SPECIALE/ Ukrainasja e strehuar në Laknas për Report TV: Babai ma tha para 2 vitesh, Rusia do na pushtojë! Më tregoi edhe vendin ku të fshihesha (VIDEO)

16 Mars 2022, 21:02| Përditesimi: 16 Mars 2022, 21:40

  • Share

Mëngjesi i 24 shkurtit do të bënte një kthesë në histori. Do të risillte në vëmendje të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në Bosnje Hercegovinë, në Kosovë apo në Maqedoni. Të gjitha këto janë kujtime fare pranë qytetarëve shqiptarë

Dhe sot ka ardhur momenti që ne të mbështesim edhe një herë popullin e Ukrainës. Olena (Jelena), ka ardhur nga Ukraina drejt Tiranës për t'u strehuar dhe gjetur një vend të sigurt për veten dhe fëmijët e saj

Por si i ka përjetuar Jelena të gjitha sulmet që kanë ndodhur në Kharkiev, qyteti që ka qenë ndër zonat më të nxehta të rrezikut.

-Faleminderit që  pranove këtë intervistë.
Faleminderit, dua të ndaj situatën reale dhe dua që njerëzit të dinë se çfarë po ndodh me të vërtetë në vendin tim. Shpresoj që në njëfarë mënyre të ndihmoi që ukrainasit t'i mbijetojnë kësaj kohe të tmerrshme
 Ke mbërritur tanimë në Tiranë me dy fëmijët e tu, por ku ndodheshe kur nisi sulmi?
Ishim në shtëpi, u zgjuam për shkak të atyre bombardimeve të tmerrshme, të gjithë miqtë e mi nisën të më telefononin, "e ke marrë vesh,  e ke marrë vesh? Nuk e kuptoja se çfarë thonin dhe u përgjigjesha Jo Jo, çfarë ka ndodhur? Por kur e kuptova gjithçka ishte lëmsh gjithçka dhe morëm dy rrobai hodhëm në makinë dhe u zhdukëm sepse godina ku jetoj është shumë pranë kufirit gjatë rrugës që do të ndiqnin rusët në drejtim të qytetit.

Si e përjetuan fëmijët e tu të gjithë këtë situatë?
Me vështirësi, veçanërisht vajza. Ajo ishte shumë e trembur,  kishte shumë frikë, nuk ishte vetëm shokuese por ishte shkatërruese për të. Gjithsesi u munduam shumë t'i shpjegonim, u mundova ta bëja që ajo të ëndërronte për një jetë të re më të mirë, kështu që ajo thjeshtë po pret ende për diçka të mirë.  Sa i përket djalit, ai kupton gjithçka, ai është luftarak, ai ka qenë shumë i fortë në këto ditë, ato momente të vështira dhe ka ofruar jashtëzakonisht shumë ndihmë. Na ka ndihmuar ne, ka ndihmuar refugjatë të tjerë, jam shumë krenare për të

Si ndihesh kur e përmend fjalën "refugjat", e kishe imagjinuar ndonjëherë se do të ishe një prej tyre?
Jo, jo kurrë, kurrë. Isha krenare që kisha mundësi të ndihmoja refugjatë në qytetin tim dhe me vete falenderoja Zotin që nuk isha në vendin e tyre, dhe Faleminderit Zotit që ka vullnetarë e engjëj në mbarë botën që na ndihmojnë, kjo ka rëndësi.

Kur u larguat nga Harkiv kishte nisur sulmi, ishin pranë bombardimet?
Po po, sheshi qendror rreth 500 metra larg banesës time kishte shpërthyer, ishte bombarduar dhe nuk mund të shpjegoj se çfarë ndjeja. Shtëpia jonë shkundej, kisha dy fëmijë, çantat ë shpinës dhe iu drejtuam rrugëdaljes.  Ishte një vendim I shpejt, u mor menjëherë, sa hap e mbyll sytë.  Shokët e klasës së tim biri ishin në stacionin e trenit dhe na thanë se kishte një tren, kështu që telefonova motrën time me djalin e saj 2 vjeçar. Ajo ndodhej në një vendstrehim, ata erdhën për 5 minuta në stacion, kështu që ishim 5 vetë,  por ajo qëndroi në Sllovaki sepse ka njerëz të saj atje.

