Politikë
Speciale

Speciale/ Report Tv një ditë fushate me kandidaten e PD, Jorida Tabaku! Çfarë kërkojnë qytetarët, të papriturat e “tureve” (VIDEO)

16 Prill, 11:29| Përditesimi: 16 Prill, 12:59

  • Share

Fushata elektorale ka nisur zyrtarisht. Partitë politike kanë zbritur në terren. Report Tv ndoqi nga mëngjesi në mbrëmje, fushatën e kandidates demokrate Jorida Tabaku e cila në këto zgjedhje kandidon në listë të hapur, që do të thotë se duhet të bëjë fushatë jo vetëm për partinë, por edhe për të grumbulluar vota preferenciale në mënyrë që të sigurojë një mandat të radhës në Kuvend. 

Në orët e paradites, Tabakun e gjejmë në zonën e Pazarit të Ri, duke takuar qytetarët. Deputetja demokrate rrjedh nga një familje tiranase e ky fakt ndihet në takimet e saj në zonat e vjetra të kryeqytetit.

Gazetarja: Zonja Tabaku, si nis një ditë takimesh? Si përcaktohet axhenda e takimeve?

Tabaku: Unë jam duke bërë fushatë në dy zona gjeografike, në degën 2 dhe në degën 12, këtu është fokusi kryesor i takimeve, dhe më pas edhe në të gjithë Tiranën nëse ka interes.

Gazetarja: Cila është kërkesa kryesore me të cilën haseni gjatë takimeve tuaja?

Tabaku: Varet nga zonat e ndryshme, legalizimi, infrastruktura, në një Tiranë të 2025 që thuhet se në 2030 do të futemi në BE, njerëzit kërkojnë gjëra bazike, kërkojnë ujë dhe rrugë. Ky është realiteti i vërtetë përtej propoagandës. Tjetra lidhet me ekonominë dhe kërkesa e tretë me punësimin.

Jorida Tabaku, që në vitin 2021 mori 5942 vota dhe në primaret brenda partisë rreth 600 vota duke u renditur gruaja më e votuar në Tiranë, thotë se kandidimin në listë të hapur e ka marrë si sfidë të re, që ka shtuar energjitë për të takuar dhe shtrënguar dorën me këdo. 

Gazetarja: Fakti që jeni në listë të hapur, çfarë do të thotë për ju? Ishte zhgënjim, është sfidë?

Tabaku: Është sigurisht një sfidë që e kam marrë me sportivitet, një betejë e re, një lloj ndryshe sfide në karrierën time politike që jam e sigurt që do ta coj deri në fund.

Por a ndihet ende përçarja brenda demokratëve në takimet e kësaj fushate?

Tabaku: Pjesa më e madhe e PD është e bashkuar, sigurisht që në mënyrë sporadike kanë dalë kandidatë të tjerë që synojnë të marrin, të hanë e të gërricin nga votat e demokratëve, por këtu duhet të kemi parasysh interesin e shqiptarëve.

Gazetarja: PD shkon me alternativë Sali Berishën, sa ndikon kjo te qytetarët, hasni refuzim të tyre, e shprehin ata që mbase duhet një alternativë e re, një figurë e re për kandidat për kryeministër?  

Tabaku: Ti më ke ndjekur në takime, nuk ka pasur raste që është ngritur si shqetësim. Javën e kaluar ishte një qytetare që po më thoshte që do bëhesh pjesë e llumit. I referohej parlamentit, i referohej politikës në përgjithësi. Ka edhe njerëz që jo gjithmonë na mbështesin, ne si pëlqejmë dot të gjithëve. Secili ka të metat dhe avantazhet e veta, nëse ka qytetarë që janë të mërzitur dhe thonë që në parlament vetëm zihen, unë i them më voto mua, jam përpjekur të jem një zë ndryshe.

Destinacioni i radhës është Sauku, që i përket njësisë 2 të kryeqytetit. Aty Partia Demokratike në zgjedhjet e fundit mori 14 mijë e 319 vota, rreth 3000 më pak se socialistët.

Fokusi i takimeve këtu do jenë bizneset.

“Shpresoj të kem mbështetjen tuaj, unë këtë herë jam në listë të hapur, votohem drejtpërdrejtë” thotë Tabaku.

