Ishte viti 2011, për çdo aktor shqiptar e publikun artadashës Berlinalja ishte një ëndërr. Me filmin “Falja e gjakut” Ilire Vinca arrin të marr pjesë në një prej ngjarjeve më të rëndësishme kinematografike të Europës. Suksesi do të përsëritet sërish në vitin 2015 me “Burrneshat” e do të pasohej me të tjera lajme të mira për aktoren.
5 vite më parë Liga e Grave Profesioniste të Teatrit në Neu York e renditi mes 20 femrave më të suksesshme në botë. Në 2020-ën emri i Ilire Vincës do të ishte sërish në listën e ngushtë të asaj që konsiderohet prej ngjarjeve më të mëdha të teatrove në botë. Po në atë vit Akademia Europiane e Filmit e kishte ftuar të bëhej pjesë e saj. Këto vlerësime sdo të ishin tjetër veçse konfirmime të rritjes së saj skenike, por ndërkohë qëndrimi i saj mbetet i njëjtë. E thjeshtë, fjalëpak dhe e përkushtuar, si në ‘96-ën kur nisi karrierën.
“Asnjë rezultat nuk na zbukuron dhe nuk na ndryshon. Rezultatet e punës vijnë nga kënaqësia e të bërit atë punë. Nëse vjen një mirënjohje, është shumë e mirë. Por, edhe po të mos ishte ajo mirënjohje nuk do të ndryshonte aspak këtë që jam”.
Vitet e fundit, krahas filmave, shfaqje si “Karnavalet e Korçës”, “Natën, ma” e “Unë jam Mefisto” e kanë sjellë pranë publikut shqiptar. Në skenë vërehet që e kërkon komunikimin me publikun e Tiranës.
“Interpretimi para publikut në Tiranë, ka qenë një ëndërr e kahershme e prindërve të mi. E mandej ëndërr e imja, gjatë rinisë. Duhet të kalosh shumë faza të tuat, që të arrish atë komoditet që të krijosh një raport të bukur e të sinqertë me audiencën. Të arrish ta shikosh, siç shikon veten, përtej paragjykimeve e frikës, nëse do të të pëlqejë. Përtej aprovimit nëse e bëra mirë ose jo rolin. Në një sinqeritet komunikimi jashtë perfektes, e shumë afër njerëzores”
Krejtësisht në mënyrë njerëzore, Vinca pranon të komunikojë historinë e saj.
Bijë e të parit mësues të Gjimnazit të Strugës, e madje ndër të parët poet të kësaj zone, Ilire Vinca do të rritej duke parë babanë e saj tek i bënte haptazi rezistencë ideologjive komuniste. Por, kjo qasje do të zemëronte politikën Maqedonase e disidenca do të kishte kosto.
“Unë jam rritur me këtë mënyrë mënyrë. Kemi ndërruar vendet e të jetuarit. Kam parë prindërit e mi duke ikur... Nuk kam shkuar me pushime në det siç kanë shkuar disa prej moshatarëve të mij. Jemi përballur me kriza financiare si familje, me përndjekje të motrave të mia që s’kanë qenë të lejuara të jetojnë në ato shtëpitë studentore, e me shumë pengesa të tjera”
Familja Vinca, do të gëlltiste privimin e lirsë për të udhëtuar jashtë ish-Jugosllavisë për dy dekada. Pas shpërnguljes së detyruar, të rindërtonin jetën në Kosovë, brenda këtyre kornizave s'do të që aspak e lehtë. E megjithatë, tej kufizimeve të imponuara nga monizmi, kryefamiljari do të përpiqej që përmes dijeve t’u hapte horizontin fëmijëve për një botë të lirë e perëndimore.
