SPECIALE/ Stoqet e kromit në Bulqizë 'fshijnë' varret e të dënuarve në komunizëm

20 Shkurt 2022, 10:36| Përditesimi: 20 Shkurt 2022, 10:43

  • Share

Ishte data 18 shkurt 1948. Në “Ahishtën e madhe” të Malit të Duriçit, shpërthimi i parë i minave thërrmuan shkëmbin e gurit me xixa që sinjalizoi fillimin e punës për nxjerrjen e mineralit të çmuar të kromit në Bulqizë.

Vendburimi është diktuar më herët nga shoqëritë koncensionare italiane. Viti është ende i diskutueshëm edhe sot.

Në librin “Bulqiza, një minierë me histori”, inxhinieri Hamza Gurra, ndër të parët që shkelën në këtë minierë, shkruan se: “Në vitet e Luftës së Dytë Botërore italianët filluan prodhimin e kromit sigurisht në sasi shumë të vogla, që i transportonin me mushka. Ndoshta kjo e bëri të detyrueshme ndërtimin e rrugës automobilistike nga Klosi në Bulqizë, e cila u lidh me rrugën automobilistike të Zerqanit, që ishte ndërtuar në vitin 1932. Në këtë kohë italianët kishin instaluar një repart ushtarak në mbrojtje të minierës”

Në vitin 1943 çeta partizane e Dibrës e sulmoi me armë dhe i përzuri italianët dhe që nga ajo kohë punimet për nxjerrjen e kromit u pezulluan, për të rifilluar më 18 shkurt 1948 kur zyrtarisht u krijua miniera e Bulqizës.

Lugina e Vajkalit e njohur deri atëherë për sheshbetejat kryesore të Gjergj Katriot Skënderbeut kundër turqve, do të shndrrohej në zonën e banuar të minatorëve.

Në lartësinë 1000m mbi nivelin e detit, ishin tetë punëtorë nga Rubiku dhe trembëdhjetë punëtorë nga zona e Bulqizës  të parët që nisën punën në minierën më të madhe të kromit në vend që fillimisht iu dha emri “Fitore”.

E që më pas do të quhej miniera “Todo Manço”  duke i dhënë emrin e kryeinxhinierit që që punoi në këtë minierë prej vitit 1955 e deri sa ndrroi jetë në vitin 1968.

Në vitin e parë të punës në minierën e Bulqizës u prodhuan 10482ton mineral kromi, një sasi e konsiderueshme që u shndrrua në pikën e fortë të ekonomisë kombëtare gjatë 40 viteve të sistemit monist.

Por kjo minierë mban brenda vetes jo vetëm mineralin e çmuar por edhe histori njerëzish të varrosur po që nuk u gjendet varri.

KAMP-BURGU I BULQIZËS -VITI 1954

6 vjet pas ndërtimit të minierës në Bulqizë u ngrit kampi i të burgosurve.

Ai instalohet pranë minierës për afro 30 vjet.

“Kampi i të burgosurëve ka filluar në vitin 1954.

Ka qenë zona e parë dhe Pusi 1 për të burgosurit.”- tregon Ali Kola, ish-minator në minierën e Bulqizës.

“Kampi i të burgosurëve ka qenë në Zonë të parë deri në vitin 1965.

Pas këtij viti përfshiu edhe Zonën D.” konfirmon edhe Haki Duriçi, një tjetër ish-minator.

“Me ç'di unë kanë qenë rreth 800 të burgosur. Kanë qenë pothuajse të gjithë të burgosur ordinerë, mund të kishte tek tuk ndonjë të burgosur politik. Ishin dënuar për vjedhje, për vrasje.”- shpjegon ish-minatori Ali Kola.

“Ishin nga Korça, nga Berati. Punonim me ta. Por u ruanin nën masa të rrepta sigurie.” -tregon ish-minatori Duriçi.

