SPECIALE/ 'Një copë Shqipërie ka mbetur si 30 vite më parë', eksploratorët italianë tregojnë eksperiencën në lumin Drin i Zi

7 Korrik, 11:07| Përditesimi: 7 Korrik, 11:56

  • Share

Andrea Gatti, Valentina Scaglia dhe Lorenzo Molinari janë tre italianë pasionantë pas rrjedhës së lumenjve. Ata ndodhen në Shqipëri për aventurën e radhës. Nuk është e rastësishme kjo vizitë e tyre në lumin Drin i Zi.

Andrea Gatti është zëvendës President i Federatës Italiane të Rafting. Që nga viti 2014, ekspert i jashtëm për trajnim profesional të guidave shqiptare të Rafting. Prej vitit 2016 është nënkryetar i Federatës Italiane të Rafting, atashuar pranë Komitetit Olimpik Kombëtar të Italisë dhe në korrik 2018 ka drejtuar Kampionatin Botëror të Rafting nën 23 dhe nën 19 vjeç. Ka marrë pjesë dhe ka organizuar ekspedita ndërkombëtare në Nepal, Mongoli Kamçatka, Bashkimi Sovjetik (1991), Taxhikistan dhe Uzbekistan (1992), Siberi, Rusi (1994), Dagestan, Rusi (1995), Meksikë (1996), Ekuador (1997, 1998), Irani (1999), Libani (1995 dhe 2001), Guiana Franceze (2003, 2005), India (2011), Peru (2013), Maroku (2015, 2016, 2017, 2018)

“Ne mbërritëm një javë më parë, por hera e parë që kam ardhur këtu ka qenë viti 1994.”-tregon Andrea Gatti.

Që nga viti 1994, Andrea Gatti ka kryer të gjitha eksplorimet e itineraret e lumenjve në Shqipëri.

Valentina Scaglia, natyraliste me kualifikim, ka punuar si gazetare për Alp, Itinerari & Viaggi, Natura, Acquatic Life. Ajo aktualisht shkruan për gazetat Meridiani, Meridiani Montagne, për Malet e Magjepsura (Repubblica/National Geographic) dhe për revistën zvicerane Azione. Njëherësh edhe udhëtare, prej vitesh ka ecur nëpër zona të pabanuara në Itali dhe Evropë, me kalime sfiduese në Islandë, Anadoll, Izrael, Siberi, Kanada, Bolivi. Ka testuar itinerare të pazakonta përgjatë Alpeve, Apenineve dhe brigjeve detare. I ka kushtuar shumë kohë shëtitjeve nëpër lugina të braktisura nga njeriu, qyteteve fantazma, takimit me vetmitarë të rinj, por mbi të gjitha kalimit në këmbë të atyre zonave të shkreta që kanë mbetur ende në Itali dhe jo vetëm. Udhëtimet dhe eksperiencat e saj Valentina i ka përshkruar në botimet e shumta.

Lorenzo Molinari ka lindur dhe jeton në Milano. Është shpallur disa herë kampion në sportin e kanoes.

Natyra aventureske e bën të vlerësojë izolimin në vende natyrore. Kanoe, çiklizëm, ecje dhe alpinizëm i lejojnë këto përvoja lirie. Pasioni për kanoe (instruktor FICK, ish-shtetas, mbi 60,000 km në kanoe në lumenj, dete dhe liqene anembanë botës) e shtyu të studioi historinë e saj që në zanafillë dhe të botojë veprën në katër vëllime: "Arti i vozitjes: një histori e ilustruar”, botuar në 2021-2022. Të tjerë libra të tij janë botuar ndër vite të frymëzuar nga eksplorimi i botëve të panjohura.

Për Lorenzon kjo është eksperienca e tij e parë në Shqipëri.

“Unë kam bërë kanoe që kur kam qenë 13 vjeç dhe pothuajse janë bërë 50 vjet që bëj kanoe. Kam parë e kam lundruar në lumenj të shumë vendeve të tjera. Kam qenë pjesë e nivelit të lartë të Federatës Italiane të Kanoes e Kajakut. Së bashku me Andrean dhe Valentinën kemi qenë në lumenjtë e Meksikës, Mongolisë. Por dua të nënvizoj se më ka surprizuar Shqipëria.”-tregon Lorenzo Molinari.

Ndërsa Andrea dhe Valentina rikthehen posaçërisht për të përjetuar përsëri eksperiencën në lumin Drin i Zi që për ta është ende i njëjti i 30 viteve më parë.

“Kemi ardhur në Shqipëri në vitin 1993, kanë kaluar 30 vite. Për ne ka qenë një aventurë sepse të them të drejtën nuk e dinim se çfarë do të gjenim. Kishim edhe miq tanët që na demotivonin na thonin ku do shkoni se atje është shumë e rrezikshme. Kishim akoma ato hartat e vjetra topografike të bëra nga Instituti gjeografik ushtarak Italian shumë vite më pare. Ishte një udhëtim shumë eksplorues. Kemi zbritur fillimisht në lumenjtë e jugut, sidomos në Vjosë.

