SPECIALE/ Rasti Ismail Kadare në Francë, a ishte shkrimtari disident gjatë diktaturës komuniste

14 Shkurt 2022, 20:37| Përditesimi: 14 Shkurt 2022, 22:15

  • Share

“Qysh tek veprat e tij të para “Gjenerali i ushtrisë së vdekur dhe “Përbindëshi”, autori u bën bisht parimeve të realizmit socialist…. ”Jean- Paul Champseix-studiues.

“Nuk dua të them që Ismail Kadareja ka qenë një shkrimtar militant, që përkundër realizmit socialist ka shkruar realizëm antisocialist ose antikomunist…” Bashkim Shehu-shkrimtar

Debatet nga Franca në Shqipëri e deri në kupolën e lartë të akademisë suedeze të Nobelit vijojnë prej dekadash për çështjen e disidencës së shkrimtarit Ismail Kadare dhe lidhjen e tij me diktaturën.

Janë krijuar shpesh situata artificiale dhe anatemuese për shkrimtarin, i cili sot lexohet në mbi 50 gjuhë të botës, ndërsa nisi të bëhej i famshëm në Francë në vitet ‘60 me veprën madhore “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ku ishte ende një shkrimtar i ri në Shqipërinë komuniste. 

“Mënyra sesi pritet vepra letrare varet njëkohësisht nga njohja që ka lexuesi për epokën e autorit. Natyrisht që nuk e lexojmë Homerin në të njëjtën mënyrë si antikët, ose për t’iu referuar një kohe më të afërt me ne, nuk e lexojmë aspak Molierin si në shekullin e XVII. Tartufi dhe Don Zhuani shkaktonin në kohën e tyre një skandal absolut, aq sa edhe Luigji i XIV i cili e shihte me sy të mirë Molierin, nuk ia dilte ta mbështeste dot autorin tërësisht.”, thotë studiuesi francez Jean- Paul Champseix

Çështjes “A është shkrimtari Ismail Kadare disident?, akademikët shqiptarë i japin këtë përgjigje:

“Meritat letrare të Ismail Kadaresë janë një e të pandashme: ato i takojnë ekskluzivisht autorësisë vetjake. Ka shumë pretendues për të marrë merita prej veprës së Ismail Kadaresë, por e vetmja që mund të ketë pjesë në këto merita është gjuha amtare e shkrimtarit, gjuha shqipe; por nuk mund të harrojmë që ishte gjuha frënge ajo që bëri që vepra e tij të kalojë kufirin e gjuhës dhe të shpallet botërisht si vlerë letrare dhe estetike europiane e botërore. Kjo vepër jep dhe do t’i japë fuqimisht zë europianizimit të mendimit shqiptar.

Kadare ka qenë dhe mbetet një shkrimtar pa kornizë, që ka menduar më shumë për të ardhmen e lexuesve të letërsisë së tij se për sjelljen me sistemet politike. Për kushtet dhe rrethanat në të cilat shkroi Ismail Kadare, disidenca ideologjike, e ilustruar prej studiuesve me vepra të tilla si Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave apo Koncert në fund të dimrit, nuk përbën ndonjë faktor me rëndësi parësore. Për shkrimtarin e vërtetë disidenca letrare është akt më i lartë se disidenca ideologjike, sepse disidenca letrare u jep liri edhe lexuesve. Disidenca letrare, prishja e kanonit të realizmit socialist, dalja prej disiplinës estetike, që është edhe tezë themelore në studimin e Jean-Paul Champseix, i bëjnë nder veprës së tij si dëshmuese të lirisë së brendshme dhe si provë e refuzimit të estetikës zyrtare.”, tha akademik Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave.

Duke iu shkaktuar shumë vetëve, jo pak habi, disidencën e tij e konfirmon edhe shkrimtari e përkthyesi Bashkim Shehu, djali i numrit dy të diktaturës, ish kryeministrit Mehmet Shehu, i dënuar më pas nga Enver Hoxha

Studiuesi dhe profesori francez i letërsisë Jean- Paul Champseix që botoi në Francë veprën “Ismail Kadare: një disidencë letrare” erdhi në Tiranë këtë fund janari për ditëlindjen e Ismail Kadaresë.

