Drejt Punës

SPECIALE/ Roland Tasho, fotografi që dokumentoi lëvizjet e dhjetorit 1990: Shkrepa aparatin pa menduar se këto foto do të shndërroheshin në dokument

TIRANË- “Koha më kapi me aparat në dorë. Duke qenë se isha si të gjithë të rijntë që doja ndryshimin, fillova të fotografoj pa e menduar se këto fotografi do të ishin dokument. I fotografoja thjesht se i ndjeja për vete. I ashtuquajturi Roland Tasho. Bëj vitin tjetër 40 vjet që merrem me fotografi”, tha fotografi, Roland Tasho.

Në datat 8 dhe 9 dhjetor të vitit 1990 studentët nisën një lëvizje në dukje spontane, por që ndodhte pas hapjes së ambasadave në korrik tëpo atij viti. Të rinjtë hartuan një listë ku kërkonin ujë e drita në ‘Qytetin Studenti’.

Pikat e problemeve ekonomike ranë në fund të kësaj liste pasi vendin e parë e zuri kërkesa për lejimin e pluralizmit partiak. Pa një lider të mirëfilltë, por të mbështetur nga pedagogë dhe intelektualë të kohës, protesta që nisi me 8 dhjetor, përfundoi pas tre ditësh. Ramiz Alia dhe Byroja Politike vendosën të plotësojnë kërkesën për lejimin e pluralizmit pasditen e datës 11 dhjetor, disa orë para takimit me përfaqësuesit e studentëve.

Një ditë më pas, në një tubim të jashtëzakonshëm njoftohet krijimi i Partisë Demokratike, e para forcë politike opozitare pas afro gjysmë shekulli diktaturë komuniste.

Roland Tasho në fund vitin 1990 punonte në Revistën "Ylli", organ i sistemit të asaj kohe. Ai ishte një ndër ata të rinj që kërkonin ndryshimin, por pa e ditur as vetë se po dokumentonte një ngjarje të rëndësishme për historinë e Shqipërisë.

“Në këto protesta unë kam qenë aktiv. I kam fotografuar. Nuk ishte vetëm një datë, por në vazhdimësi. Në atë periudhë ngjiteshim herë pas here tek ‘Qytet Student’. Nuk është se u bë një datë. Ishte para dhe mbas”, tha fotografi. 

Aparatin e mbante gjithmonë me vete dhe pas çdo thirrje apo zhurme të bujshme, nxitonte ta fotografonte i ndihmuar edhe nga motori i tij.

“Më qëlloi se isha dhe fotograf. Isha i atashuar pranë revistës ‘Ylli’ dhe gjithmonë rrija me aparat. Kisha dhe dëshirën e ndryshimit. Mua më qëlloi ti fotografoja këta ndryshimet. Kjo ishte e veçanta. Kur rrija me shokët sa dëgjoja diçka merrja motorin dhe ikja në vrap”, tha ai.

Lëvizja Studentore vijoi me organizime e protesta edhe në ditët e para të vitit 1991 deri në grevën e urisë në datën 18 shkurt ku hynë 720 studentë të Universitetit të Tiranës. Ata kërkonin heqjen e emrit të diktatorit Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës

Komunikata e hartuar nga Komisioni Organizativ i Lëvizjes Studentore mban datën 18.2 91.

“Në këto ditë, kur e ardhmja e atdheut na rëndon fort mbi supe, ne e ndjejmë se vetëm një demokraci reale mund të jetë shpëtimtare për të. Dhe heqje e emrit të universitetit, si një vendim i padrejtë i së shkuarës, është kusht bazë për demokracinë .”- thuhet në komunikatë.

“Unë merrja pjesë. Fotografoja studentët në grevë. Fytyrat e tyre të verdha. Unë vija urgjent. Laja fotografitë dhe nuk e shikoja atë emocionin. Aty pash sa e vështirë ishte fotografia. Aty pash që fotografia nuk është me të ngritur dorën. Fotografia është emocion. Të kapësh emocion duhet punuar”, tregon Tasho.