“Asnjëherë nuk e kam parë babën tim të jetë bërë pishman. Unë nuk e kam parë që ai ka pasur konflikte me veten për këtë. Ka luftuar për të krijuar kushtet për familjen dhe kur krijon, kur vihet pikëpyetje ekzistenca si prind, është vendimi më i vështirë. Madje mund të them se nuk ka vendim më të vështirë, por unë mendoj se pikërisht për shkak të njerëzve si babai im kemi arritur të ekzistojmë. Kemi arritur të vazhdojmë jetën kështu si jemi”
Skenat teatrale të improvizuara me perdet e shtëpisë, e bisedat e gjata në shtëpizë për letërisnë, teatrin e muzikën, do të zgjonin ndjesitë artistike tek Ilirja. Por, pa dashur të devijojë nga dëshira e nënës për ta parë me një të ardhme të sigurt në kohë të vështira, deri në vit të tretë ajo do të vijojë të ndjekë paralelisht si Degën e aktrimit ashtu edhe studimet për mjekësi.
'Si çdo 18-vjeçar që është shumë i ri për të vendosur për një profesion me të cilin duhet të jetojë gjatë gjithë jetës, unë kam pasur këto dilema. Edhe për faktin se dëshirat e prindërve ndonjëherë janë të ndryshme, pavarësisht se burojnë nga dashuria. Në këtë rast unë kam dashur t’ia plotësoj nënës dëshirën. Ajo ka dashur që unë të jem mjeke. Por jo vetëm kjo , por edhe meqënse unë kam mbaruar dy vite të shkollës së mesme si teknike laburante e biologjisë’
Por po ata miq, me të cilat ndante leksionet e mjekësisë, do ta bidnin Iliren se talenti që ajo kishte për aktrimin e këngën, s’kishte dallim prej aktoreve që lëvdonin para ekranit. E se ky pasion nuk ishte një kaprico rinore, por dhunti që s’duhej ndrydhur. Ndërsa i ati, e kishte njohur tek Ilirja shpirtin artistik.
“Babai im ka qenë ai që realisht e ka kuptuar dhe ka parë tek unë potencialin që arti do të jetë profesioni im. Cilado fushë e artit. Dhe pastaj rastësisht u futa në aktrim, për shkak se u hap edhe dega e aktrimit në atë vit. Edhe për faktin se i doja të gjitha degët e artit, për mua ishte e rëndësishme të gjeja një art ku mund t’i bëja të gjitha.. Muzikën përshembull që e kam pasur shumë pasion dhe mendova se në aktrim do të mund të këndoja gjatë roleve të mia në pjesë teatrale”.
Dega e Arteve Dramatike në Prishtinë ishte hapur në fund të viteve 80, dhe Ilirja ishte ndër të paktat vajza që guxuan. Mentaliteti, përballja me një mjedis dominues mashkullor, sdo ti bënin të lehta fillesat, e madje as më vonë… Por për Vincën, kjo do të qe veçse një sfidë më shumë.
“Kjo është një temë për të cilën unë kam menduar dhe mendoj e reflektoj çdo ditë. Dhe kur e them çdo ditë nuk e them rastësisht, sepse çdo ditë zbulon një të vërtetë të cilën ndonjëherë nuk e indentifikojmë rrugës. Ndonjëherë i kemi modelet tashmë të mbjellura në kokë dhe na duket diçka normale. Madje shumë shpesh ndalem dhe mendoj si e kam bërë këtë rrugë .Natyrisht që nuk ka qenë e lehtë . Paragjykimet e shoqërisë sidomos për artistët dhe në kohën që unë kam bërë këtë profesion s’kanë qenë të lehta. Por e lehtë s’ka qenë as përditshmëria. Sado që ti ke një vizion dhe ke një familje që të përkrahë , do të përballesh çdo ditë me shumë situata që vijnë dhe të krijojnë një konflikt. Nuk ka qenë e lehtë, por mbase kam pasur edhe pak fat të punoj me njerëz të duhur”
Pedagogu i saj Faruk Bagolli, aktor i njohur në mbarë Ballkanin, do të qe ndër ata njerëz që do të linin gjurmë ne jetën e saj si aktore. Me të do të mësonte teatrin jo veç në libra, por edhe në rrethinat e Kosovës. Në fillmvitet ’90, kur shkollat shqiptare u mbyllën, do të ngjiteshin në skenë qoftë edhe për të luajtur para tri a katër vetëve.