Duke iu referuar të dhënave historike të vitit 1954, për repartin 301 Bulqizë, u kërkuan të punonin 515 të burgosur nën tokë dhe 223 jashtë saj. Kryesisht të burgosur për dënime të lehta dhe jo politike. Por kur ishin 732 të burgosur, u dërguan të punonin 400 nën tokë dhe 110 mbi tokë.  Për të siguruar të dënuarit, këtu u vendos një efektiv ushtarak i përbërë prej 152 personave.

 “Bënin punë të detyrueshme në galeritë e minierës së Bulqizës.

Me vete kishin edhe policin. Po të mos punonin ose të nxirrte jashtë ose të fuste në birucë.”- tregon Ali Kola.

“Po familjarët i vizitonin?”-e pyet gazetarit ish-minatorin Duriçi.

“Ata që kishin mundësi se njerëzia ka qenë e këputur fare. Vinin nga ana e anës. Ka patur edhe takime speciale për ata të dënuar që punonin e silleshin mirë. U vinte familja e qëndronte një ose dy netë. Kurse ata që silleshin keq me dajak, të bënin normën.”-përgjgjet Haki Duriçi.

Norma ishte e detyrueshme për të gjithë të dënuarit. Nëse e tejkalonin paguheshin me para të cilat ua dërgonin familjarëve.

“Të burgosurit kanë qenë 3 turnesh.Me brigada. Me brigadierë edhe të lirë edhe të burgosur. Kishin edhe planin. Madje po ta kalonte normën një i burgosur, paratë i dërgonte në familje. P.sh, nëse realizonte 120% normën, 20% i kalonte familjes së të burgosurit.” tregon Ali Kola.

“Norma ishte e detyrueshme. Ka patur minatorë të dënuar që kanë marrë edhe 15 mijë lekë(të vjetra) për punën mbi normë. Ata që nuk realizonin as 100 përqind të normës përfundonin në birucë.”-dëshmon ish-minatori Haki Duriçi.

Deri tani këto rrëfime tregojnë funksionin e një burgu normal por nuk ishte i tillë nëse ndrroje jetë ndërkohë që dënimi nuk kishte mbaruar.

Ligjet e kohës ndalonin që familjarët të merrnin trupin pa jetë të një të burgosuri që nuk e kishte kryer dënimin.

Një numër i konsiderueshëm të burgosurish “ordinerë” të dënuar gjatë regjimit komunist me punë të detyruar në minierën e Bulqizës të cilët ndrruan jetë ende pa përfunduar dënimin, janë varrosur në afërsi të burgut.

“Në kohën e regjimit ishte ligji që po të vdiste në burg e të mos e kishte kryer dënimin, do varroseshe afër burgut. Kanë qenë rreth 50-60 vetë të varrosur në perëndim të kampit. I kanë mbuluar stoqet pas 90.”-shprehet Ali Kola.

“Ka pasur disiplinë të paparë.  Edhe i aksidentuari nëse vritej në minierë dhe humbte jetën, nuk lejonin ta merrnin trupin deri sa të përfundonte dënimin. Qoftë edhe sikur t'i kish mbetur një muaj dënim. Varroseshin këtu. E vuanin dënimin ditë e më ditë. Më pas kishte të drejtë familja ta merrte kufomën”.-tregon  Haki Duriçi.

Vitet kalonin, dhe stoku i gurit të kromit po varroste thellë e më thellë të dënuarit duke e bërë të pamundur gjetjen e eshtrave të tyre.

“Me dhjetra janë mbuluar. Pas vitin 90 ata që mundën i morën eshtrat. Sot nuk gjenden më se i ka mbuluar stoku i gurit.”-sipas ish minatorit Duriçi.

Shkaku i vdekjeve ishte kryesisht nga aksidentet në punë. Një ndër ngjarjet e shënuara në historinë e minierës së Bulqizës është  ajo e vitit  1979.  Nga kushtet e rënda të punës, raportohej se më 26.1.1979 një aksident i rëndë i mori jetën 9 të dënuarve.