Cili ishte rrugëtimi juaj? Nga Hakrivi që është  shumë në veri lindje udhëtuat drejt Sllovakisë, sa kohë ju mori?
Për të mbërritur në Sllovaki na ka marrë nja 60 orë. Ishte me tren, më pas u takuam me disa vullnetarë, po ka qenë rreth 50 ose më shumë, më duket se ishin 60 orë.

E më pas çfarë ndodhi, si vendosët të vinit në Tiranë, si e njihnit ju Tiranën?
Kam një familje shumë të madhe, dikë që mund të thuash se e kam pjesë të familjes që është shqiptar,  dhe ai më tha, shko në Shqipëri, është vend i sigurt dhe do të ndihmoj. Kështu që mora fëmijët dhe erdhëm këtu. Ishte një vendim në dëshpërim e sipër. Nuk isha përgatitur për të udhëtuar, për të shkuar askurrkund. Pikë së pari nuk isha e përgatitur mendërisht. Por jam shumë e surprizuar.  Ky vend është fantastik, vërtetë!

Si ke udhëtuar nga Sllovakia drejt Tiranës, si veprove?
Nuk ishte e lehtë të vije këtu sepse nuk kishim fluturim direkt nga vendi ku ne ndodheshim sepse ishim në një rajon të Sllovakisë ndërsa fluturimi ishte nga Vjena. Kështu që na u desh të udhëtonim drejt Vienës me autobus dhe të ndërronim 2 trena. Ishte një udhëtim shumë i gjatë për ne, veçanërisht kur nuk e njeh gjuhën sepse Anglishtja nuk është aq e folur në Sllovaki me sa duket. Kështu që kishim bërë një plan se si do të shkonim, na ndryshoi mjaft ndërkohë që udhëtonim por arritëm në Vjenë dhe një mik shqiptar na takoi atje, na ndihmoi të flinim pak, na dërgoi në një hotel, i jam shumë mirënjohëse të gjithë atyre njerëzve që na ndihmuan, është përrallore.

Në Harkiv ke parë ndërtesa të shkatërruara, ke pasur të afërm apo të njohur që janë lënduar?
Shumica e të afërmve dhe miqve të mi e kanë braktisur Harkivin. Por çdo ditë shoh ndërtesa të shkatërruara, kur pashë shtëpinë time pa dritare pas një zjarri të madh, ishte shumë lënduese, më dhembi në zemër sepse ajo ishte një ndërtesë e re, dhe unë... sapo kisha përfunduar mobilim, pikturat, detajet në apartamentin tim, ishte jeta ime e re në atë shtëpi. Duke e parë atë në të tillë gjendje ishte shumë e dhimbshme. Po ashtu të gjitha ndërtesat ku unë kam punuar janë bombarduar. Është e tmerrshme, është shumë e  vështirë të flasësh për këtë.

Ishit larguar kur godina juaj e banimit ishte shkatërruar?
Është bombarduar ndërkohë që ne po udhëtonim me tren.

Si të bëri kjo të ndiheshe, mendove se çdo të ndodhte nëse s'do e kishe marrë atë vendim?
E vetmja gjë që mendoj gjatë kësaj është se ndërtesat, ashtu sikurse edhe pallati ku jetoja,  janë shkatërruar, por me aq sa di, të paktën të gjithë fqinjët janë gjallë. Kjo është e rëndësishme , të tjerat , s' ka gjë, do t'i ribëjmë,  do i rindërtojmë, por jetën nuk e kthen dot pas asnjëherë. Të gjithë janë të sigurt.

