SPECIALE/ Të mbjellat ikën me qershorin, mbetën vetëm festat! Fermerët e drithërave në Fier: Tregu mos të lihet në dorë të grumbulluesve, prodhimin po e hanë pulat e jo njerëzit

Në muajin qershor, në Pojan të Fierit ka festë.

Korrja e grurit dhe Buka e re kanë bërë bashkë fermerë, prodhues, banorë dhe artistë në atë që quhet “Festa e Grurit”.

Pjesë e atmosferës festive është bërë dhe parada e auto kombajnave, mjeteve korrëse të grurit, përmes së cilës fermerët e zonës duan të mbajnë gjallë traditën.

Nën atmosferën e këngëve dhe valleve popullore traditës së përvitshme kulinare nuk i mungoi panairi i bukës se grurit të ri, prodhimet vendase dhe gatime tradicionale.

Origjina e “Festës së grurit” vjen nga antikiteti dhe për herë të parë u festua në vitin 2019. Ndryshe nga një vit më parë, kjo festë bëri bashkë mbi 3500 vizitorë.

“Festa e grurit” e lidhur ngushtë me traditat lokale, nuk ka zgjedhur rastësisht Pojanin, në truallin e Apolonisë antike dhe Polinës mesjetare.

Dëshmitë e një tradite 2500 vjeçare të kultivimit të drithërave dhe zhvillimit të bujqësisë janë të shumta në këtë zonë.

E ndodhur në qendër të fushës Ilire, Myzeqesë së sotme, Apolonia ka qenë jo vetëm prodhuese por edhe eksportuese e njohur e tyre.

Babai i Historisë, Herodoti, tregon se apolonianët kullotat i kishin pranë Vjosës dhe arat jashtë qytetit.

Faktet vijnë nga arkeologjia. Dhjetëra pitosa, enë qeramike ku ruhej gruri, mokrat e bluarjes dhe veglat bujqësore të gjetura në këtë zonë, dëshmojnë për një bujqësi të zhvilluar.

Realiteti i dikurshëm vazhdon si një traditë që çdo muaj qershor kremtohet në Festën e grurit.

E nëse ky fermer nuk ka mundur ta vjelë mundin e viti, të tjerë ankohen se fitimet duken minimale.

Në fshatin Këmishtaj të Lushnjës takojmë Artan Gjonin, një ndër kultivuesit kryesor, që ka mbjellë 40 hektarë grurë. Cilësia është e mirë, por problem për të mbetet çmimi i ulët, 2800 lek/kuintal.

'Prodhimin mesatar, prisnim më shumë por kushtet e motit. Sot është 2800 lekë kuintali. Është shumë dobët sepse rreth 40 ha, qe kam mbjellë përfitova subvencione nga shteti vetëm 10 ha pjesa tjetër me shpenzimet e xhepit tim. Do e çoj në një fabrikë mielli dhe atje e dorëzoj të gjithë sasinë e grurit', shprehet Artan Gjoni.

Ka punuar gjithë vitin, prodhon 2000 kuintal grurë, por Artani nuk pret të marrë fitime.

 “S’kam magazinë që ta ruaj. Nuk kemi kushte se unë prodhoj rreth 2000 kuintal grurë. Do kushte ky e ka nderin në fabrikë. Jam i kënaqur me prodhimin, por me çmimin leverdia është zero”, vijon Gjoni.

Në të njëjtën vështirësi është kushëriri i tij, Kol Gjoni, cili renditet shpenzimet e shumta që ka bërë për të kultivuar grurin. Sa për çmimin, atë e caktojnë tregtarët e mëdhenj apo fabrikat e miellit, ndërsa fermerët janë të detyruar ta shesin prodhimin nën kosto, sepse nuk kanë vend për magazinim.

“Unë kam 5-6 vite që e kultivojë grurin Sivjet unë kam mbjellë  40 ha Kemi shumë probleme me çmimin , sidomos plehrat janë të shtrenjta 130 mijë lek kuintali i uresë. dhe shteti tallet me ne vë një çmim prej 28 mijë lekë të vjetra. Unë merrem me këtë punë, por deri më tani kam dalë në humbje. Deri tani nuk kemi magazina asgjë . Shteti duhet të vërë dorë për ne. Gruri duhet të shitet me 40 deri në 50 mijë lek kuintali që fermerët të marrin fitime, sot kam filluar korrjen por skam magazina asgjë s’di ku do e çoj shteti duhet të vërë dorë mbi ne”, thotë Kol Gjoni.

Panoramë akoma më e zymtë është në fshatrat Grecalli dhe Daullas të Fierit. Aty ku gruri i sapo korrur ekspozohet në rrugë me qëllim tharjen nga lagështira dhe shitjen tek ndonjë tregtar qe kalon këtyre anëve.  