“Prej eksperiencës së tij kam marrë shumë. Ndoshta energjinë e tij dhe sinqeritetin e tij për të jetuar pa kompromis. Ai njeri ka ditur ta dojë jetën dhe ka ditur të bëjë artin e tij edhe në jetë, jo vetëm në skenë. Ka qenë një njeri që, edhe kur rrinte në kafe, kur ecte apo kur ishte prezent në një ambient, ai ishte një aktor. Gjithmonë kishe çfarë të mësoje prej tij. Por puna që ka bërë si aktor ka qenë e jashtëzakonshme. Ai e ka identifikuar talentin dhe individualitetin e çdo studenti dhe ka punuar në këtë mënyrë”
Figura e mësuesit kësisoj do të merrte për Iliren dimensionee të tjera, sa humane aq edhe profesionale. Jo rastësisht për studentët e saj në Universitetin e Prishtinës, ku punon 26 vitesh ajo është një figurë referuese.
“Edhe unë sa i përket pedagogjisë jam përpjekur të ecë në hapat e tij. Me studentët e mi përpiqem të kem atë raport dhe të përcjell atë dashni që edhe ai e ka pasur ndaj punës”
Frymëzimin thotë se e gjen jo në emra të përveçëm të teatrit e kinematografisë,por në detaje e gjeste të vogla, pasi sipas saj, aty fshihen sekretet më të mëdha të njerëzimit.
“Nuk kam idhuj. Në profesionin që kam, nuk është se e gjej dikë që më pëlqen dhe pastaj mundohem të bëj atë punë. Nuk funksionon kështu! Për mua janë momentet e vogla që më frmymëzojnë dhe më mbushin me art. Unë gjej shumë në thjeshtësi , në një bisedë me ty, në një buzëqeshje e burime të tjera. Gjej edhe tek ajo që nuk më pëlqen një dozë bukurie sepse ne duhet të gërmojmë edhe aty ku nuk është gjithmonë bukur”
Nënë e tre vajzave, mëmësia do të ishte patjetër kryeroli jashtë skenës. E bija, Rozafa tanimë po krijon emrin e saj si aktore e regjisore, e madje me të kanë punuar dhe si partnere në sheshxhirime. FIlmi “Gardhi” i Lindita Zeqiraj, ka qenë ndër këto eksperienca. Por, si ka qenë për Iliren të gjente ekuilibrin si grua, nënë e aktore?
“Nuk ka qenë aspak e lehtë. S’do të ishte aspak normale të ishte e lehtë. Dhe pikërisht pse është shumë e vështirë është shumë e bukur. Madje ndonjëherë them se di si ja kam dalë. A ka qenë rasyësi, apo thjesht kam ndjerë instiktin tim duke gjykuar çdo ditë në këtë luftën time.. Si grua, si nënë, dhe si profesioniste kam gjetur një balancë të jashtëzakonshme. Jam shumë e kënaqur që kam tre vajza dhe kjo balancë ka ardhur si një luftë e imja përbrenda, që dua t’i edukoj vajzat e mia në mënyrë të tillë që ato ta kenë pak më lehtë se çe kam pasur unë . Një urë tranzicioni kam qenë për to dhe deri në këtë pikë duket se ia kam dalë”
Afro 3 dekada në film dhe teatër, e gati 40 role në secilën prej gjinive, ka role të cilat i ka refuzuar, sikundër produksione të vogla premtuese të cilat vijon ti mbështesë.
“Po ka role që kam refuzuar Dhe asnjëherë nuk është prioritet pagesa. Për mua prioritet është përmbajtja. Po të ketë përmbajtje të mirë, po të jetë roli premtues dhe ekipi me të cilin punoj, atëherë unë e mar me kënaqësi edhe po të mos ketë dhe shumë pagesë. Madje shumë herë kam punuar edhe vullnetarisht, dhe e vazhdoj sepse më pëlqen edhe puna vullnetare. Natyrsisht, nëse e shikoj që ajo punë e imja ndihmon dikë shumë”
Ka punuar me një sërë regjisorësh, ndër të cilët veçon emra si Dino Mustafiç, Cesar Brie apo Altin Basha.