Vepra e Champseix e përkthyer në shqip nga Irena Rambi e Bashkim Shehu u promovua më 28 janar, në 86-vjetorin e lindjes së shkrimtarit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Kjo vepër u nominua nga Akademia për çmimin “Mayer- Pederesen- Jokly”

Champseix ka jetuar disa vite si profesor në Shqipëri gjatë kohës së diktaturës, një periudhë kur nuk ishte e lehtë për askënd:

Duke jetuar në Shqipëri nga viti 1986 deri 1989, Champseix u njoh me kontekstin e veprave të Kadaresë.

“Trishtimi dimëror, mungesa e heronjve me të cilët mund të identifikohesh, fundet fatkeqe të ngjarjeve nuk janë aspak në përputhje me realizmin socialist. Aty mungojnë krejt fryma e partisë, fuqia e progresit shoqëror, entuziazmi kolektiv dhe uniteti i çeliktë parti-popull. Sundimi i botës është i pamundur dhe bota është e mjegullt. Po ashtu, nuk gjendet një rrëfimtar i mirëpërcaktuar që dikton fjalën e duhur dhe mvesh një rol pedagogjik të qartë për të mënjanuar dialogjizmat parazitare.  Paralelisht me këto, vija re edhe elementet subversivë, sepse ndërkohë e njihja natyrën e regjimit të Enver Hoxhës dhe egërsinë e tij totalitare.  E dija që herë pas here Shqipëria kishte momente hapjeje, por ato ndiqeshin nga periudha shtrëngimi e spastrimesh, me të cilat me hir a me pahir, shkrimtarët duhet të jetonin. Në këto kushte, ishte thuajse e pamundur të mënjanoje “vonesat” në botime. P.sh Kadare e botoi “Dimrin e madh” në një moment të keq, më 1972. Kurse “Aksidentin” apo vrasjen e Lin Biaos në Mongoli në romanin e tij “Koncerti”, pak kohë përpara zhdukjes së Mehmet Shehut.

Te “Kamarja e turpit”, nëpërmjet Ali Pashait që ndërpret marrëdhëniet me perandorinë osmane, mund të shohim një dublant të Enverit i cili bëri ndarjen nga Sovjetikët. Kritikat që i bëhen Ali Pashait vlejnë për Hoxhën pikë për pikë : pabesia, politika arbitrare e terrorit, shoqëruar me deportime dhe ekzekutime, si dhe vullneti për pavarësi që i shërben më tepër pushtetit të tij vetjak sesa lirive që i jepen Shqipërisë.

Po ashtu, edhe pseudo- perandoria osmane që i shërben si kornizë disa romaneve, na kujton Shqipërinë bashkëkohore dhe totalitarizmin e saj. Tek “Kamarja e turpit”, politika e Kra-Kra-së që synon shkombëtarizimin e vendit, ngjan me të vërtetë me revolucionin kulturor. Në romanin Pallati i ëndrrave, zyrë që përfaqëson policinë e ëndrrave që mbledh, analizon e ëndrrat e banorëve të perandorisë për të qëmtuar komplotet qysh në vezë, natyrisht që nuk ka ekzistuar. Tek “Muzgu i perëndive të stepës”, kritika ndaj realizmit socialist sovjetik i kushtohet po ashtu edhe dogmave shqiptare që zbatonin të njëjtat parime. Kështu, autori diti të përfitojë me zotësi nga shkëputjet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën për të përvijëzuar një kritikë krejt të qartë, sepse duke fshikulluar modelet e mëdha të së djeshmes, denonconte sistemin shqiptar që ishte një kopje e përpiktë e tyre.”

Pas shumë vitesh me një fill përbashkues mes studimit origjinal dhe zërave të njohur të kritikës botërore  Jean Paul Ch. sot është i sigurt për vendin që zë shkrimtari ynë i madh në letërsinë dhe kulturën botërore, por edhe në vendin e tij.

 “Periudhat ndryshojnë, po ashtu edhe tematikat. E shohim aktualisht se si problemet shoqërore dhe politike po zëvendësohen me tematika të tjera shoqërore, seksuale, fetare dhe komunitare. Kështu që memorja e së shkuarës fshihet pak nga pak, madje më shpejt se ç’mund të mendohet.

Nganjëherë ndryshimet epokale bëjnë që edhe autorë shumë të shquar thuajse harrohen krejt. Si p.sh në Francë, François Mauriac, Georges Bernanos, madje edhe Paul Claudel, nuk lexohen më fare për arsye se tema e kristianizmit, megjithëse nuk është zhdukur, është fshirë në sytë e lexuesve. Megjithëse duhet saktësuar se kjo mund të ndodhë vetëm për një farë kohe dhe sërish të ndryshojë.