Për shkak se nuk kemi eksperienca të ngjashme nuk e kuptojmë dhe do të doja të na thoje, si qëndron puna me ndërtesat në Ukrainë? Kur ndërtoheshin më parë pallate krijoheshin vendstrehime për raste luftë? Ishin ukrainasit duke u përgatitur për të pasur një luftë, ndaj dhe ekzistojnë vendstrehimet?
Mendoj se kjo është  një pyetje e madhe politike, vendstrehimet... jo nuk janë përgatitur në mënyrën e duhur, ne ishim në bodrumet e pallateve. Sigurisht nuk janë përgatitur për të tilla raste por mendonim se ishte më e sigurt të jetonim aty sesa në apartamente.  Si vendstrehime kryesisht përdoren stacionet e metrosë dhe tunelet e tij, por tani këto vende janë kthyer në shtëpi për shumë njerëz, shumë jetojnë aty, por prapë se prapë mendoj se është po ashtu e rrezikshme sepse ka shumë njerëz ndërsa COVID-19 është ende në qarkullim

Para një muaji ishim të gjithë me Omicron,  ishte në çdo shtëpi,  në çdo familje e për fat të mirë sapo kishte përfunduar, e imagjinoni dot? Kaq shumë njerëz, në të njëjtën zonë, të gjithë të sëmurë? Shumë fëmijë ishin me temperaturë të lartë, besoj se e kishin për shkak të stresit,  edhe vajza ime ishte shumë keq, por unë se ndihmoja dot që të përmirësohej nëse ishim në bodrum, nuk ka as ujë aty, asgjë.

Familja jote është në Ukrainë, si janë ata, çfarë bëjnë, si jetojnë?
Po, nga familja ime, mendoj se vetëm e kemi braktisur Ukrainën,  sepse duhet ta bëja për shkak të fëmijëve të mi, nëse nuk do ishin ata sigurisht që do të qëndroja aty, por kishim shumë kafshë, duhet të kujdeseshim për to, nuk mund t'i linim. Mamaja ime shkoi tek gjyshja ime në një qytet tjetër i cili nuk është i sigurt, ndërsa vëllai im qëndron në shtëpinë tonë të fshatit, i cili është rreth e përqark i bombarduar, por sot për sot e di që janë të sigurt. Ndërtesa është në këmbë. Babai i fëmijëve është gjithashtu i sigurt, po qëndron me prindërit e tij, flasim çdo ditë, komunikojmë me video ndërsa bombardimet vazhdojnë gjatë gjithë ditës. Nëna e tij më thotë se tashmë janë mësuar  me këto shpërthime. Është shumë e vështirë , e dhimbshme të dëgjosh diçka të tillë sepse është shumë mizore. Disa herë ndihem shumë në faj që jam këtu, në një vend kaq paqësor, në gjithë këtë rehati ndërsa ata janë atje. Për mua është shumë e vështirë, nuk ndihem rehat me gjithë këtë por më duhet të mendoj për fëmijët.

Por ti je nënë , ke fëmijët dhe duhet të kujdesesh për ta….
Po kujdesem për ta sepse e ardhmja e tyre është tani në duart e mia dje duhet të bëj gjithçka që ata të mbijetojnë, të jenë të guximshëm, të fortë, të nisin një jetë të re, se në cilin shtet, askush nuk e di, por mund të ia dalim kudo,nuk ka rrugë tjetër, duhet të jemi të fortë dhe të ia dalim.

Por ti ke edhe një histori shumë interesante me babanë tënd. Çfarë ka ndodhur konkretisht para disa vitesh?

Në vitin 2018-ën ai erdhi dhe më tregoi se kishte probleme me shëndetin e tij, ishte serioze, kancer, dhe duhet ta ndihmoja. Kështu që vendimi ishte që të shkonim në Izrael për mjekim. Kur shkuam atje gjithçka ishte shumë sfiduese,  u munduam të bënim gjithçka që mundeshim, ishte viti iri, ishin pushime, asgjë nuk ishte  e lehtë situata. Por kjo e ndihmoi që të jetonte edhe pak më gjatë. Kishim vështirësi me spitalet, me pagesat, ushqimet, gjithçka ... por tani kuptoj se ishte koha më e mirë që kam harxhuar me babanë tim, ishim shumë të lidhur. Më tregoi fakte shumë interesante nga jeta jonë, nga jeta e tij, për situatën e vendit tim dhe gjithçka tjetër sepse ai ishte politikan, ai ishte zëvendës kryetar bashkie dhe zëvendës ministër dhe dinte shumë për situatat në mbarë vendin. Ai lexonte shumë gjatë jetës së tij dhe tha një herë se Rusia do të vinte për pushtim, dhe unë nuk e besova sigurisht. Atë tepër më tha se kur kjo të ndodhë ti duhet të strehohesh në bodrum të shtëpisë së fshatit. Dinte diçka!

