Indrit Sula 42 vjeç nga fshati Zerqan i Bashkisë Bulqizë, prej 25 vitesh merret me rritjen e bletës. Pasionin e trashëguar nga i ati e çoi më tej me specializime e diploma në shtetin fqinj.
Pas 10 viteve eksperiencë në Greqi, Indriti vendosi të kthehej në vendlindjen e tij.
Në vend të një jete të pasigurt në emigracion, ai zgjodhi të investojë në diçka që kishte kuptim për të dhe për natyrën e bukur të fshatit Zerqan me uji mali dhe plot kullota për bletarinë.
Me kursimet e fituara në emigrim, Indriti bleu 50 kosheret e para dhe ia nisi punës. Fillimet ishin të vështira, por me durim ai arriti të ndërtojë disa parqe moderne me mbi 500 koshere bletësh.
Sot jo vetëm që prodhon mjaltë të pastër dhe bio, por gjithashtu edukon të rinjtë e zonës mbi rëndësinë e bletëve për ekosistemin dhe ekonominë lokale, dhe ndihmon bletërritësit e rinj.
Indriti punon familjarisht tek parku tij duke aktivizuar me punë të dy fëmijët, Elenën dhe Mirton. Thotë se ka shumë dëshirë t’jua trashëgojë prandaj i angazhon në të gjitha periudhat e punëve të bletarisë.
Gjithashtu Indriti na shpjegoi gjithçka rreth bletës, nxjerrjes së qumështit të bletës, mjaltit, polenit, kremrave të ndryshëm propolis etj.
Ai thotë që di të nxjerrë edhe helmin e bletës, teknikat e së cilës i ka mësuar në Greqi. Por nuk e praktikon për shkak të mungesës së tregut në vendin tonë.
Në Bashkinë e Bulqizës numëroren 15 bletërritës që e kanë bazuar ekonominë familjare tek prodhimi e shitja e mjaltit. Indrit Sula është një prej tyre që ka arritur të nxjerrë përfitime të cilat shtrihen përtej kosheres.
Komente