Në datën 20 nisi greva e përgjithshme. Studentëve iu bashkuan qytetarë nga i gjithë vendi. Ata marshuan drejt qendrës ku përballën me policinë. Rolandi u shndërrua në syrin e lëvizjeve të atyre ditëve bashkë me fotografë e kameramanë të tjerë. Edhe ai përfshihej në situatat e ndryshme që ndodhnin minutë pas minute.

“Unë njëherë e kapa veten midis 2 të rinjve që gjuanin me gura. Të rijnë  i gjuanin policisë dhe policia të rinjve. Kur i shikoj tani them çfarë sakrifice kam bërë. Kur je i ri nuk mendon gjatë. Rreziqe të tjera nuk ka pasur. Fotografia e do që të jesh pranë aksionit. E jep emocionin më mirë. Plaka....Më kujtohet se kjo plaka furnizonte me gurë tërinjtë gjatë protestave. Gjitha fotografitë janë të kësaj periudhe. Këtu ështëpatkoi i kalit dhe turma në shesh. Ai djaloshi është tek liceu artistik. Mendja të shkonte tek ndryshimi që pritej. Buçiiste kjo shprehja se e duam Shqipërinë si gjithëEuropa. Se kur dhe si ishte Europa nuk e dinim. Na jepte pak shpresë. Ishin kohë shumë entuziaste, të bukura. Mbaj mend se brezi im flinte me ëndrra të madha. Shikonim dritaren nga jashtë se si do të jetë. Enigmë e madhe ishte, por e ndjenim dhe e donim ndryshimin”, tha Roland Tasho.

Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës në 20 shkurt ishte një nga momentet që fotografi Roland Tasho e ndan nga përjetimet e tjera të atyre ditëve. Nuk pranon ta filmojmë foton që ka bërë pasi sot është shndërruar në një thesar për të gjithë fotografët dhe kameramanët që e kanë dokumentuar me aparatet e tyre. Por në mendjen e tij ka mbetur edhe ajo çfarë pa tek njerëzit që ishin shndërruar në turmë të papërmbajtshme.

“Protestat ishin detaje. Nuk e harroj momentin që ra busti. Aty ishte turmë e madhe. Gjatë kohës që fotografoja ndihej ekzaltimi. Në një kohë normale nuk mund të shikosh një turmë në atë dëlirin e kënaqësisë. Kur shikon fotografinë thua sa interesante është turma në raste të tilla”, tha Tasho.

Në 20 shkurt greva u mbyll pasi në lajmet e orës 20:00 u lexua lajmi se Universitetiti hiqej emri i Enver Hoxhës.

Pas kësaj date pasuan lëvizjet në të gjithë Shqipërinë. Më 16 Maj 1991 u shpall greva e përgjithshme.Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë vendosi të kalonte në grevën e urisë ku morën pjesë punëtorë nga shumë fabrika e uzina nga mbarë vendi të cilat u bënëpengese për bllokimin e qeverisë, në krye të së cilës RamizAlia kishte emëruar Fatos Nanon. Ata që mbahen mend për qëndrim heroik ishin 49 minatorët e pellgut qymyrguror të Tiranës në Valias të cilët qëndruan në grevë urie deri në rrëzimin e qeverisë së asaj kohe. Roland Tasho ishte edhe në këtë ngjarje.

“Jemi përsëri në këtë periudhë. Aktorja TinkaKurti kur u fut në mes të grevës sëpunëtoreve në Valias”, tha Tasho.

Nano dha dorëheqjen dhe sistemi i diktaturës komuniste ra duke ia lenë vendin zgjedhjeve të marsit 1991 të cilat i fitoi Partia Demokratike.

“Kjo fotografia është bërë në lëvizjen demokratike. Në një fshat tëLushnjës. Për zgjedhjet, pas foltores së Partisë Demokratike. Është e bukur sepse fëmija simbolizon të ardhmen. Është një nga fotot më të pëlqyera. Mua më pëlqen”, tha Tasho.