“Me çdo regjisor që kam punuar kam mësuar diçka. Qoftë me të rinjtë, të cilët më kanë hapur një dritare që mund të ketë qenë disi e mbyllur. Madje kjo më ka ndihmuar edhe më shumë, sepse më ka rikthyer tek ajo lufta, që të punoj edhe kur nuk i kam të gjitha kushtet optimale”
Me shfaqjen “La riparazione” të Cesar Brie, aktualisht po interpreton në skenat italiane. Në kast është edhe ish studenti i saj Bashkim Aliaj. Emocionet e kësaj shfaqje ku gërshetohet jeta e aktorit me botën personale, do ti risjellin së shpejti në Tiranë. Por cilat janë diferencat mes Tiranës, Prishtinës e skenave të huaja?
“Mund të them që nuk ka ndonjë dallim shumë të madh dhe për mua ky është një gëzim shumë i madh. Është kënaqësi që tani kam filluar që të mos vërej asnjë ndryshim . Edhe në Shqipëri njerëzit kanë filluar të hapen, dhe duhet pak më shumë”
Jo vetëm në skenë, zëri i Ilire Vincës ëshët dëgjuar edhe në pozicione administrative. Të qenit pjesë e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar dhe në krye të Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka qenë për të një përgjegjësi më shumë. Por sa e lirë ka qenë artistja në vendimarrje?
“Ka hapësirë për përmirësime, megjithatë nuk mund të them që nuk është kjo liri , nuk ekziston. Gjatë kohës që unë kam punuar po të mos ekzistonte nuk do të isha aty. Por, për shkak të ligjeve, rregullave logjistike dëmtohet puna artisike sepse ti duhet të ndjekësh një lloj burokracie. Shumë shpesh edhe kam sakrifikuar, sepse duke qënë në këtë pozicione të kufizohet puna artistike. Përshembull unë për tri vjet s’kam xhiruar film për shkak se kam qenë në Këshillin Drejtues. Edhe pse mendoj se është e padrejtë, rasti im ka fare pak rëndësi. Artisti duhet të jetë në këto pozicione dhe s’duhet t’i ndalohet puna. Sepse kur ti e njeh punën nga themeli në përmbajte ke mundësi të ndihmosh të krijohet ky kontakti, kjo është në të mirë të të gjithëve”
Artin e kinemanë në veçanti e konsideron si një forcë e jashtëzakonshme, që kombi shqiptar të tregoj historinë e tij, me plagët e luftrave e traditat e trashëguara…
“Arti, kinematografia ndihmon shumë. Pasi një shfaqje, a një film që mund të shëtisë më lehtë, tregon shumë për vendin. Dhe me gjithçka që ka kaluar populli im, Kosova, Shqipëria, me politikën diktatoriale e Luftën, ne duhet të mbërrijmë në pikën ku duhet të kuptojmë se duke zhvilluar artin e kulturën e duke e çuar edhe jashtë, së pari i bëjmë mirë vetes. E duke i bërë mirë vetes, mbase ndihmojmë dhe dikë tjetër që ka kaluar këtë eksperiencë Sepse ne jemi të ngjashëm globalisht si njerëz”
Nuk është e lehtë puna si aktore askund në botë. Të qeshësh kur shpirti dhëmb, të kërcesh a këndosh, kur trupi s'të përgjigjet. Të ruash familjen nga ekspozimi publik, kur të gjithë duan të dinë se ç'dodh me jetën tënde private. E të nesërmen të dalësh në skenë, me një elasticitet për tu pasur zili. Me zërin disi melankolik që e bën publikun të heshtë e për pak të mos dijë ta ndajë aktoren nga personazhi.
“E pyesin një skulptorë: Si ke arritur të bësh një skulptorë kaq të bukur.
U thotë: Po nuk ka qenë shumë e vështirë. Thjeshtë kam hequr disa pjesë të tepërta dhe ka dalë kjo skulpturë fantastike. Kështu që edhe ne rrugës, ndonjëherë heqim atë që definojmë se nuk na duhet, dhe kështu dalim versione më të mira për veten por pastaj edhe për shoqërinë”