Politikë
Speciale

SPECIALE E REPORT TV/ Fushata e Berishës, e nisi si Trump, e mbylli si Biden! Gafat, LaCivita e lobimi (VIDEO)

9 Maj, 11:27| Përditesimi: 9 Maj, 12:19

  • Share

E frymëzuar nga fitorja presidenciale e Donald Trump, Partia Demokratike nisi fushatën 30 ditore të saj nën një premtim: Për ta bërë Shqipërinë Madhështore sërish.

Për këtë, hapi i parë i demokratëve ishte blerja e konsulentit të Presidentit amerikan Trump, Chris Lacivita, për të cilin premtoi të ishte arkitekt i fitores së saj.

Por, në fakt LaCivita qëndroi shumë pak ditë pranë fushatës së demokratëve. Shpejt, ai e braktisi selinë blu, ndërsa fushatën e saj e ndoqi në distancë.

Nën sugjerimin e konsulentit amerikan, fushata u përqendrua te programi, të cilit Sali Berisha i vuri vetëm fytyrën e tij.

Kandidatët u panë shumë pak, vetëm në ato raste kur shërbyen si dekor të liderit të tyre në mitingje.

Ndonjëherë, programi i tij për ta bërë Shqipërinë Madhështore, shkaktoi jo pak habi edhe te vetë qytetarët.

Për të ardhur ndryshe, jo si një figurë e konsumuar e politikës, ai u përpoq të freskonte pamjen e tij me një imazh të ri, por sërish nën gjurmët e presidentit amerikan Trump, me kapele me numrin 1.

Por rrugës, fushata e Sali Berishës, nisi t’i përngjajë më shumë  asaj të Joe Biden-it, se sa të Trump-it: gafa të njëpasnjëshme, të cilat bënë edhe xhiron e rrjeteve sociale.

Në përpjekjen për të dëshmuar forcë dhe siguri, ai kërkoi në mënyrë të përsëritur një përballje publike, me Ramën.

Ftesat u refuzuan me injorimin e tyre, ndërsa Rama nuk linte rast pa vënë në pah gafat që shoqëronin Berishën.

Ndërsa debati me Ramën, mbeti thjesht në distancë

Nga Amerika, Chris Lacivita nuk qe i vetmi lajm i PD-së në 30 ditëshin e fundit të zgjedhjeve. Në mes të saj, fushata u trondit edhe nga publikimi i një kontrate lobimi që selia blu kishte lidhur në SHBA, më një vlerë 6 milionë dollarë. Berisha nuk dha kurrë një përgjigje bindëse për burimin e parave.

“Është gjithçka në përputhje me ligjin”, shprehej ai.

Afrimi i datës së zgjedhjeve u shoqërua nga një ashpërsim i gjuhës së kryedemokratit. Strategjia e ditëve të fundit i diktoi paralajmërime të drejtpërdrejta ndaj Edi Ramës.

“Edi Rama, jam betuar para Ismail Qemalit se do të marrësh atë që meriton”, do të shprehej kreu i PD-së.

Ndërsa disa nga kandidatët e tij përfshinë në konflikte apo akte dhune: Xhelal Mziu në Bulqizë me përfaqësues lokalë të PS-së, Bledion Nallbati në Devoll, i cili së bashku me vëllain goditën një shoferi kamioni e deri te kërcënimi për përgjakje të fushatës njëjtë si në 2021.

Në 30 ditë të fushatës së tij, Berisha pati rreth 80 takime mes të cilave disa në diasporë, nga e cila pret mbështetje të lartë.

G.M./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, si ju është dukur fushata zgjedhore?