SPECIALE/ Urat e harruara mbi lumin Mat! Për urën e Vashës dhe urën e Skurës kujdesen vetëm banorët e zonës

18 Shkurt, 14:47| Përditesimi: 18 Shkurt, 15:05

  • Share

Krahina e Matit gjendet në masivin qendror, midis vargmaleve Skënderbeg dhe Dejë-Balgaj duke u ndërlidhur me bregdetin, fushat bregdetare dhe krahinat në shpinë të saj nëpërmjet qafave të maleve.

Urat e rrjetit rrugor që përshkonte Matin ndodhen kryesisht në rrjedhën e sipërme të lumit Mat, aty ku ky lum del nga kanioni i fundit, në Klos. Ato kanë qenë ndërtuar prej guri e prej lënde druri. Mjaft prej tyre me kalimin e kohës janë rrënuar kështu që prej disave ruhen vetëm gjurmët apo emri i tyre në popull.

Shtrirja e tyre ndjek itinerarin e rrugëve të karvaneve ose “Udhës së Madhe”, siç quheshin nga populli këto rrugë. Sot ruhen në këmbë dhe funksionojnë 9 ura, kurse 7 të tjera janë rrënuar. Midis tyre 3 kanë qenë mbi lumin Mat, kurse 13 të tjera mbi degët e tij.

Urat që ruhen në gjendje të mirë, gjithsej janë nëntë. Pesë prej tyre gjenden në Gurë të Gardhë, ndërsa të tjerat në katundet Klos, Dars, Patin dhe Gurrë e Vogël. Populli ato i njeh me emrat: Ura e Vashës, Ura e Skurës, Ura e Kulmares, Ura e Hoxhajve, Ura te Gurrat, Ura e Allamanit, Ura e Halilajve, Ura e Shahinit dhe Ura e Shën e Premtes.

Për ndërtimin e urave fillimisht është zgjedhur vendi, aty ku kalonte rruga, me shmangie sipas terrenit. Vendi për ngritjen e urës është zgjedhur shkëmbor me brigje të larta ose të ulta ku janë hapur dhe themelet e këmbëve të urës. Më tej është ngritur armatura, mbi të cilët janë ndërtuar qemerët e urës. Gurët, me të cilët janë ndërtuar urat janë gëlqerorë, ranorë apo shpani (çmërsi). Gurët i janë nënshtruar daltimit dhe kanë formë kuadratike të rregullt, me përmasa 50 – 60 cm gjatësi, 40 – 45 cm gjerësi, 15 – 20 cm trashësi. Për ndërtimin e një ure me përmasa mesatare, siç është ajo e Skurës, janë dashur 800 blloqe kuadratikë të skalitur.

Hollësi për vendndodhjen, ndërtimin dhe funksionimin e tyre, studjuesi matjan, Dilaver Kurti i ka botuar në revistën “Monumentet” nr. 2, të vitit 1984. Në këtë studim ai jep detaje të imtësishme për historikun e ndërtimit të tyre dhe përshkrimin fizik.

Nga ky studim shkëputëm pak të dhëna, veçanërisht, për dy urat, ku ndodhemi sot.

URA E VASHËS ndërlidh dy brigjet e lumit Mat dhe ka qenë i vetmi mjet komunikimi në rrjedhën e sipërme të lumit të Matit.

Këmbët e saj janë vendosur në dy brigjet shkëmbore të lumit, shpatulla e djathtë në malin Vërrithit dhe e majta në malin e Dishit.

Ndërtimin e Urës së Vashës në këtë pikë e ka diktuar kalimi i rrugës së rëndësishme të karvaneve, që nisej nga Durrësi e fushat bregdetare për në Tiranë, Shkallë-Tujani, Qafë-Murrize, Guri i Bardhë, Ura e Vashës, Klos, Plani i Bardhë, Qafë-Buall për në Dibër. Kjo urë ka mbajtur mbi shpatullat e saj gjithë barrën e karvaneve të rrugës për në Dibër, e cila lidhte Dibrën me bregdetin nga merrej kripa dhe produkte të tjera.

Ura e Vashës nuk ka pasur këtë emër, ajo quhej Ura e Skurës. Ajo është sinonim i urës me emrin Ura e Vashës që gjendej jo shumë larg saj, në Sheun e Dishit, degë e majtë e lumit të Matit dhe që sot quhet Ura e Skurës ose Ura e Vogël. Duke qenë më e rëndësishme dhe emri Ura e Vashës më simbolik, ka përvetësuar emrin e urës në fjalë duke u njohur si e tillë në gojën e kalimtarëve. Urën e Vashës e ka ndërtuar si vepër bamirësie Haxhi Hajrulla Skura nga lagja Mansaj e Gurit të Bardhë.

URA E SKURËS gjendet mbi përroin e Dishit, disa metra në perëndim të Urës së Vashës. Ura është vendosur mbi dy shpate shkëmbore të ulëta buzë rrjedhës së përroit. Ajo formohet nga një hark rrethor me qemer të dyfishtë. Ura është e ndërtuar me gurë të bardhë gëlqerorë kuadratikë me forma të rregullta e të daltuara.

Këtë urë e ka ndërtuar një vajzë e pamartuar, Hasime Tuska, nga lagja Laskaj e Gurit të Bardhë. Ndërtimi i kësaj ure lehtëson kalimin e karvaneve në shërbim të Urës së Vashës gjatë itinerarit të rrugës së madhe nga Tirana për në Mat dhe Dibër.

Këtë e vërteton edhe fakti, që në hapësirën afër urave ndodhen rrënojat e hanit të Sinës, kurse në Vërrith ka rrënoja mesjetare. Ndërtimi i Urës së Skurës lidhet me fundin e shek. XVIII dhe fillimin e shek. XIX.

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?