Po udhëtojmë drejt Luginës së Valbonës që ndodhet brenda Parkut Kombëtar të Alpeve Shqiptare, të mbuluara me borë edhe pse jemi në stinën e verës.
Lugina e Valbonës ndodhet në pjesën më veriore të vendit, në rrethin e Tropojës. Janë tre rrugët që të çojnë drejt saj.
Për ata që nisen nga Tirana, shoqërues të udhëtimit do të kenë lumin Drin deri në Tropojë.
Ndalesa e radhës është Bajram Curri, qendra më e rëndësishme administrative dhe funksionale e rrethit te Tropojës.
Valbona ndodhet 25 km larg Bajram Currit. Për të mbërritur turistët përballen me bukuritë e lundrimit me tragetin Koman-Fierzë që paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Valbonën në të katër stinët e vitit.
Ndërsa dy rrugët e tjera përshkohen përmes dy pika kufitare Shqipëri-Kosovë. Atë të Morinit dhe Qafë –Morinit. Nga Kukësi, Hasi, Tropojë e Vjetër, Valbonë dhe tjetra nga Kukësi, Prizreni, Gjakovë, Valbonë.
Pasi kalon kufirin vetëm disa metra të shfaqen pamjet mahnitëse që nisin me Kanionin e Shoshanit, pasohen nga gryka e ngushtë me shpate të thepisura e Klisyrës. Grykës së Dragobisë e Qukut të Dunishës. Nga hyrja në kanionin e Shoshanit e deri në Valbonë, udhëtimi kalon nëpërmjet një lugine të ngushte, ku në të dyja anët e saj ka shpate shkëmbore dhe pyje me ah e bredh, ndërsa në rrugën drejt Valbonës po shtrihet edhe rrjeti i tensionit të lartë për përcjelljen e energjisë elektrike i munguar prej vitesh.
Rruga përshkohet nga turistë të shumtë vendas e të huaj me biçikleta, motorë, në këmbë nga të apasionuarit pas ecjes por edhe me kampera si çifti francez që takuam në rrugë.
Më sipër shfaqet fshati Dragobi, më i madhi i zonës, me kulla prej guri 100 e 200 vjeçare, madje dhe më të vjetra.
Shtëpitë karakteristike prej guri, me çati të pjerrëta, e ruajnë akoma konstruktin tradicional të krahinës. Për turistët e rëndësishme është ruajtja e natyrës së virgjër dhe banesave të vjetra që të shëtisin në historinë e zonës.
Valbona ka mahnitur shumë vizitorë të huaj, të cilët për të pranuar magjepsjen, janë kthyer ta vizitojnë sërish por edhe nga mjaft shqiptarë, të ngopur me detin e të etur për aventurë.
Kemi mbërritur në Luginën e Valbonës ku ngado sheh turistë të vendeve të ndryshme të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.
Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës, madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit. Shtrihet në qendër të Alpeve Shqiptare. Lugina e Valbonës ka statusin e Parkut Nacional dhe përfshihet në një sipërfaqe prej 8.000 hektarësh. Natyra e këtij parku është e pasur me varietete të përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm.
Suzana dhe një grup miqsh të saj kanë ardhur me motorë nga Austria. Për ta alpet shqiptare janë shumë ndryshe nga malet e vendit nga vijnë. Për ata edhe buzëqeshja e mikpritësve është për t’u vlerësuar.
Valbona ka shtëpi tip alpin dhe shtrihet nga Kikat deri afër Fushës së Gjese. Çdo vit numri i vizitorëve vendas dhe të huaj ka pësuar rritje. Në Valbonë nuk ka hotel të mirëfilltë, por disa shtëpi-kulla karakteristike, janë përshtatur sipas traditës në hotele për turistët.
Çmimet e fjetjes dhe ushqimit janë të arsyeshme. Shtëpitë e banorëve janë të hapura për mysafirët, siç dëshirojnë ti quajnë turistët dhe vizitorët, banorët vendas. Tashmë, kullat janë restauruar ku akomodohen vizitorët e shumtë që shkelin Valbonën edhe në këto ditë të nxehta vere.
Valbona është e njohur për shtigjet e saj të shumta të ecjes dhe alpinizmit, të cilat ofrojnë nivele të ndryshme sfidash, pasi ka numrin më të madh të majave me mesataren mbi 2 mijë metra në Shqipëri të mbledhura të gjitha në Alpet rreth saj.
Prej këtyre majave dallojnë: “Maja e Çet-Harushës” (2,042 m), “Maja e Çeremit/Gjarprit” (2,213 m), “Maja e Ismet Sali-Bruçajt” (2,235 m), “Maja e Thatë” (2,406 m), “Maja e Peçmarës” (2,424 m), “Maja e Kollatës” (2,554 m), “Maja e Zezë” (2,585 m) dhe mbi të gjitha “Maja e Jezercës” (2,694 m), që ofron një nga sprovat më të mëdha të dashamirësve të ngitjeve në Shqipëri.
Një ndër pikat më të popullarizuara është shtegu Valbonë-Theth, i cili lidh dy nga lugët më të bukura në Shqipëri.
Carlo dhe bashkëshortja e tij kanë ardhur nga Parma, Itali. Ata janë të pasionuar pas ecjes në natyrë. Fillimisht zgjodhën të përshkojnë shtegun Theth – Valbonë. E më pas të njihen me gjithçka ofron jeta në këtë luginë.
Përveç vendeve që kemi treguar deri tani, natyra e Valbonës të ofron edhe pika të tjera për t’u vizituar si disa shpella interesante midis të cilave shpella e Bajram Currit, Liqeni i Xhemës, “Ura e të Shtrejtit”, shkëmbi i “Nuses së ngrime”, Quki i Dunishës, Kollata, e shumë të tjera, me vlera të jashtëzakonshme natyrore, turistike, kulturore e historike, që përbëjnë elementë thelbësorë të identitetit të Luginës së Valbonës.
Në zonën fundore të kësaj lugine fshati Rragam ruan surprizën e fundit.
Ujëvara e Valbonës:
Valbona buron rreth 5 kilometra në perëndim të Rragamit, fshatit të fundit të banuar në luginë. Rrugëtimi për të shkuar atje është mesatarisht i lehtë dhe këshillohet që të bëhet pas shkrirjes së borës në pranverë pasi në kohë të ftohtë terreni mund të bëhet tejet i vështirë për t’u kaluar.
Vlen të thuhet se uji i Valbonës buron kryesisht nga shkrirja e dëborës dhe për këtë në muajt e verës ujëvara i pakëson ndjeshëm prurjet.
Një grup motoristësh shqiptarë sapo e kanë përfunduar udhëtimin e tyre nëpër Valbonë. Hera e parë për ta ishte si një ftesë për t’u rikthyer përsëri.
Kushdo që shkon në Valbonë njihet jo vetëm natyrën e egër por takon edhe shqiptarët e maleve.