SPECIALE/ Skulptori Emanuel Koko sjell 20 instalacione veprash në ekspozitë: Skulptura, dashuri e pandashme! Tregu i veprave të artit sot në vështirësi

9 Dhjetor 2021, 22:33| Përditesimi: 9 Dhjetor 2021, 22:52

  • Share

Për të puna e gdhendjes së portreteve, derdhjes së objekteve apo elementëve të ndryshme të fiziologjisë së natyrës në skulpturë është një mundësi e pandalë e çdo dite në frymëzimin e tij si artist.

I dashuruar me estetikën e krijimit pamor, prej më shumë se 25 vitesh skulptori Emanuel Koko e ushtron profesionin e tij si një pasion të veçantë, për artin dhe të bukurën, ndërsa është edhe pedagog i mësimdhënies në Liceun Artistik të Arteve.

Në kuadër të 75 vjetorit të Liceut Artistik së fundi Emanuel Koko ka çelur një ekspozitë në Galerinë e shkollës me mbi 20 vepra artistike instalacion, ku tematikat janë të ndryshme.

“Skulptura ka filluar që në fillore, si ata fëmijët që në 8 vjeçare nëpërmjet vizatimeve të ndryshme në klasë tregojnë se ka diçka më shumë. Aty më ka ndjekur mësuesi përkatës, duke parë diçka dhe nga babai im që ka qenë mjeshtër në punimet popullore dhe atje ka zënë ai si të thuash, ai që i themi talent. Më pas duke kaluar në shkolla profesionale deri në institutin e Lartë të Arteve. Që prej asaj kohe kam 25 vjet, krijimtari artistike jam marrë vetëm me skulpturën, ç’ka për mua është shumë, një përkushtim i vazhdueshëm dhe i përditshëm”, thotë Koko.

E mban mend punën e tij e të parë. E ka realizuar në vitin e dytë të shkollës së mesme kur ishte vetëm 16 vjeç. Ajo i përket portretit të një vajze në reliev.

“Punimi i parë i imi në material është një portret vajze në reliev, në vitin e dytë të shkollës së Mesme dhe kur babai im filloi të kuptonte që përpjekja ime për skulpturë po merrte formë, e ka vendosur në murin e shtëpisë në fshat. Pastaj kam vazhduar punë të tjera studimore, pjesëmarrë në shumë ekspozita kolektive. Kjo është ekspozita ime e katërt personale. Janë bërë një sërë punësh.  Është realizuar monumenti “Qëndresa e kohës”, tek Gjykata e Tiranës, një bust i Skëndërbeut në Rumani...”, u shpreh ai.

Ridimensionuar në lëndë natyrore në gur, dru, metal a bronz për skulptorin Koko, çdonjëri prej këtyre elementëve origjinal nëse kapet ose përpunohet nga një dorë artisti me individualitet dhe humanizëm është një rikrijim artistik, i cili ngjall tek publiku ndjeshmëri estetike dhe kuriozitet njohës.

“Momentalisht po realizoj këto dy portretet në gurë, dikush ka dëshirë që prindërit e vet t’i ketë në një bazëreliev në gurë. Gjatë punës time mua më pëlqen të prek të gjithë materialet e forta, ku secila nga ato ka veçoritë e veta dhe unë dua t’i marr materialit më të mirë. Diçka që nuk më del shumë mirë sipas përfytyrimit në gurë ose mermer mendoj se më del në dru, apo në metal dhe bëj përshtatshmërinë e duhur”, vijon skulptori.

Jeta krijuese në studio, për Emanuel Kokon nuk njohu të ndalur as gjatë periudhës së izolimit në pandemi, ku motivi e pasioni i tij e bën të realizojë 3 vepra arti për COVID-in.

"Dal nga shtëpia në mëngjes, përgjithësisht më pëlqen të dal herët, të shmang këtë trafikun dhe të arrij sa më shpejt në orën e duhur.. E kam shumë problem orarin, nëse bëhet fjalë të jem në orën tetë pa dhjetë në mësim është e padiskutueshme që do jem në atë orë. Dal nga shtëpia kryej detyrimet familjare, çoj bashkëshorten dhe vajzën në kopsht shkoj në shkollë ku kryej procesin e mësimdhënies. Pasi kryej orët e mësimit mendoj të kthehem me shpejtësi në studio. Pra, vazhdon e gjithë dita me një vëmendje për punën në studio”, tha Koko.

Për artistin marrëdhënia e veprave së artit me tregun ndodhet në një vështirësi, pasi ajo çfarë mungon është vëmendja e institucioneve për të vlerësuar artin pamor.

“Marrëdhënia e veprave të artit me tregun është pak e vështirë. Tregu në një shoqëri kapitaliste, hapet apo provokohet dhe ofrohet diçka në treg. Në përgjithësi tregu i skulpturës ose edhe i veprave të artit në përgjithësi  në Shqipëri, është i vështirë edhe për hir të zhvillimit shoqëror që ka vendi ynë. Për të patur një vepër arti, njeriu që e blen duhet të plotësojë dy kushte: Duhet të dijë dhe të ketë. Jam marrë gjatë gjithë periudhës së parë të izolimit, me materializimin e virusit dhe e kam trajtuar gjatë duke hapur një ekspozitë në galeri”, u shpreh ai.

Veprat e skulptorit Kuko si “Qëndresa e kohës”, “Busti i Skëndërbeut” në Krajovë të  Rumanisë etj., janë të shumta dhe janë të ekspozuara brenda dhe jashtë vendit.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?