Lulzim Basha që drejtoi për 3 mandate PD, por nuk pati asnjë fitore elektorale, më 11 maj kërkon të provojë që është ende faktor politik, e pasi humbi vulën e PD, këtë herë me një alternativë të re, atë të Koalicionit Euroatlantik.
Ish kryedemokrati e nis herët një ditë fushate. Të parët që takojmë janë të rinjtë. Jo më kot ka zgjedhur ata: Të rinjtë thotë Basha janë frymëzimi i kësaj fushate.
“Për marshalla dukeni, o Fred të shkëlqekan sytë, ke bërë palestër këto 2 javë më thanë, hip e zbrit maleve. Si po shkon fushata?”
Takimi i radhës do të jetë në njësinë 8, ajo që njihet si zona e kreut të koalicionit euro-atlantik, një lagje që nuk e ka humbur ende identitetin e Tironës së dikurshme.
Sa herë zhvillon takime në këtë zonë, kujton shtëpinë ku është rritur, pranë gjimnazit “Partizani”.
“Këtu ka qenë një furrë” kujton Basha. “Gjithë lagjia vinte luante në oborrin tonë se ishte oborri më i madh.”-shton ai.
“Kam kujtime të lumtura nga këtu, kryesorja dashuria e prindërve e të afërmve, jo vetëm nuk ka munguar po ka qenë me bëllëk, dhe pavarësisht prej deprivimeve të kohës, ajo që është gdhendur te përjetimet është dashuria me të cilën je rritur.”
“Luanim futboll me topat e vegjël që ishin asokohe, vendosnim gurë për porta.”
Këtu Lulzim Basha do të zhvillojë një takim me një familje të vjetër Tiranase.
“Gjoja do pinim një kafe të qetë, u bë kallaballëk”
Ky është momenti, kur Lulzim Basha zhvesh kostumin e politikanit dhe vesh atë të çunit të lagjes. Biseda ka një trajtë komplet tjetër nga ajo që jemi mësuar të shohim në ekrane: pa përmbajtje thellësisht politike e të mbushura me premtime elektorale.
“Pensionistit shqiptar nuk i ngelen lek për bukën e gojës, ilaçe, korent, si ngelet asnjë lek. Sepse o lekët ke shokët ke 313, ose ke pensionet.”
Më tej, ndalesa të shkurtra në dy skaje të qendrës. Fillimisht Bathore, ku do të zhvillojë një takim në zyrën e kandidatit të tij Shemsi Premci.
“Me programin tonë politikat sociale janë aty, janë të kushtueshme, por të realizueshme sepse ne do t’i heqim lekët nga xhepat e shokëve të Ramës, e do tua kthejmë shqiptarëve”-u premton Basha disa banorëve aty.
Më tej ndalemi te një fermer në zonën e Baldushkut. Gjer atje, rruga është e mundimshme, por kreu i demokratëve euroatlantikë, kërkon t’ia shpjegojë nga afër programin e tij për bujqësinë.
“Pa luftu korrupsionin nuk sheh një ditë të bardhë as fermeri as njeri tjetër në Shqipëri. Duhet të ulim apo zerojmë koston e proceseve të punës, që nga fara, fidanët, plehrat, pesticidet, që djersën tënde ta kthesh në të ardhura për të jetuar me dinjitet” i shpregon kreu i demokratëve euro-atlantikë fermerit.
Fushata e tij mori vëmendje të pazakontë pas replikave me kryeministrin Edi Rama.
Videot e tij virale kanë bërë jehonë jo vetëm në Tiranë ku është kandidat për deputet, por edhe në Elbasan.
Në takimin e radhës që ka, Lulzim Basha në tregun e Elbasanit has shumë nga ata që e kanë mësuar përmendësh kryemesazhin e fushatës së tij.
Tentojmë t’i shkëpusim disa përgjigje mbi atë që la pas: PD-në. Bashkë me të edhe shumë shokë betejash.
“Jam me fat që kam në krah këto njerëz që kanë qëndruar për vlerat, jo për interesat. kjo as ska të krahasuar me ata që janë në një listë me elvis roshin e ilir metën”
Pasditja do t’i dedikohet strukturave. Një sërë takimesh janë parashikuar për prezantimin e kandidatëve.
Kjo është një nga zyrat elektorale. Në këto mjedise, syri i mediave, arrin të depërtojë shumë pak. Hartimi i strategjive, axhendave e deri te sondazhet e brendshme janë diskutime që bëhet deri në trajtat e sekreteve që duhet të mbesin brenda katër mureve të shtabeve.
Në çdo takim që përfundon, nuk harron mesazhin për Edi Ramën.
“Ai pyet ku je, ja ku jam, ti ku je? Po shokët ku i ke”
Dita po mbyllet me rreth 10 takime.
Pa muzikën e Unikatilit në sfond, por me automjetin prej të cilit shumë video adresohen ndaj Edi Ramës, zhvillohet biseda e fundit, ku rezervon mesazhe për kundërshtarët e tij politikë në zgjedhjet e 11 majit.
“Vetëm pse Rama ka bërë punët e gabuara i ka shumicën e shokëve ke 313 Berisha? Shok i vet është, e ka marrë në patronazh Edi Rama.. Me Ilir Metën?Me të, ka punë drejtësia”
Komente
