Në një kohë kur si pothuajse gjithçka në ditët e sotme edhe dasmat kërkojnë dukjen perfekte me filmime droni e detaje petalesh, në zemër të malësisë së Hasit në verilindje të Shqipërisë, u ringjall një dasmë e munguar në katër dekadat e fundit.
Kjo është “Dasma hasjane” me ceremonialin e saj të ruajtur ndër breza.
Në filmimet e viteve ’30- ‘40 gjejmë copëza të realitetit të dasmave shqiptare në krahina të ndryshme të Shqipërisë.
Pikërisht këtë atmosferë dhe origjinalitet u përpoqën të sjellin organizatorët e “Dasmës hasjane” nëpërmjet ceremonisë që u mbajt në qytetin e Krumës ku u ndërthurën ritet shekullore.
Fejesa
Në traditën patriarkale shqiptare, martesa, duke qenë tepër e rëndësishme, ishte pa dyshim çështje burrash; kishte nevojë për vulën e të zotit të shtëpisë dhe kodifikohej vetëm nga fjala e dhënë e tyre.
Fejesa e dy të rinjve zakonisht bëhej kur djali mbushte moshën për të shkuar ushtar (18-19 vjeç).Familja e djalit i dërgon familjes së vajzës shkuesin, person që ka lidhje krushqie ose farefisnore me të dy familjet dhe ka aftësi ndërmjetësimi. Kur kërkesa e të dërguarit pranohet, caktohet dita se kur do të priten prindërit e djalit për të marrë fjalën.
Hapja e dasmës, zënia e kulaçit
Tek fisi i djalit dasma fillon ditën e hënë deri të dielën, ndërsa te vajza dasma fillon të premten deri të dielën. Riti i zënies së kulaçit bëhet ditën e hënë ose të enjten në mëngjes, në prezencën e familjes së ngushtë të dhëndrit. Nëna e dhëndrit në një govatë hedh miell gruri, sheqer dhe ujë dhe e thërret dhëndrin që ta përziej brumin me grykën e revoles apo të pushkës, paksa në mënyrë simbolike. Pasi e përzien, del në dritare ose në ballkonin e shtëpisë dhe shtien tre herë në ajër, për të lajmëruar hapjen e dasmës.
Këtë kulaç nëna e dhëndrit ia jep çiftit të sapomartuar mëngjesin pas dasmës.
Ndërkaq në odën e burrave nisin vallet, këngët e kuvendi. Në këtë ceremonial shfaqen edhe lojërat e larmishme që zhvillohen gjatë javës së festimeve deri në ditën e dasmës.
Në shtëpinë e nuses fillojnë të vijnë motrat e martuara dhe tezet. Kanë nisur përgatitjet për përcjelljen e vajzës.
Dita e shtunë është dita e vajzës.
Herët në mëngjes, sapo drita nis të dalë, motrat ose kushurirat e nuses e rregullojnë nusen për ditën e saj. Nusja vesh fustanin më të bukur që i ka sjellë dhëndri (fustan i bardhë ose vello). Paradite rreth orës 08:00-12:00 tregohet çejzi (paja e nuses) pra punime të bëra me dorë nga vetë nusja si ojme (çentro), triko, qilima të punuar në vek (tezgjah), çarçafë të qëndisur, mbulesë krevati e qëndisur, papuçe, rrobat e sjella nga burri ditën e premte etj.
Po atë natë, nuses i ngjitet kana (e kamja/e qara). Kana ngjitet në këtë mënyrë: dy gratë më të forta e marrin nusen dhe e rrëzojnë me zor, fillojnë t`ia lyejnë thonjtë e gishtave të dorës me manikyr (për të dalluar që tashmë është nuse sepse më përpara vajzat nuk i lyenin thonjtë), ndërkohë që i këndojnë këngë të trishtueshme për faktin që po linte familjen.
Marrja e nuses
Krushqit shkojnë për të marrë nusen me kalë, ku kali i nuses është me shale, gjë që është e veçantë vetëm kur merret nusja. Përpara kalit të nuses është kali i kutive, që mban pajën e nuses dhe sipër tyre vendoset një qilim ose sixhade që e ka bërë vetë nusja.
Para se të hipë nusja në kalë, asaj ia vendosin duvakun, një veshje që e mbulon komplet nusen dhe që nuk mund të shohë asgjë, më pas e vendosnin në kalë.
Nusen e zbret nga kali vjehrri dhe një djalë i ri i pamartuar ia heq duvakun. Këtij të fundit nusja i jep një palë çorape, të cilat i mban poshtë duvakut. Ajo nuk takohet me dhëndrin, ndërsa pas disa minutash nga mbërritja e nuses, e nxjerrin për ta parë gratë e tjera të fisit. Nusja qëndron në këmbë pa lëvizur para tyre me sytë e ulur poshtë. Kjo për të treguar se ishte një nuse e turpshme dhe gjatë kësaj kohe i këndohet nuses këngë që e lavdërojnë dhe që e shajnë.
Një tjetër zë i traditës, mësuesja në pension Shkurte Mulaj, solli vargje të hershme që nënat e Hasit ia përcillnin bijave në dasma – një përzierje këshille dhe malli që mbart fuqinë e një epoke të tërë. Ninulla e interpretuar nga Ilirjeta Krasniqi ishte ndër momentet më prekëse.
Përparim Brati, një ndër njohësit më të mirë të zakoneve të Hasit, kujtoi me mall dhe krenari se hera e fundit kur ishte inskenuar një dasmë e tillë tradicionale ka qenë në vitin 1978. Bashkë me Flutura Aliaj, një tjetër pasionante e trashëgimisë, ata realizuan çdo detaj me përpikëri dhe ndjenjë.
Në një kohë kur shumë të rinj largohen nga vendlindja, kjo dasmë ishte një kujtesë e fuqishme për vlerat që nuk duhet të humbasin.
Komente

Respekte per Hasin nje qytet shume me vlera
Përgjigju