A e pyete më tepër për këtë?
Patjetër, folëm për historinë , situatën, çfarë të bënim në rast se ndodhte diçka dhe gjithçka tjetër.  Ai më sugjeroi që fëmijët duhet të ishin të sigurt në një tjetër shtet, këto ishin fjalët e tij para 2 vitesh. Ai e dinte se diçka e keqe do të ndodhte në vendin tonë.

A e besove?
Jo jo, sigurisht jo. Askush se besonte diçka të tillë.

Si e dinte ai?
Nuk e di, thjeshtë dinte shumë mbi gjendjen, mbi historinë. Ai ishte shumë i shkolluar.

A ishin fjalët e tij rrjedhojë e konkluzioneve apo mendon se mund të kishte pasur informacione më parë për këtë që do të ndodhte?

Besoj se ishin konkluzione,  nuk besoj se ishin informacione, çfarë informacioni, ai është nga Rusia, ka punuar në institucione të ndryshme drejtuese. Nuk besoj se ka pasur informacion, nuk ma tha këtë,  por me shumë mundësi edhe mund të ketë pasur sepse ka qenë pjesë e niveleve të larta drejtuese asokohe, por para dy vitesh  jo, mendoj se ka pasur vetëm konkluzione.

A ke humbur familjarë ose të miq për shkak të kësaj lufte?
Falë Zotit të gjithë janë të gjallë. Shumica e tyre janë në vende të sigurta, por disa prej miqve të mi janë në zona shumë të nxehta të rrezikut. Ata mbrojnë Ukrainën, mbrojnë veten, por jenë të gjallë falë Zotit. Por di që miq të miqve të mi janë vrarë, një familje e tërë në makinë,  ata thjeshtë i qëlluan, kaq lehtë. Të gjithë familjen.

Si merr informacion mbi atë që po ndodh në Ukrainë? Nga mediat ndërkombëtare, mediat lokale, nga të afërmit?

Për shkak të mendimit tim analitik, marr informacione nga të gjitha burimet e mundshme të informimit, nga mediat ndërkombëtare, mediat ruse, ukrainase, rrjetet sociale,  por besoj vetëm mesazheve që më dërgojnë miqtë e mi. Nga ata që mbrojnë Ukrainën, nga ushtarë, nga ata që janë në Harkiv, jo në të gjithë Ukrainën por në Harkiv. Sepse ata më dërgojnë video dhe më tregojnë se si është situata. 90% e asaj që di për qytetin tim sot nuk e kam dëgjuar dhe nuk e kam parë në asnjë kanal informimi.

Përse mendoni se media nuk e paraqet të vërtetën e plotë?
Sepse bëhet fjalë për vrasje, viktima,  është shumë e tmerrshme, nëse njerëzit e dinë plotësisht se çfarë ndodh ata do të acarohen, do të mërziten edhe më shumë. Nuk është ky informacion për të qenë në dijeni të plotë të njerëzve.

Çfarë po ndodh tani për tani atje?
Ka shpërthime gjatë gjithë kohës, por gjatë gjithë kohës!!! Askush nuk e kupton a janë bombardime që sulmohen ukrainasit apo janë ato që mbrohen ukrainasit sepse ne duhet të mbrojmë vendet tona, ata na luftojnë, ndërsa këto shpërthime janë në vazhdimësi, gjatë gjithë kohës. Për shembull, gjyshërit e fëmijëve të mi janë pranë kufirit në Harkiv dhe thotë se janë mësuar nga këto shpërthime. Mund të flenë ndërkohë që ka bombardime, është e tmerrshme. Është thjeshtë e pandalshme.

Duke jetuar dhe shpresuar se nuk do të vdesin në gjumë?
Po!  Ata janë të frikësuar, shumë.