“Ky çmim nuk e justifikon fare mundin e shpenzimet. Plehrat janë shtrenjtë, pesticidet shtrenjtë, plugimet e njëjta gjë. Vete rreth 1 milion e 300 mijë për ha. Vjet ishte me 45 mije lek/kuintali sot e kërkon tregtari me 25 mijë/ kuintalin. Shteti duhet të ndihmojë me subvencionime se plugimet, nafta është e shtrenjtë”, tha fermeri Vasil Stoja.

Fermerët e Fierit, Lushnjes dhe Divjakës janë prodhuesit më të mëdhenj të grurit në vend me një sipërfaqe totale prej 17 mijë hektarësh. Me 50 kuintalë për hektarë, prodhimi total shkon në 85 mijë ton grurë në vit.

Kjo sasi mbulon rreth 15përqind të nevojave në vend.

Peshën kryesore të importit të grurit në Shqipëri e mbajnë Rusia, Serbia dhe Ukraina.

Nëse kthejmë kokën pas, vendi ynë pavarësisht nga sistemet qeverisëse, bujqësinë e ka renditur degën më të rëndësishme ekonomike në prodhimin kombëtar (së bashku me industrinë ushqimore) ka zënë më shumë se 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP). Punësimi në bujqësi ka luajtur dhe vazhdon të luajë rol shumë të rëndësishëm.

Në periudhën e socializmit u realizuan investime themelore në sistemin e arsimit profesional bujqësor dhe të Universitetit Bujqësor në Tiranë dhe Institutit të Lartë Bujqësor në Korçë dhe ngritjen e një rrjeti prej 14 instituteve kërkimore e shkencore të bujqësisë. Investimet në bujqësi zinin rreth 1.3% e investimeve në nivel ekonomie, ndërkohë që bujqësia zinte rreth 25% të ekonomisë kombëtare dhe punësonte rreth 50% të tregut të punës. 

Në vitin 1977 plani i prodhimit të drithërave u realizua si asnjëherë, duke siguruar për herë të parë bukën në vend.

Sot pavarësisht rikthimit të punimit të tokës, Shqipëria renditet ndër vendet më të varura nga importi krahasuar me shumë të tjera ndërkohë që është edhe ndër vendet me shpenzim më të lartë të buxhetit familjar për ushqime.

Vetë bujqit kërkojnë që tregu të mos lihet në dorë të grumbulluesve por Ministria e Bujqësisë dhe ajo e financave të shndërrohen në rregullatorë çmimi.

Këto shqetësime kanë fermerët e drithërave edhe ndërkohë që marrin pjesë në festën e grurit, pasi prodhimin e tyre duket se po e hanë pulat e jo njerëzit.

Tashmë qershori iku e bashkë me të edhe fitimet që prisnin kultivuesit e grurit.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • emigranti: 03/07/2023 08:30

    Po mielli sa shitet ne shqiperi? Se po me duket sikur deshironi te shisni grurin me shtrenjte se mielin.

    Përgjigju
  • Iris: 02/07/2023 23:51

    Gruri nuk mbahet ne magazina se ben kerdine miu,jo vetem qe e ha,por le pas jashqitje e urine qe bien ne grure dhe pastaj nepermjet perpunimit kalojne ne buke e miell qe konsumohet(nuk e di nese ne Shqiperi grurit i behet ndonje proces pastrimi para se te dergohet per konsum).Gruri mbahet ne disa lloj cisternash speciale metalike, qe ngjajne si bidona stergjatesh te vendosur vertikalisht.te cilat jane kastile per kete pune.Nuk e di nese ka ne Shqiperi,por nese jo,do te ishte nje investim i mire te behej.

    Përgjigju
  • Dada: 02/07/2023 21:18

    Ska gje se kemi utheheqesin glibal fhe vllaun vucic ballkani hapur qepa 150

    Përgjigju
  • mond: 02/07/2023 19:38

    Fermerët duhet të jenë me të zgjuar dhe të nuhasin tregun. Subvenvcione ok. Por si do ishte më mire grurë me subvenvcione apo qepë dhe patate që kanë çmime si të ashashit sivjet? Një kombinim i kulturave do ishte më i sigurt se një nga të gjitha do shkonte patjetër. Që gruri të ketë leverdi duhen sipërfaqe të mëdha për të ulur kostot. Si mund të konkurosh me tregun ndryshe? Qeveria,qeveria, por kë të ndihmojë më parë? Të grurit, të qershive, të mollës apo perimeve? Të gjithë ankohen....

    Përgjigju
  • Berat: 02/07/2023 13:13

    Vetem perpara...futility prape nje Tallava me Subashin dhe Taulantin dhe te ze gjumisi qengj..ska gje se nuk u shit gruri me cmimin e duhur..te rrooje Partia...Gezuar Buken e Re o dele!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?