Një ndër fotografitë e veçanta të tij është edhe kjo që mban datën 22 dhjetor 1990 ku shihen duke diskutuar Edi Rama, Sali Berisha dhe Ardian Klosi. Sot fotografi Tasho nuk do më që të flasë për ta në veçanti.

“Duke qenë dhe pjesë e këtyre unë jam shkëputur shumë. E shikoj se dikushi na dha ndonjë shpresë. Koha e arritjes së një vendi, jo koha e vizave, jo futja nëNato. Erdhi koha që duheshin dhënë. Nuk shoh ndonjë meritë të ndonjë politikani”, tregoi Tasho.

Syri i Roland Tashos ka rreth 40 vjet që ka kapur çaste të ngjarjeve të rëndësishme. Fillesat e tij janë të rastësishme në profesionin e fotografit.

“Nuk kam qenë elektricist. Kur ishte për tu punësuar më gjetën një vend si elektricist. Zonja e zyrës së punës më tha do të gjej një vend të mirë pune dhe bëhej fjalë në 1982, unë shkoja një herë një javë për të marrë një fletë pune dhe pastaj më tha të kam gjetur punë fotograf. Dhe kështu fillova. Deri diku i kemi lëvruar të gjitha gjinitë e fotografisë, por më të mira janë dokumentares ke. Fotografitë e ndryshimit të sistemit, shqiptarëve të Kosovës. Këto janë eventet kryesore. Unë i kam ndjekur të gjitha ndryshimet. Me këtë rast kam krijuar goxha arkiv”, tha Tasho.

Gjatë punës së një fotografi, ndodh që ka edhe momente që ndjesitë e çastit e stepin të dokumentojë ngjarjen apo situatën. Një prej tyre është ngjarja më 22 nëntor 1989, 23 njerëz humbën jetën fillimisht në afërsi të Himarës nga rrëzimi i një autobusi. Ishin studentë të Institutit të Lartë Bujqësor. Po në atë ditë ishin përplasur në Vuno e Llogara edhe dy helikopterët ushtarakë, që tentuan të mbartnin për në Tiranë të plagosurit.

“Më kujtohet kur sapo ishin rrëzuar 2 helikopterë në Vuno. Ishin mbledhur plakat e Vunos që qanin. Ajo dhimbja kaq e madhe nuk më bëri për të ngritur dorën për të fotografuar. Ndonjëherë zemra nuk të bën. Kështu momentesh patjetër që ka. Duhet që të rrish dhe i ftohtë nga ngjarja për të mos u influencuar", tha ai. 

Sot nuk tërhiqet nga zhvillimet politike. Syri i tij kërkon shqiptarët jashtë Shqipërisë apo detaje të tjera artistike.

“Duke qenë i shkëputur nga media duhet të krijosh. Unë krijova një cikël të shqiptarëve të suksesshëm nëpër botë. Arrita të fotografoj rreth 1000 shqiptarë të suksesshëm. Për të krijuar edhe një imazh të ri. Një projekt ë kam tani është të huajt me kostumet shqiptare. Me kongresin e Albanogjisë gjeta prap dy personazhe interesant”, tregon Tasho.

I riu dhe fotografi që i dëshironte ndryshimet 31 vite më parë, sot rrugëtimin e krahason me një udhëtim në unazën e kryeqytetit.

“Pas kaq vitesh se di çfarë të të them. Sikur bëmë një xhiro të madhe nëpër unazë dhe u kthehmprap në vendin që ishim. Përsëri dëgjohet shprehja e duam ‘Shqipërinë si të gjithë Evropa’. Përsëri janë të rinjtë që ikin me shumice. Me këtë dua të them se demokracia nuk vjen sa hap e mbyll sytë. Do dhe ajo punën e vet. Me këtë nuk ndihem shumë mirë sepse koha ikën dhe nuk kthehet më”, përfundoi fotografi, Roland Tasho.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?