Ministri Dimitrov mori pjesë në një konferencë virtuale në Mbretërinë e Bashkuar dhe tha se ushtria ruse po kryen krime seksuale. A ke dëgjuar ti ndonjëherë për diçka të atillë?
Kam dëgjuar shumë histori në Ukrainë për këtë në rajonin e Danjansk dhe Lagansk, diçka të tillë deri tani në Harkiv s'kam dëgjuar asgjë, por jam vërtetë shumë e frikësuar nga kjo. Gratë ukrainase nuk janë të mbrojtura dhe ajo që pashë ishte e tmerrshme. Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut duhet të reagojnë. Në kufi, disa burra kur shohin ndonjë vajzë të bukur duke kaluar kufirin, prezantohen si vullnetarë dhe u ofrojnë ndihmë, u marrin pasaportat, ky është fakt, shkojnë diku me to, dhe askush nuk e di se çfarë ndodh më tej.

Kush e bën këtë?
Di që e bëjnë disa burra, se çfarë ndodh më vonë mendoj se bëhet fjalë për prostitucion,  sepse këto vajza, pa asgjë, shkojnë në një shtet tjetër ata rrezik i kërcënojnë, por askush se di.

A është ky informacion i pasqyruar në mediat ukrainase?
Se kam parë askund. Është vetëm ajo që kam parw

E ke parë ndërsa kaloje kufirin?
Po, kur kalonim kufirin, ndërsa vullnetarët e vërtetë që janë atje në kufi me Sllovakinë ma thanë, ky problem ekziston. Por askush nuk flet për këtë. E kuptoni sa e vështirë është, ka moshatarë të djalit tim që e kalojnë kufirin në këmbë, ka fëmijë të mitur që e kalojnë krejt të vetëm kufirin. Vetëm për tu mbrojtur, pa prindërit e tyre.  E imagjinoni se çfarë mund të ndodhë në një shtet të huaj? Mirë një djalë do të punojë do të ia dalë, ço një vajzë?! Ky problem nuk ka marrë zërin e duhur.

Që kur je njohur me këtë problem, e kë ngritur ndonjëherë zërin, ti tregosh njerëzve se çfarë po ndodh? Duke i dërguar informacion medieve apo duke i treguar miqve?
Kam folur për kwtw me miqtë e mi që janë në rrjetet sociale, sepse unë nuk i përdor. Mund të flas për këtë por s jam duke punuar më atje, mund të flas kam qenë  pjesë e organizatave jo qeveritare, por gjatë viteve të fundit isha duke parë për punë tjetër, isha pak jashtë këtyre linjave gjatë kësaj kohe. Nëse mund të ndihmoj do të bëj më të mirën time për të ndaluar këtë fenomen në të ardhmen. Fëmijët dhe gratë nuk janë të mbrojtur ndërsa kalojnë kufirin. Aq më tepër kur nuk e dinë gjuhën, kur ata nuk I dinë rregullat, ligjet. Më beso 90%e tyre nuk ia kanë idenë për këto. Nëse ata u tregojnë se çfarë duhet të bëjnë, ata thjeshtë do e bëjnë.  Ata nuk e dinë nëse është ë vërtetë apo gënjeshtër, ata thjeshtë ndjekin udhëzimet. Ata duan vetëm të mbijetojnë, nuk kanë mundësi të mendojnë ndonjë gjë tjetër.

A ke parë to vajza të zhdukeshin me këta meshkuj?
I kam parë gratë duke u larguar me meshkujt kur ishim në atë resht të gjatë në kufi, por nuk e kuptoja se çfarë ishte,  e pashë, dhe isha e shokuar. Nga njëra anë mbaja një fëmijë 2 vjeç nw krahë, fëmijët e mi, motra, ishim të fokusuar tek vetja jonë,  por më vonë më thanë se çfarë ndodh. Dje mbaj mend se kështu ndodhte.  Atje ka shumë vullnetarë ndërsa ti nuk e kupton se kush është kush, kush bën çfarë, kush janë ata refugjatë,  a i kanë të afërm apo dikush që as nuk i njeh.

Atje ka shumë shpallje që ofrojnë ndihmë, premtojnë ndihmë, strehim, ushqim, e tjerë.  Vullnetarët e vërtetë janë shumë ndihmues, bëjnë punën e tyre në mënyrë perfekt, janë të Jashtëzakonshëm. Por mendoj se ka gjithashtu edhe probleme me sigurinë. Ata që kanë mbijetuar duhet të ndihmojnë ata që janë në rrezik.

