Për vite të tëra Mozaiku i Tiranës, një dëshmi e rëndësishme arkeologjike, gjendej thuajse i humbur, mes atmosferës të zymtë të një grupi pallatesh së kohës së diktaturës, të lënë pas dore, jo larg qendrës së kryeqytetit. Gjithkush mund t’i kalonte pranë, pa e vënë re dhe pa kuptuar se aty ndodhej një monument me vlera.
Një ndërhyrje nga nga studioja arkitekturore “SON Architects”, e ka rigjallëruar, përmes realizimit të një strukture me një dizajn modern, të frymëzuar nga vetë simbolet e mozaikut.
Sipas arkitektit Rio Kërpaçi, Mozaiku i Tiranës pati nevojën e aktivizimit edhe për t’u kthyer në element gjenerator aktivitetesh të ndryshme për studiuesit, për artdashësist dhe fëmijët.
Arkitekti shpjegon se elementi kryesor i mozaikut të Tiranës apo identifikues i tij është rrethi i jetës apo lulja e jetës, që tregon zhvillimin, tregon mbrojtjen dhe për këtë arsye është përdorur në ndërhyrjen arkitektonike.
Mozaiku i Tiranës është zbuluar në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës.
Me të filluar gërmimet, arkeologët nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Instituti i Historisë, zbuluan se ambientet ishin të shtruara me mozaik, ku u konstatua edhe prania e ambienteve të një kishe të kultit kristian.
Restaurimi i mozaikut të Tiranës është konceptuar në mënyrë të tillë, për të përfshirë edhe një platformë që mundëson ekspozimin e mozaikëve të mbyllur të periudhës së antikitetit dhe antikitetit të vonë, të ruajtur në sitet tona më të rëndësishme, si: Apolonia, Butrinti, Bylis, Durrësi, Elbasani, etj., duke qenë se ato qëndrojnë të mbuluar për t’u ruajtur nga faktorët e motit.
Komente
