45-vjet pas pushkatimit të dy poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka nga regjimi Komunist, në Bërzeshtë të Librazhdit kulla e Blloshmëve qëndron ende në këmbë, si një shenjë qëndrese goditjeve fatale që regjimi i dha kësaj familje.
Në këtë shtëpi që sot ngjan e rrënuar, në vitet ’70 janë shkruar qindra vargje nga një poet i veçantë, që fatin do ta kishte të trishtë. Vilson Blloshmi do të jetonte e krijonte në këtë dhomë të kullës fisnike të Blloshmëve deri në gusht të 1976, kur regjimi komunist do ta arrestonte dhe pas muajve të tmerrshme hetuesie do ta dënonte me vdekje dhe do ta pushkatonte së bashku me poetin Genc Leka, më 17 korrik 1977.
Kanë kaluar 45 vjet nga dita fatale kur u pushkatuan dy poetët e Berzeshtës Vilson Blloshmi dhe Genc leka, sinonimi më i pastër i qëndresës kundër regjimit komunist.
Një grup shkrimtarësh, poetësh, studiuesish, gazetarësh, dhe përfaqësues të shoqërisë civile, do të nisnin një udhëtim pelegrinazhi që do të kulmonte me një takim përkujtimor në shtëpinë e lindjes së poetit Vilson Blloshmi. Ndalesa e parë do të bëhej në Librazhd pranë monumentit të dy poetëve të pushkatuar.
“Është një monument madhështor krijuar nga skulptori Sadik Spahija, që më ngjall emocione të veçanta. Ata u pushkatuan një ditë të diele si sot, pa asnjë faj”, thotë Bedri Blloshmi.
Në takimin e organizuar në shtëpinë e poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi, të pranishmit floën për vlerat e poezisë së dy poetëve, për drejtësinë e munguar, dhe nevojën për ta kthyer në muze shtëpinë e braktisur prej 45 vitesh.
Poeti dhe studiuesi Sadik Bejko, i cili edhe ka përgatitur për botim veprën e plotë të dy poetëve të pushkatuar tha se ta ishin poetë me ndjeshmëri të lartë poetike, ndërsa kulla e Blloshmëve që qëndron ende në këmbë stoike është tregues i qëndresës së gjithë burrave të këtij fisi e sidomos Vilson Blloshmit.
Por sa kohë do të qëndrojë në këmbë kjo shtëpi me vlera të rralla historike? Bedri Blloshmi, vëllai i poetit, nuk i resht, prej 30 vitesh, përpjekjet e tij për përkujtimin e dy poetëve të pushkatuar, për botimin dhe popullarizimin sa më të gjerë të jetës dhe veprës së tyre. Sfida e tij e radhës është ta shpëtojë këtë kullë e ta kthejë në muze për dy poetët e pushkatuar