Ndërsa ishe në udhëtim, ke dëgjuar për bombardime?
Po, po

Ke dëgjuar shpërthime pranë vetes?
Po patjetër,  gjatë gjithë rrugëtimit. Patjetër që nuk ishte shumë pranë nesh por treni me të cilin udhëtuam, të nesërmen në një udhëtim prej 30 orësh ka lëvizur pa xhama, pa dritare, ata bombarduan stacionin tonë të trenit me shumë njerëz në të. Shumica ishin gra e fëmijë. Ata e bënë udhëtimin në të ftohtë duke u larguar nga Harkivi.

Ke menduar ndonjëherë se nëse do të kishe që duruar edhe pak më gjatë, djalit tënd do t'i duhej të luftonte për vendin tuaj?
Po, mendova edhe për këtë. Në shkollat tona kemi edukim ushtarak, ai di gjithçka që duhet mbi armët, për çdo shpërthim shpjegonte se çfarë ishte, njeh armët dhe pajisjet luftarake, dinte gjithçka.  Duket sikur ai ishte gati të luftonte, por ai është 16 vjeç. Nuk mund të them se nuk do e lejoja atë ta bënte këtë nëse do ma kishte kërkuar, por s jam e bindur nëse ai duhet ta kishte bërë. Mendoj se burrat tanë që luftojnë dhe mbrojnë atdheun tonë janë shumë të guximshëm, por mendoj se im bir ka jetën përpara për të jetuar. Ai duhet të na ndihmoi, pa ata do të ishte shumë e vështirë për ne të bënim gjithë këtë udhëtim

Por jeta ka edhe kthesat e saj pozitive. Ai po bëhet 17 vjeç, është në Tiranë, është i sigurt dhe punon.

A ikim ta takojmë shohim si është?
Po, po patjetër

Sergei është vetëm 16 vjeç. Ai është mësuar me punën që në moshë të re, të paktën kështu na tha se e ka edukuar nëna e tij. Por çfarë po bën ai sot?! Ai po punon në restorant.

Sergei ti po punon, është dita jote e tretë në Tiranë.
Po! Më pëlqen Tirana, njerëzit janë shumë mikpritës, më pëlqen vendi këtu, më pëlqen ky vend. Gjithçka është mirë.

Ti po ndihmon në restorant, çfarë bën ti konkretisht?
Kur njerëzit mbarojnë vaktin e tyre, unë pastroj tavolinën e tyre. Heq gotat i çoj në kuzhinë, ndërroj mbulesën e tavolinës. Mbledh shishet,  pjatat, lugë e pirunë. E kupton se çfarë bëj

 Pra merresh me gjëra të lehta.....
Po po, nuk është ë vështirë, nuk marr porosi sepse nuk e di shqipen por kur kaloj ndonjëherë nëpër restorant disa klientë më thërrasin, më kërkojnë diçka dhe u them se nuk i kuptoj dhe thërras stafin. 

A je i mirëpaguar?
Unë ndihmoj, nuk punoj, nuk dua pagesë.

Nuk do?
Jo jo nuk dua. Ndihmoj sepse ne jetojmë aty tek ai ambient i bukur dhe i paqtë falas, pa pagesë. Ky është këmbimi për këtë mundësi.

Ti je 16, dhe në këtë moment ti duhet të ishe në shkollë, por nuk je, si ndihesh për këtë?

Mendoj vazhdimisht për shkollën, dhe madje buzëqesh kur e kam në mendje, sepse e dua shkollën. Jam në vit të fundit, dhe jemi si shokë me mësuesit ndërsa klasa jonë është si një familje e madhe. Më mungojnë të gjithë

Ke menduar se mund të qëndrosh gjatë në Shqipëri dhe të rifillojë shkollën dhe të vazhdosh një normalitet të jetës tënde?
Dua të vazhdoj shkollën online nëse do të filloj në Ukrainë. Tani për tani shkolla jonë na dërgon kurrikulën dhe unë mësoj nga pak.

Të pëlqen shkolla?
Po më pëlqen.

Çfarë do të bëhesh kur të rritesh?
Nuk e di akoma, lënda ime e preferuar është matematika. E dua shumë. Dua një punë që lidhet me numrat. Inxhinieria Kompjuterike është shumë e preferuar dhe doja të vazhdoja me ato programe.

