pasi për mungesë provash, 3 të arrestuarit për këtë ngjarje rifituan lirinë në Apel.

22 MARS VRITET AVOKATI RAVIK GURRA

Një vrasje jo pak e bujshme do të ishte për sistemin e drejtësisë edhe ekzekutimi me plumb në kokë e avokatit të njohur Ravik Gurra. Mbrëmjen e 22 Marsit, ai u vra nga persona të dyshuar si vrasës me pagesë e ende të pazbuluar nga autoritetet, teksa ishte duke konsumuar kafe në një lokal shumë pranë qendrës së Elbasanit. Gurra ka mbrojtur persona të njohur të botës së krimit, avokat i Çapjave në Elbasan, e avokat në procesin ndaj Emiljano Shullazit tek Krimet e Rënda. Reagimet ishin të shumta, madje edhe ndërkombëtare, por duket se dora kriminale ishte e fortë, çka bëri që hetuesit të dyshojnë se eliminimi i avokatit, ishte një mesazh për fisin Çapja.

30 MARS VRITEN DY VELLEZERIT BILALI

Një javë më vonë, saga kriminale do të kalonte sërish në Shkodër. Mëngjesin e 30 Marsit, ekzekutohen në derën e shtëpisë dy vëllezërit Astrit dhe Brahim Bilali, ngjarje kjo që riktheu edhe një herë në vëmendje hakmarrjen me fisin Lici po në qytetin verior. Si autorë kryesor të kësaj ngjarje, në kërkim vijon të jetë Ibrahim Lici, nisi i Fatbardh Licit, ky i fundit i vrarë në Gusht të 2018 dhe djali i Mustafa Licit, anëtar i Këshillit Bahskiak Shkodër dhe drejtuesi i partisë, Mendimi i Djathtë Liberal. Ndërsa viktima Astrit Bilali është babai i Astmer Bilalit, i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri”, në Shkodër.

9 PRILL VRITET SUPERGRABITESI ADMIR MURATAJ

9 Prill 2019, pas një shkëmbim zjarri me policinë vritet Admir Murataj, i cilësuar si “truri” i grabitjeve. Edhe pse i shpallur në kërkim ndërkombëtar për grabitjen e milionave euro në rrugën e Rinasit, së bashku me persona të tjerë pak para se të vritej, Murataj do të kryente një tjetër super-grabitje, brenda aeroportit të Rinasit, duke marrë thasët me para nga barku i avionit.

Deri më tani, të arrestuar për supergrabitjen e rreth 6 milionë eurove janë 7 persona, Ragio Hajdini i cilësuari si daja nga Kosova, Elton Pikli, Renaldo Sulaj, Oltion Veseli, Saimir Çela, Alkond Bengasi dhe Hasan Kanaçi. Në kërkim vijojnë të jenë dy vëllezërit Klemend e Eldi Çala, si dhe bashkëpunëtori i tyre Talo Çela. Nga kontrollet e policisë janë gjetur dhe sekuestruar 300 mijë euro, nga të cilat 100 mijë u gjetën në banesën e agjentit të cargos në Aeroportin "Nënë Tereza", Hasan Kanaçi, të konvertuara në kartëmonedha të ndryshme.

Por, muaj pas arrestimit, Kanaçi rifitoi lirinë, pasi gjykata tha se paratë e gjetura në banesën e tij nuk rezultonin të ishin ato të grabitura brenda në pistë.

20 QERSHOR ATENTAT PLAURENT DERVISHAJT

Listët së policisë dhe prokurorisë për atentatet e pazbardhura do t'i shtohej edhe një tjetër më 20 Qershor, ku persona të paidentifikuar i bëjnë atentat kunatit të Lul Berishë, Plaurent Dervishajt dhe miqve të tij, Julian Meçes e Bashkim Haxhija. Nga një distancë shumë e afërt, në mjetin me të cilin ata udhëtonin u derdhën plot 43 plumba kallashnikovi. Hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje u fokusuan kryesisht në atë të konfliktet për trafikun e drogës, si dhe atë të pronave të zonën e Shijakut. Por, pas atentatit të bërë ndaj prokurorin Arjan Ndoja dhe Landi Muharremit,. blutë e Durrësit për shkak të dyshimeve se këto dy ngjarje mund të kenë lidhje me njëra-tjetrën, shoqëruan për të marrë në pyetje Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçen.