Por në fushata ka edhe të papritura. Jo çdo njeri që takon, ka kërkesa. Ka dhe nga ata që janë të gatshëm të ofrojnë gjithçka, në këmbim të fitores së partisë që mbështesin.

“Ja ku i kam 5 milionë, atë ditë që do numërohen votat do i shpërndaj, komunistët do i deh” thotë ky qytetar që ndërhyn në bisedë.

Gazetarja: A është e lehtë që të takosh e t’i ndalosh njerëzit?

Tabaku: Jo gjithmonë është e lehtë, në biznese kanë frikë se i shkojnë tatimet pasi takohen me përfaqësuesit e PD, presioni nga njerëzit e PS.

Por, ka edhe kërkesa të këtij lloji:

“Na ndihmoni të shkarkojmë ndonjë arkë”, thotë një qytetar. "Kisha shkarkuar por dola me gurë në veshka, nuk mbaj dot asgjë", përgjigjet Tabaku.

Fushata këtë herë ka edhe specifikat e veta. Lufta brenda llojit është më e ashpër, pasi një votë më shumë se kandidatët e tjerë të së njëjtës listë mjafton për t’i marrë vendin në parlament.

Gazetarja: Arrita të shquaj edhe pak më herët një tjetër kandidate të PD që është në listë të hapur, sa e vështirë është të gjendet balanca edhe me kandidatët e tjerë të së njëjtës listë që bëjnë fushatë?

Tabaku: Sigurisht që secili prej nesh bën së pari fushatë për PD-në e më pas edhe për veten, për votën preferenciale, kemi dalë si ekip dhe fokus kryesor është vota për partinë dhe brenda kësaj secili prej nesh ka edhe elektoratin e vet“

Takimet me biznesin ia lënë vendin atyre derë më derë në zonën e Senatoriumit. Edhe aty ku dera nuk hapet, ka një mënyrë për t’i lënë fletëpalosjen me emrin e saj.

Pas një turi të gjatë takimesh, mbrëmja i përket të rinjve. Një ndeshje volejbolli përdoret si taktikë për të lidhur më shumë ekipin dhe për të përforcuar punën në grup.

Gazetarja: Cila duhet të jetë fryma e grupit dhe strategjia që duhet të ketë një ekip për të qenë fitues?

Tabaku: Fryma e grupit, bashkëpunimi, mbështetja për njëri tjetrin, nis që nga këtu për të vijuar në karrierën politike.

Gjatë bisedës, deputetja demokrate na zbulon edhe se cili do të jetë slogani i fushatës së saj.

“Unë të dëgjoj ty, unë flas për ty, zëri yt më jep forcë“

Në fund edhe një bisedë përtej politikanes.

Gazetarja: Mami e 3 fëmijëve, si ia dilni që ata të mos e ndjejnë mungesën?

Tabaku: Sot kam folur dy herë me video, nuk ia kam dalë që t’i takoj. Ata sot kanë qenë më babin gjatë gjithë kohës, përpiqem në darkë para se ata të flenë t’i takoj, përndryshe zgjohem herët në mëngjes, çdo fundjavë i gatuaj petulla, e njerëzit pyesin vetëm për fushatë i gatuani? Por jo, ashtu është çdo fundjavë e jona. Fëmijët kanë qenë një motivim shumë i madh dhe më kanë dhënë një energji të madhe që kur kanë ardhur në jetë.

G.M./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shqiptari i Shqiperise: 16/04/2025 17:49

    “Jepni voten Jorides se duket si goce e mire”. Ky eshte fjale zemre qe shpreh qytetari. Kjo eshte nje nje moto per votuesit dhe egziston ne shpirtrat dhe shpresat e shqiptarve kudo s i ne Vicidol, Tropoje, ne Himare e Konispol, ne Shqiptaret e diaspores, por kete shans me Kodin Zgjedhor e ka Tirana. Te vendosur, te pavendosur ne Tirane e kodo vendosni dhe ju nje tulle per Shqiperine e Shenjte. Rrofte Shqiperia.

    Përgjigju
  • Qytetari: 16/04/2025 13:54

    Beni kujdes te gjithe ju te pavendosurit qe po mendoni ti jepni voten Jorides se duket si goce e mire. Cdo vote per Joriden shkon per kriminelin Viçidoljan Sali Tyrannus Berisha.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?