Sociale

SPECIALE/ ‘Të rri apo të iki’! Sfidat e emigrantëve të rikthyer në fshatrat e Kukësit

13 Korrik, 19:00| Përditesimi: 13 Korrik, 19:04

  • Share

Është e pazakontë të dëgjosh zëra fëmijësh në rrugët e Novosejës. Na thonë se kanë lindur në Suedi e janë kthyer në vendlindjen e babait për të nisur jetën nga e para.

Kryefamiljari Nehat Mata, 41 vjeç vendosi të rikthehet pas njëzet vitesh emigrim në Angli dhe Suedi.

Bashkë me bashkëshorten dhe katër fëmijët, ai mori një vendim që për të kishte tingëlluar si rikthim në rrënjë, por që sot e quan gabim të madh.

"Doja që fëmijët e mi të rriteshin këtu me gjyshërit e tyre. Por këtu nuk ka të ardhme. Është vend i vdekur", thotë Nehati me zhgënjim, teksa vështron rrugicat e zbrazëta të fshatit.

Dikur, sipas tij, Novoseja ishte plot jetë.

"Vetëm një verë bënim deri në 20 dasma. Ishte gjallëri, kishte njerëz, kishte shpresë", kujton ai.

Sot, pas një viti qëndrimi, e sheh se fëmijët nuk po përshtaetn me jetën në fshat. Shkollimi është i vështirë, mundësitë ekonomike thuajse nuk ekzistojnë dhe e ardhmja e pasigurt.

"Është dhimbje e madhe t’i largosh fëmijët nga gjyshërit. Doja t’i mbaja këtu, por është e pamundur.”

Në dyqanin e vogël të fshatit, Ramazan Mata, babai 70-vjeçar i Nehatit, mban një listë të gjatë borxhesh.

"Edhe pse fëmijët dërgojnë para nga jashtë, blerës ka pak. Fshati po zbrazet dita-ditës", thotë ai.

Banorët parashikojnë se pas pesë vitesh, Novoseja mund të mbetet pa asnjë banor të ri. Shumica e të rinjve kanë emigruar, duke lënë prindërit e moshuar pas. Disa prej tyre kanë ndërtuar shtëpi të reja, por ato qëndrojnë bosh.

Rrugët e fshatit janë të pashtruara, të shkreta. Në mëngjes shihen  disa gra që ecin pas lopëve drejt kullotave alpine. Nuk ka të rinj, nuk ka zëra, nuk ka lojëra fëmijësh. Heshtjen e thyen vetëm Adriatik Demo duke çarë drurët për ngrohje.

Ai tregon se nëse do që të jesh në Novosejë duhet të përgatishesh në verë për sezonin e ashpër të dimrit.

Dasmat janë rralluar, vizitat gjithashtu. Novoseja ndodhet në një nga zonat më të bukura turistike të verilindjes së Shqipërisë, por kjo bukuri mbetet e paeksploruar.

"Turistët kalojnë vetëm për të shkuar në bjeshkë. Nuk ndalen, sepse nuk ka as bujtina, as infrastrukturë", thonë banorët.

Ideja për të kthyer shtëpitë në bujtina ka ekzistuar, por është e parealizueshme.

"Të moshuarit nuk kanë fuqi t’i ndërtojnë, kurse fëmijët tanë emigrantë nuk kanë interes për të investuar këtu", shton Ramazani.

Pa një strategji të qartë për zonat rurale, për kthimin e emigrantëve dhe për zhvillimin e qëndrueshëm, fshatrat si Novoseja në Kukës i ngjasojnë më tepër një azili të madh të moshuarish ku të rinjtë nuk mund të gjejnë veten. Prandaj ata shndrrohen në vizitorë të përkohshëm.

“Do të kthehemi sërish në Suedi", shprehet Nehat Mata me trishtim.

Lemë pas fshatin Novosej për të udhëtuar rreth 40 minuta drejt Përbregut, fshatit të komunës Tërthorë në rrethin e Kukësit.

Fatmir Doda është një tjetër emigrant i rikthyer në vendlindje për t’ju përkushtuar tokës. Me profesion shofer, por me pasion për bujqësinë dhe blegtorinë, vendosi të ndërtojë një vit më parë një stallë prej 400 metrash katrorë, ku sot mban 16 krerë lopë.

Investimi është bërë tërësisht me kursimet që kishte mbledhur gjatë viteve të emigrimit. Ai tregon se ideja për të hapur një biznes familjar u nxit edhe nga thirrjet e kryeministrit për kthimin e emigrantëve dhe investimin në vendlindje.

“Vendosa të kthehem jo vetëm për pasionin tim, por edhe nga thirrjet e Kryeministrit për të investuar në vendlindje,” thotë Fatmiri.

Por kthimi nuk ka qenë i lehtë. Përballja e parë është regjistrimi i tokës shtet, dokument pa të cilin nuk mund të përfitojë subvencione apo ndihma për blerjen e pajisjeve mekanike.

“Deri tani kam vetëm shpenzime, asnjë fitim. Nuk kam baxho për përpunimin e qumështit dhe as treg të sigurt për shitje,” thotë ai.

Pas një viti që e ka ngritur stallën, nuk ka ende një pus. Ujin e siguron me transport nga bashkëfshatarët e tij. Megjithatë, nuk ka ndërmend të dorëzohet. Edhe pse në momente të caktuara është ndjerë i zhgënjyer dhe i penduar për investimin, Fatmiri mbetet i vendosur ta çojë përpara këtë nismë.

“E kam pasion këtë punë. Nuk e lë!”

Kjo zonë ka potencial për agroturizëm. Stalla ndodhet në një kodër me pamje të gjerë nga qyteti i Kukësit dhe liqeni. Fatmiri mendon se aty mund të zhvillojë një biznes që kombinon blegtorinë me turizmin rural. Por për këtë, kërkon të paktën një bazë të sigurt,tokë të regjistruar, një baxho për përpunimin e qumështit dhe një treg të strukturuar.

“Kështu dua të ndodhë por nuk besoj se do të realizohet ndonjëherë.”

Ndërsa pjesa më e madhe e bashkëfshatarëve të tij janë larguar, Fatmiri është ndër të paktët që ka zgjedhur të rikthehet. Ai përpiqet të ndërtojë një jetë të qëndrueshme për veten dhe familjen në tokën ku ka lindur. Në mungesë të mbështetjes institucionale, ai vazhdon të mbështetet vetëm tek mundi i tij dhe shpresa se diçka do të ndryshojë.

S.B/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama kërkon shkarkimin e administratorëve e nënkryetarëve, si e vlerësoni?