27 GUSHT VRITET SANTIAGO MALKO

Saga kriminale do të trondiste sërish kryeqytetin. Mbrëmjen e 27 Qershorit në zonën e "Xhamllikut" ekzekutohet me breshëri plumbash Santiago Malko. Malko, një ish punonjës policie i larguar nga detyra pasi u arrestua pas një sherri për lojërat e fatit, ishte një emër jo pak i njohur për autoritetet, i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij do të dilte në skenë në Tetor të 2018, ngjarje kjo kur i plagosur mbeti miku i tij Ervis Martinaj, por u lirua për mungesë provash. I vetmi që qëndron në qeli për këtë ngjarje është Blendi Teta, dëshmia e të cilit ndihmoi hetuesit edhe më shumë për zbardhjen e vrasjes. Ndërkohë që në kërkim me vendim gjykate janë shpallur 8 persona, dy vëllezërit Leonard dhe Elis Duka, Xhoni Nica, Oltian Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Maxhaku e Dritan Agaj të gjithë nga Tirana, si dhe Fatmir Hyseni nga Vlora, i njohur ndryshe me nofkën “Doqja”. Malko dyshohet të ketë qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale, e ndërsa dyshimet e policisë janë se ai u ekzekutua për shkak të trafikut të lëndëve narkotike, borxheve të pashlyera e konflikteve mes bandave të rrezikshme.

21 SHTATOR ATENTAT MARKLEN HAKES NE NIKEL

Orët e vona të mbrëmjes të 21 Shtatorit, kur vendi ynë u prek nga një tërmet i fuqishëm, përpos gatishmërisë, policia do të angazhohej edhe me zbardhjen e atentatit të ndodhur në Nikël të Fushë-Krujës. Personna të paidentifikuar do t’i bënin atentat në derë të shtëpisë Mariglen Hakës, e ndërsa viktimë mbeti halla e tij, Shpresa Basha. Pas ngjarjes, Haka e Basha u sollën në Spitalin e Traumës në Tiranë me makinën personale nga Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, ku vetëm pak minuta më vonë, Shpresa Basha ndërroi jetë në spital, duke mos i mbijetuar plagëve të marra në trup. Në vendngjarje, policia gjeti mbi 200 gëzhoja.

Mariglen Haka cilësohet se anëtar i bandës së Niklës, i arrestuar më herët më 12 shtator të vitit 2018. Pista kryesore e atentatit ndaj tij është ajo e hakmarrjes, e ndërsa ngjarjet kriminale të njëpasnjëshme lidhen me ekzekutimin në vitin 2004 të vëllait të Mariglen Hakës, duke shkaktuar një kalvar të gjatë vrasjesh e plagosje në zonën e Fushë Krujës.

1 TETOR VRITET NE LUSHNJE BESNIK HIDA

Vrasja për shkak të përplasjeve të vjetra do të trondiste sërish qytetin e Lushnjes. Besmir Hida, një tregtar makinash pa precedentë penalë do të ekzekutohej teksa ishte duke pirë kafe i vetëm në një lokal në lagjen "Skënder Libohova". Hida është daja i Zamir Latifit, të riut që u vra aksidentalisht në 11 tetor të vitit 2017 në Lushnje, teksa shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, ngjarje kjo për të cilën janë në kërkim Laert Haxhiu e Orgest Bilbili. Edhe tre vite më parë, Hida i kishte shpëtuar një atentati me eksploziv në automjetin e tij. Pista kryesore është ajo e hakmarrjes, pasi Hida ka qenë një nga personat për të cilët është interesuar më së shumti për arrestimin e autorëve të vrasjes së nipit të tij.

