Emocionet e ëndrrat e brezit të ardhshëm të artistëve ruhen në godinën liceiste të kuqërremtë. E ardhmja e arteve jetësohet në atë copëz Tirane, ku godinës 4 katëshe i kanë mjaftuar 75 vite për të qenë një busull orientimi, një pikë takimi. Maturantët, në kuadër të kapërcimit të fundit për të trokitur në Universitetin e Arteve apo për të vazhduar studimet jashtë vendit, rrëfejnë për kamerën e “Report TV” ëndërrt e tyre, vështirësitë që hasin edhe rezistencën e këtij institucioni. Liceistët maturantë të “Jordan Misjes” sjellin të ekspozuara në atelienë dhe galerinë shkollës, skulpturat dhe fotografitë që kanë realizuar, si provim diplome.
“Unë nuk i kam hyrë akoma tregut të punës si fotograf, për momentin po mendoj se njerëzit i pëlqejnë shumë fotografitë artistike. Në të ardhmen kam dëshirë të merrem me filmin, shpresoj që akademia të më jap aq sa unë dua, që nesër të arrij diçka”, shprehet Olsi Bogdani, i cili ekspozon në galerinë e liceut ekspozitën e tij fotografike.
Katër vite edhe për maturantin Jurgen lamaj kanë qenë shumë të bukura, sepse ai ruan kujtime të mira në këtë lice. Ne e takojmë në atelie, pranë punës së tij të diplomës, mbretëresha ilire Teuta. Ai na tregon se skulptura për të është shumë e rëndësishme, është buka e përditshme, vet jeta, prandaj ëndrra që nesër të jetë në tregun e punës, është e madhe.
Drejtoresha e liceut artistik “Jordan Misja” na shpjegon se si për orë të tëra kanë punuar maturantët për të qenë të aftë për tregun e punës.
“Fundi i këtij viti shkollor, e gjeti shkollën, nxënësit edhe mësuesit të përkushtuar për provimet, por edhe për diplomat e maturantëve. Kurorëzimi i punës së tre apo katër viteve në disa specialitete, që i aftësojnë këta nxënës, që nesër të jenë në universitetet më të mira ka qenë shumë e madhe”, shprehet drejtoreshë e Liceut Artistik “Jordan Misja” Valbona Gavelli.
Në një nga hollët kryesor të liceut janë ekspozuar edhe dhjetë personalitetet e qeverisë së parë shqiptare, në reliev edhe mermer, të udhëhequra nga profesori Emanuel Koko.
“Unë kisha dhjetë nxënës këtë vit tek lënda e gdhendjes, edhe më konçiduan me dhjetë ministrat e qeverisë së parë shqiptare, së bashku me kryeministrin, edhe mendova, që ta shikoj pak edhe nga ana historike, para se t’i gdhendnim në mermer”.
Profesoresha e muzikës, Besa Kaçinari na dikton, vështirësisë që ata hasin për shkak të mesatares dhe shpesh artistët nuk vazhdojnë udhën që kanë nisur. “Në specialitet që kemi ne te muzika, nxënësit studiojnë tërë vitin për provimin përfundimtar, që kurorëzon punën e nxënësve edhe të mësuesve. Kemi prurje të mira, një pjesë kanë arritje, tek një pjesë mund që të jetë zbehur dëshira. Shumica e tyre shkojnë në akademi, një pjesë që janë shquar për rezultate të mira shkojnë edhe jashtë. Por megjithë nivelin e lartë, disa nga nxënësit tanë konkurrojnë edhe nuk arrijnë dot të vazhdojnë studimet e larta, sepse nuk arrijnë rezultatet e duhura në shkencat ekzakte apo shoqërore, matematikë-letërsi. ”
Por shkolla do t’ju mungojë edhe dy mikeve, të cilat në këtë lice kanë thurur ëndrrat e tyre, ato janë dy nxënëset e degës së kantos Joluena Bici dhe Albuena Kodra, të cilat gjatë këtij udhëtimi nuk janë ndarë asnjëherë nga njëra tjetra. Edhe në koncertin e fundit, falë edhe mbështetjes së profesoreshës, Ema Kanci performuan së bashku para publikut . Ato kanë menduar, që udhëtimi i tyre së bashku mos të ndalet këtu, sepse zgjedhja që do të bëjnë në jetë, do të jetë e përbashkët.
Edhe kështu mes maturisë së të qenit i lirë, por edhe trishtimit që do të largohen përgjithmonë nga ajo çka i ka shoqëruar çdo mëngjes për vite të tërë, këta ishin vetëm disa nga ëndërrimtarët e rinj të arteve