SPECIALE/ Zagarët anglezë në kërkim të gjahut shqiptar! Pasioni për gjuetinë në Shqipëri nga Zogu tek Enver Hoxha

14 Janar, 13:18| Përditesimi: 14 Janar, 13:35

  • Share

Armando Doda nga fshati Armath i Durrësit, që i vogël u apasionua pas gjuetisë. Vëzhgonte me kujdes hapat e familjarëve të tij për të zënë në pritë gjahun.

Kur bëhet fjalë për gjueti nuk mjafton vetëm pasioni. Në krah duhet të kesh një qen rrace me disa karakteristika, siç është vrapimi në distancë të largët.

32-vjeçari prej vitesh stërvit qen gjuetie, të cilët më pas i shet në klientë jashtë vendit.

“Ne marrim këlysh të vegjël, i stërvitim dhe i dorëzojmë tek i zoti kundrejt një pagesë. Kryesisht ata që na kontaktojnë janë italianë”. -thotë Armando Doda.

Dy qentë që ka në krah janë të racës “setter anglez”. Është një nga racat më të bukura të qenve të gjuetisë, me karakteristika të veçanta fizike dhe vështrimin shprehës dhe karakterin miqësor.

Kjo race elegante e vjetër vjen nga Anglia. Fillimisht u përdor si kafshë shtëpiake.

Më pas i vu re nuhatja e hollë që kishin për gjueti dhe u stërvitën për të qenë ndër qentë më të mirë të kapjes së gjahut. Janë mjaft energjikë dhe kërkojnë shumë aktivitet fizik. Jetëgjatësia e tyre varion nga 10 deri në 14 vjet. Në raste të rralla shkon deri në 20 vjet.

Trajnimi i kësaj race nuk është i lehtë për shkak të inteligjencës së saj të lartë. Kërkon durim për edukimin e tyre. Armando e ka, madje e bën me pasion.

“Është punë e vështirë që kërkon përkushtim dhe durim të stërvitësh zagarët që ne i marrim nga mosha 9 muajsh”. -tregon Armando.

Armando Doda e kalon pjesën më të madhe të ditës duke stërvitur qentë e gjuetisë.

Në ditë me shi apo borë, Armando e gjen në malet e Krujës. Është interesante mënyra se si setteret anglezë gjurmojnë gjahun.

Gjuetia në Shqipëri ka historinë e saj, jo shumë të dokumentuar. Arkivi italian Luce disponon foto të hotelit të gjuetisë në Ishull-Lezhë, ndërtuar në fund të vitit 1930.

Fotot i përkasin vitit 1942. Zona përreth hotelit ishte rezervat gjuetie. Në të kanë qëndruar gjuetarë të periudhës së Zogut, gjatë pushtimit italian por edhe të apasionuar pas gjuetisë.

Kjo zonë u frekuentua edhe pas lufte. Vetë Enver Hoxha ka qenë i apasionuar pas këtij sporti, po ashtu Mehmet Shehu dhe të tjerë zyrtarë të lartë të kohës.

Sot janë të shumtë ata që këtë pasion e kanë mbyllur me çelës. Armandi është pjesë e shoqatave për gjueti të ligjshme por që prej vitit 2014 nuk e ushtron pasi në Shqipëri u vendos moratorumi i gjuetisë. Sipas tij, ndalimi nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka nxitur gjuetinë e paligjshme.

“Gjahtarët e paligjshëm vrasin pa kriter dhe pa rregulla”. -thotë Armando.

Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të gjahtarëve, qeveria ka vendosur të shtyjë moratoriumin e gjuetisë deri në fund të vitit 2025 me qëllim ruajtjen e kafshëve e shpendëve të egër në pyje.

Sot Armandi rend maleve me dy zagarët e tij të racës angleze. Gjuetia për të nuk thjesht një sport apo pasion, por një mënyrë të jetuari pa të cilën ndjehet i paplotësuar.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 15/01/2024 00:29

    Zoteri,ju flisni per pasojat e moratoriumit njelloj si kompanite ajrore qe pas cdo aksidenti ajror perpiqen t'i minimizojne pasojat duke thene se me shume shans ke te vdesesh nga duhani,apo nga nje aksident autombilistik,se sa nga nje aksident ajror dhe juve pretendoni se moratoriumi nxiti gjuetine e paligjshme! Zoteri,me leje ose pa leje,me moratorium ne fuqi ose jo,gjuetaret e ligjshem ose jo, njelloj vrasin.Ceshtja qendron ne ashpersimin e ligjeve per gjuetaret e paligjshem,por dhe kontroll me i rrepte per te ligjshmit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?