10 TETOR VRITET DRITAN HAXHOLLI

Vrasja e ndodhur në Kavajë gjatë orëve të para të mëngjesit të 10 Tetorit në apartamentin e Marsida Qatjas, në pamje të parë do të dukej si një krim pasioni. Dritan Haxholli do të vritej nga shefi i sigurisë në burgun e Durrësit, Bledar Toçi. E kthyer në një ambient horror, ngjarja e ndodhur në banesën e Marsida Qatjas do t’i ngjasonte një seriali televiziv. Marsida, nënë e tre fëmijëve të mitur, bashkëshorti i së cilës ndodhej në burg në Gjermani, pas ngjarjes do të deklaronte në Dritan Haxholli kishte shkuar në banesën e saj me kallashnikovë në duar, duke e kërcënuar e i kërkuar lidhje intime, e për këtë fakt shprehej ajo, do t’i duhej të kërkonte ndihmën e mikut të saj Bledar Toçit. Dëshmitë kontradiktore të Marsidës do të vinin edhe më shumë në lëvizje prokurorisë, hetimet e së cilës u shtrinë edhe se konflikti mes Haxhollit e Toçit nuk ishte Marsida Qatjo, por dyshimet për lëndën narkotike. Në banesën e së resë, policia gjeti mbetje kokaine, fakt ky i pohuar më vonë edhe nga vetë Marsida, lëndë kjo e përdorur pak para ngjarjes në banesën e saj. Policia do të vinte në pranga dy vëllezërit Toçi, Bledarin me akuzën e vrasjes, ndërkohë që edhe vetë mbeti i plagosur, si dhe Benardin, pasi në banesë iu gjetën 7 doza kokainë.

14 DHJETOR VRITET ISH ANETARI I BANDES SE LUSHNJES

Larjet e hesapeve mes bandave kriminale do të spostoheshin sërish në Lushnje. Ish anëtari i bandës famëkeqe të këtij qyteti, Enver Boriçi do të ekzekutohej me 7 plumba pistolete me silenciator në kokë, brenda në lokalin e tij, në lagjen “Kadri Gjystri”. E vetmja pistë që po hetohet është ajo e hakmarrjes për shkak të së kaluarës së tij dhe të të vëllait, Arben Boriçit, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe i njohur si krahu i djathtë i Aldo Bares, ish kreut të bandës së Lushnjës.

21 DHJETOR ATENTAT PROKURORIT ALBERT KULIÇI

Prokurori i Vlorës Albert Kuliçi, i shtohet listës së njerëzve të Drejtësisë që sulmohen në Vlorë nga eksponentë të krimit të organizuar. Mëngjesin e 21 Dhjetorit, makina e tij “Golf 5”, do të shkatërrohej totalisht nga një shpërthim i fuqishëm tritoli. Mjeti ishte i parkuar pranë banesës me qira, ku qëndron prokurori Kuliçi në Vlorë. Atentati me lëndë plasëse dyshohet të jetë për shkak të detyrës së tij, ku ka ndjekur hetimet e një sërë dosjesh të bujshme, që lidheshin me falsifikimet e pronave dhe krimin financiar.

Dosjet e pazbardhura e që ende nuk kanë autorë të identifikuar do të vijojnë të qëndrojnë brenda sirtarëve në dyert e godinave të policisë e prokurorisë, në pritje për tu zbuluar e që drejtësia t’u vihet në vend.

E kur ajo ditë të vijë, autorët do të kapen nga Njësia Speciale kundër të “fortëve”, e cila pas trajnimeve disa mujore përgjatë 2019-ës, punën e tyre në terren pritet ta nisin së shpejti. Njësia e të fortëve, është njësia më e re elitë e Policisë Shqiptare për kapjen e personave që i janë shmangur drejtësisë.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?