“Zona e parë pusi një ka qenë me të burgosur ordinerë. Më pas në vitin 1978 u bë edhe zona D. Se në zonë D vdiqën ata 8 veta që u varrosën në varrezat e qytetit.Në atë ngjarje kontribuan për të shpëtuar njerëzit edhe të burgosurit. U vu zjarr e u dogjën trupat. -sink i copëtuar me ze gazetari – thotë ish-minatori Kola.

Nëse ata të dënuar patën fatin të kishin një gur mbi kokë, shumë të tjerë duhet ta përfundonin dënimin edhe ndërkohë që ishin groposur pasi konsideroheshin të dënuar edhe pas vdekjes. Familja nuk kishte të drejtë ta kërkonte.

“Nuk mund t'i merrte familja. Pa bërë dënimin ditë e më ditë nuk luante kufoma. Sikur edhe një muaj t'i kish mbetur. Pasi të mbaronte dënimin familja ishte e lirë të vinte ta merrte kufomën ta çonte në vendin e vet. – sipas ish-minatorit Duriçi.

Duhej që në varr bashkë me trupin, të vendosej një shishe e vogël qelqi  brenda së cilës ishin të dhënat e të vdekurit.  Gjithsesi dëshmitarë të kohës tregojnë se ose groposeshin e mbi ta hidheshin masivët e gurëve të kromit ose u vendosej ndonjë tabelë.

“Shesh, një rresht gurë ndonjë në të rralë, kurse të tjerët kishin llamarinë ku shënohej emri, mbiemri, nga ishte, ditëlindja.” –tregon ish-minatori Duriçi.

Në kampet burg të Bulqizës pati edhe të dënuar politikë por me qëndrim të përkohshëm.  Një prej të cilëve është edhe mjeku Fadil Spahiu, i dënuar me 18 vjet heqje lirie pasi u akzua si  “armik i partisë dhe agjent i rusëve, se është armik i popullit, se nuk është dakord me vijën e partisë” e një sërë akuzash të tjera.

Nëse më 1954 në Bulqizë u ngrit burgu i të dënuarve ordinerë, në vitin 1968 Bulqizës do t’i shtohej edhe burgu tek vendi ku do të ndërtohej fabrika e pasurimit të kromit. Të burgosurit ndërtuan të gjitha objektet sipas projektit deri sa filloi montimi i makinerive. Saga e të dënuarve vazhdon edhe më tej kur në vitin 1976 Kampi i burgut mori edhe zonën “D”. Madje, pas vitit 1976 kampi ka patur maksimumin e të dënuarve.

Në vitin 1985 hapet një repart të burgosurish në Bulqizë enkas për ndërtimin e pallateve të banimit. Në vitin 1987, në të kishte 105 të dënuar politikë.

Ata ndërtuan Qytetin e Ri në Bulqizë me afro 200 banesa.

Sot Bulqiza e ka përsëri minierën e asaj. Po aq të rëndësishme për ata që e vjelin e po aq të domosdoshme për banorët që jetojnë të përditshmen. Ndërsa krahas banesave të vjetra janë ndërtuar të reja.

Vetëm të burgosurit që duhet të përfundonin dënimin edhe pas vdekjes kanë mbetur në greminat e minierës. Sot duhet të ishin të lirë në një varr me emër e lule të freskëta.Por janë të detyruar të vuajnë edhe për një dënim që nuk e kanë kryer.

“I kanë pas thënë këtu në zonë të parë, "Varri i të burosurit". Aty ishte një burim.Atë nuk e luajti më kush. Ai është varrosur që në vitin 1959. Edhe sot ma ha mendja që mund të jetë shenja.” e përfundon rrëfimin e tij ish minatory Haki Duriçi.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Xhaxhi: 20/02/2022 11:25

    E o Xhaxhi ca ke qene.. ti ja dije koken ketij mileti. Edhe i vdekur do kryheje denimin per vrasje koker me koker.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?