Një vit më pas erdhëm në Veri, ku ishin lumenjtë pak më të vështirë sepse kishin pjerrësi më të madhe. Ishin udhëtime plot ngjarje. Gjithmonë e kam mbajtur me vete imazhin e Shqipërisë si një vend i thjeshtë, mikëpritës. Nuk dihej se si do të ecnin gjërat, lumenjtë ishin në eksplorim. Rrugët ishin të vështira, mungonte asfalti. Herë pas here shfaqeshin këto urat shumë të bukura, fshatrat prej guri. Pas kësaj nuk jam rikthyer për vite këtu në Shqipëri.”-shprehet gazetarja Valentina Scaglia.

Për tre ditë me radhë ata do të eksplorojnë lumin Drin i Zi që buron nga Liqeni i Ohrit, nga një lartësi mbidetare prej 695 m, ndërsa del nga territori i Maqedonisë së Veriut në afërsi të qytetit të Dibrës në lartësi mbidetare 476 m.

“Këtë vit, Andrea hodhi idenë se është e nevojshme të shkojmë në Drin. Sepse Drini është lumi i fundit i egër që ka mbetur në jug të Mesdheut. Dhe duhet ta eksplorojmë sepse në ajër po përflitet ndërtimi i një  pengese të madhe që më pas do ta shndrronte si një lumenjtë e tjerë shqiptare. Ndërkohë që pjesa tjetër e Shqipërisë m’u shfaq ndryshe krahasuar me 30 vite më pare. Duke ardhur këtu ndoqëm një autostradë që më parë nuk ekszistonte. Vendet janë modernizuar, njerëzit sillen më ndryshe, përdorin euro. Përkundrazi këtu dukej sikur ka mbetur një copë Shqipërie e 30 viteve më parë.”-e përshkruan rikthimin e saj gazetarja Scaglia.

Gjatësia e përgjithshme e lumit është 149 km. Pranë qytetit të Kukësit Drini i Zi bashkohet me Drinin e Bardhë duke formuar lumin e bashkuar Drini që ka derdhje në Detin Adriatik. Tjetër karakteristikë e këtij lumi është se në të rriten një numër i madh peshqish si krapi, trofta, ngjala etj.

“Ndërsa përshkon lumin ndesh këto zonat e vogla, shtëpitë në mes të lumit, që duken sikur lumi ka hapur krahët për të mbledhur banorët. Kjo është shumë e rëndësishme pasi është një vlerë e shtuar për turistët.”-tregon gazetarja italiane.

Vitet e fundit është rritur numri i vizitorëve që janë të pasionuar pas sporteve lumorë të rafting, kajak, kanoe, pakrafting, hidro spid etj. Avantazhi i Lumit Drin është se nuk përbën rrezik dhe është i lundrueshëm edhe në verë.

“Udhëtimi nuk është i rrezikshëm. Ne provuam se çfarë mund të realizohet në të. Është një lum perfekt për të gjithë turistët. Për të bërë rafting disa pjesë të lumit janë shumë të thjeshtë. Turistët mund të lundrojnë edhe me kanoe si kjo pas meje.”-thotë trajneri Andrea Gatti.

“Më pas bukuria e këtij lumi është se nuk paraqet vështirësi. Nuk është një lumë i rrezikshëm. Nëpërmjet rafting dhe guidaive është i arritshëm. Ky është një tjetër avantazh për të sepse mund të lundroni të shoqëruar pa qenë e nevojshme të jeni ekspertë të kanoes. Mjafton të kesh një udhërrëfyes të mirë, t’i besosh atij e të zbresësh nëpër lumë” shprehet Lorenzo Molinari.

Të shoqëruar edhe nga guiderë profesionistë të zonës tre italianët nisin udhëtimin e tyre të cilin e përshkruajnë me detaje në reportazhin e realizuar nga Report TV.

“Mendoj se turistët vijnë këtu për të parë atë që nuk e kanë në vendin e tyre. Ky është një lum i egër. Lumenjtë e egër në Evropë nuk ekzistojnë më, ne kemi edhe rastin e Vjosës që tanimë është bërë Park Kombëtar dhe të gjithë turistët shkojnë aty. Me siguri ky do jetë edhe objektivi ynë i ardhshëm.”-thotë Andrea Gatti.

“Pa shkuar shumë larg, në Mongoli, në Patagonia, përshko Adriatikun dhe ke një botë për të zbuluar. Lumenj të mrekullueshëm, të pa kontaminuar me nivel uji të kanqshëm. Për të shijuar këto lëndina e grykë që janë unike në Evropë për mendimin tim dhe ndër më të bukurat në botë. Meritojnë që të vijnë sportistë të kanoes nga e gjithë bota për ta shijuar këtë mrekulli.” -sugjeron Lorenzo Molinari.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?