Mendon se nëse do të ishe një i tillë do të ishe një hacker që do të sulmoje rusët në këto kohë?
Unë vërtetë i respektoj dhe vlerësoj atë që bëjnë ata por universiteti në të cilin do të shkoj, ose më saktë atje ku do të shkoja është një fakultet me siguri kibernetike kështu që....

Nuk do kishe mundësi ta bëjë?!!!
Ndoshta po, por pas diplomimit nga ky fakultet do kisha mundësi të punoja në banka, të mbroja llogari të tjera.

Ke ende komunikim me miqtë e tu?
Po patjetër, me të gjithë, flasim me ta, çatojmë në instagram çdo mbrëmje telefonoj miqtë e mi, dhe para pak ditësh shoku im kishte ditëlindje dhe i dërgova para për pica.

Jemi të lidhur me njëri tjetrin, pas një muaji, me 5 prill kam ditëlindje dhe do të bëj një konferencë me zoom dhe do i ftoj të gjithë miqtë e mi aty.

Pra gjithsesi e ke në plan të bësh një party.
Po po, një parti online

Meqë jemi mësuar me pandeminë?....
Po po pandemia na mësoi të shihemi edhe online

Si ndihesh për situatën, për çfarë ka ndodhur, ndjen dhimbje? Je i mësuar me këtë, pranon gjithçka?
Jo jo, në asnjë mënyrë nuk pranoj gjithçka, jam shumë i mërzitur që kam lënë qytetin tim, atje janë të gjithë familjarët e mi, babai im, gjyshërit,  më mungojnë vërtetë shumë Nëse ka një mundësi do të doja t'i takoj, flas çdo ditë, vërtetë më mungon shumë dhe macja ime e preferuar.

Si e ka emrin?
Markis

Po sa i takon motrës tënde? Si po përjeton gjithë këto ndryshime? A jeni shumë të lidhur me njëri tjetrin?
Po, jemi shumë të lidhur, të ndihmoj, ajo tani duhet të mësojë, duhet të mësoi si të lexojë shpejt, si të komunikoi më shpejt me njerëzit , ndërsa tani ajo po I humbet ato orët e mësimit. Ne po shikojmë për ndonjë mësues anglishteje për Mashan sepse ajo nuk di as alfabetin. Unë po e ndihmoj tani po bëj më të mirën time.

Ku ke mësuar të flasësh kaq mirë anglisht?
Anglishtja ime nuk është kaq mirë por kam filluar të mësoj që në klasë të pestë  në shkollë, kam pasur edhe kurse shtesë para disa vitesh

Po ashtu e kam praktikuar edhe me qytetarë amerikanë. Kam folur me ta përmes lojërave elektronike, kam pasur edhe një mësues nga ShBA, Arizona dhe vlerësoj gjithçka që ai ka bërë e na ka mësuar.

Çfarë të mungon më shumë në këto kohë?
Çfarë më mungon më shumë? Mbase e gjithë jeta në qytet. Kam shumë miq atje, e kishim zakon të takoheshim çdo të premte më kafe dhe të pinim çaj, ia kalonim shumë mirë bashkë. Ishim shoqëri e madhe. Më mungon edhe pjesa tjetër e familjes sime. Më mungojnë aktivitetet e mia, ekipi im i futbollit, shkolla, gjithçka.

Je futbollist?
Po jam futbollist. Kam qenë në akademi futbolli në Harkiv. Dua të përqafoj çdo vullnetarë që ndihmon popullin e Ukrainës që është në një situatë të vështirë, doja të bëja punë vullnetare ndërsa isha në Harkiv por ishte shumë e rrezikshme të dilje nga shtëpia. Kështu që nisa të punoj këtu si vullnetar në këtë restorant kaq fantastik.

Si të duken shqiptarët dhe gjuha shqipe?
Njerëzit shqiptar janë shumë të mirë dhe shumë mikpritës ndërsa gjuha shqipe është pak e vështirë për mua por nëse do të qëndroj këtu do e mësoj sepse jam i ri dhe është më e lehtë për mua se sa për mamanë time.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?