Për Kadarenë, rreziku nuk është shumë i madh sepse megjithëse unë jam munduar ta kontekstualizoj atë në periudhën e vet historike, vepra del nga kjo kornizë në sajë të cilësive të saj. Sepse me të vërtetë, Kadare ka shkruar kundër një regjimi në një periudhë të caktuar, por letërsia e tij ka burime të tjera. Me të vërtetë, veprat e tij mund të lexohen shumë mirë pa e ditur kontekstin dhe kështu do të ndodhë. Epoka e Enver Hoxhës, mbi të cilën unë kam punuar për të bërë një lexim historik, sa më shumë kalon koha, aq më shumë do të largohet. Ky është fati i të gjitha shkrimeve, të cilat, pak nga pak, dekontekstualizohen. Vepra shkëputet nga konteksti, dhe pikërisht këtë Malraux-ja e quan Metamorfoza. Kështu, vepra merr kuptime të tjera të dhëna nga vështrime të reja që autori ndoshta nuk i kish menduar. Në këtë kuptim, vepra largohet përherë e më shumë nga autori.… Vepra e Kadaresë ka krijuar një të tërë koherente që Éric Faye e ka quajtur “la Kadarie” (Kadaria). Kjo botë është thellësisht shqiptare me një shtresëzim të substratit që ka në bazë legjendat dhe mitet.  Na takon ne si studiues ta bëjmë këtë, ashtu si studiuesit irlandezë tek Dosja H që hulumtojnë mbi Homerin.”

Sot flitet ende për rastin Kadare në Francë.

“Duke qenë i izoluar dhe francez, druhesha se mos po zhytesha në delirin e interpretimit… Në Paris, kritika ishte e polarizuar por e largët : askush nuk e njihte përnjëmend Shqipërinë. Qysh në fillim, në Francë, sa më shumë që rritej suksesi i Kadaresë, aq më konstroversial bëhej ai. Jo rrallë, debati politik dhe moral vendosej përpara interesit letrar të veprës. Madje flitej për “rastin Kadare”. Disa shihnin tek ai një kolonë mbështetëse të regjimit, një mall eksporti ose dëshminë se regjimi ishte liberal. Njeri nga kritikët më të ashpër në fillim të viteve 2000, qe eseisti  Bernard-Henri Lévy,i cili sulmoi ashpër duke pohuar se shkrimtari nuk kish se si ta ndërtonte veprën e tij pa u kompromentuar me regjimin. Në të kundërt, të tjerë kritikë si psh Éric Faye, Gilles Lapouge si dhe poeti Alain Bosquet shpreheshin me shumë admirim.”- shprehet Jean-Paul Champseix.

Si mundej që vepra e Kadaresë të shmangej nga normat e realizmit socialist?!!!

“Për fat të mirë, unë kisha në dispozicion disa të dhëna më të forta. Disa nga studentët e mi, më flisnin me nota tepër pozitive për Kadarenë dhe guxonin të flisnin, pa shumë insistim gjithsesi, mbi anën kontestuese të veprës. Njëri syresh më pati thënë një herë, me shaka : “ Kadareja është elastik, ai e merr gjithmonë formën e vet. ! “ Me këto kuptoja se lexuesit mezi i prisnin veprat e Kadaresë dhe të lexonin mes rreshtave, çka dëshmonte për karakterin subversiv të veprës. Më vonë, pasi regjimi ra, një ish studenti im më tha se “Pallati i ëndrrave” i ishte dukur si një “bombë” dhe se ai dhe miqtë e tij, kishin ndjerë në atë kohë një entuziazëm të madh.” tregon studiuesi Jean-Paul Champseix.

Në diktaturë nuk lejoheshin nënkuptime tekstesh që ishin shmangie nga norma e dogmës, pse ndodhi kjo me Kadarenë

“Në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Ramiz Alia në fjalimin e tij të 21 marsit 1982, duke pasur parasysh Kadarenë, pohonte se arti socialist nuk i njihte dukuritë si: “Mungesa e qartësisë dhe dykuptimshmëria, mospërkitja klasore, kërkimet formaliste dhe teknikat moderniste, që në thelb janë mbartëse të ideologjive të huaja e asaj”

Më tej, lexova aktakuzën e Dritëro Agollit pas botimit të Pashallarëve të kuq, e cila rreshtonte në dhjetë faqe të gjitha kritikat “I. Kadaré ka predispozita ndaj ndikimeve, si të thuash, i tërheq ato.[…] Atij i mungon fryma e partisë,. Nganjëherë përshkrimet e tij të botës shqiptare duken sikur kanë dalë nga penda e ndonjë turisti të huaj. Përse ? Sepse kuptimi i tij i artit është ai i një liberali. Ai beson se heroi pozitiv e prish artin, e kthen atë në një vegël të propagandës, dhe e kthen në parullë të ditës..”

Së fundmi, mbërriti vepra e zotit Shaban Sinani, i cili më qetësoi dhe më inkurajoi. Edhe dyshimet e mia të fundit u fshinë, më në veçanti kur lexova raportin e Nexhmije Hoxhës mbi “ Dimrin e vetmisë së madhe”. Ajo e kish kuptuar mirë se Kadareja e kishte bërë Enverin të shfaqej përmes “spekulimeve filozofike dhe fjalive me dy kuptime”, dhe i konsideron pikërisht ato pasazhe të tepërta. Gjithashtu mendoj se do të ishte mirë të dihej, por ndoshta kjo është bërë tashmë nëpër studime, sesi është interpretuar Kadareja nga lexuesit shqiptarë në kohën e Hoxhës. P.sh zoti Ylljet Aliçka më ka pohuar se leximi i disa pjesëve të “Dimrit të madh” e ka ndikuar në emancipimin e tij letrar.” - shprehet studiuesi francez Jean-Paul Champseix.

Kundërshtarëve për disidencën e Kadaresë, ngulin këmbë se nëse Kadareja nuk do ta kishte mik diktatorin, do të ishte në burg….

Bashkim Shehu, të cilit Hoxha nuk i kurseu as të atit, dëshmon të kundërtën.

“Si shpjegohet që një letërsi e tillë ka ekzistuar në një regjim totalitar stalinist. Shpjegimet janë të shumta. Një mund të jetë frika e Enver Hoxhës, ngaqë Kadare ishte i njohur në Francë, frika e Enver Hoxhës se duke dënuar Kadarenë do krijonte një Solzhenitsyn shqiptar dhe artistikisht më të fuqishëm se Solzhenitsyn. Veç asaj ka qenë edhe një dëshirë e Enver Hoxhës që ky shkrimtar i madh t’i skaliste monumentin, gjë që nuk ndodhi” -tha Bashkim Shehu.

Të gjithë kanë pritur ndoshta nga Ismail Kadare që të ishte një disident politik, por…..

 “Është me të vërtetë mbresëlënëse të konstatosh se vepra e Kadaresë ka dy anë : një anë shumë të kontekstualizuar nën regjimin e Enver Hoxhës dhe një tjetër e cila i shkëputet së parës dhe ia del të imponohet ashtu siç është. Prandaj edhe suksesi i tij shpjegohet nga njëra anë, sepse lexohet nga lexues që kanë njohuri politike, dhe nga ana tjetër, lexues më të shumtë në numër që nuk kanë ndonjë njohuri të veçantë për Shqipërinë.

Titulli që u zgjodh tingëlloi më eksplicit. Në një farë mënyre, unë doja të pozicionohesha si një person që ishte i ndjeshëm ndaj luftës së Kadaresë, i cili ka vërtet kënaqësinë se ka krijuar një “kundër-këngë funebër” përballë propagandës mashtruese staliniane, vlerëson në të njëjtën kohë se vepra e tij u “dëmtua rëndë” nga kufizimet e tiranisë. Dhe, më 2016, në lidhje me punën e tij si shkrimtar Kadareja thotë: “Nuk po them se më bëri mirë, por po aq nuk guxoj të them se më bëri keq”. –tregon studiuesi Jean-Paul Champseix

Veprat dhe autorët e mëdhenj të parë në kontekstin shtypës të diktaturave vihen gjithmonë në qendër të debateve letrare, ndonjëherë edhe goditen me gurë, por asnjë studiues skrupuloz që njeh zejen e shkrimtarisë nuk mund të mohojë vlerat. Disidente apo jo, vepra e Kadaresë ka hyrë tashmë në panteonin e letërsisë botërore.  

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?