Ishte viti 1856 kur Pietro Marubbi themeloi 'Foto-Studio Marubbi'. Në atë kohë, piktori dhe fotografi Italian nga Piacenza, mbasi e përshkoi Shqipërinë nga jugu në veri, erdhi e u vendos në Shkodër. Asokohe ky qytet ishte një qendër e lulëzuar dhe pikë lidhjeje e rëndësishme falë shkëmbimeve ekonomike e kulturore. Ndoshta ishte atmosfera që gjeti në këtë qytet që e përndriti të sjellë artin e fotografisë duke hapur kështu studion e parë.
Duke mos patur fëmijë, ndihmësit e tij të parë, por edhe vijuesit besnikë në fushën e fotografisë, ishin fëmijët e kopështarit Rrok Kodheli nga zona e Zadrimës. Të dy djemtë, i pari Mati Kodheli e me vdekjen e tij të parakohëshme, vëllai i vogël Kel Kodheli, shkojnë në Trieste të mësojnë mbi mjeshtërinë dhe sekretet e fotografisë te studioja “Sebastianutti & Benque”. Keli ndjek rrugëtimin e Pietros me fotografinë duke trashëguar studion dhe mbiemrin. Më tej vijon i biri Gegë Kodheli (Marubi) duke ndjekur kurse mbi fotografinë për disa vjet pranë shkollës për kinematografi e fotografi të vëllezërve Lumière në Francë. Ajo çka bie në sy ndër tre brezat e fotografëve është dëshira për të qenë bashkëkohorë me epokën dhe kontekstin si nga pikëpamja social-estetike ashtu dhe nga ajo teknologjike.
Ndërkohë, në Shkodër ishin çelur njëra pas tjetrës studio të tjera fotografësh, pjesa më e madhe e të cilëve ishin nxënës të Marubëve: Dritëshkronja e Kolës (1886), Fotografija Pici (1924), Foto Jakova (1932), Foto Rraboshta (1943).
Atelieri i Marubëve vijoi përreth një shekull me një gjurmë individuale e në fillim të viteve ‘50 iu dorëzua anonimatit kolektiv komunist duke u bashkuar me fotografët e tjerë në kooperativë. Në pamundësinë për të përdorur, promovuar e ruajtur punën e bërë nga ai dhe paraardhësit e tij, në një kohë kur çdo lloj aktiviteti privat ishte i ndaluar, i fundit fotograf i Marubëve, Gega, në vitin 1970 i dhuron shtetit arkivin e familjes. Gjesti i tij ndiqet edhe nga fotografët e tjerë të atelieve të qytetit. Këta fotografë që dikur fëmijë, kishin hyrë për të mësuar e punuar te Marubi po rihynin te Marubi jo si Dritëshkrojë por si Fototekë, jo më si nxënës, por si autorë me korpusin e tyre fotografik. Arkivi i grumbulluar me rreth gjysëm milion negativa formoi Fototekën Marubi.
Në vitin 1984 ndrron jetë në qytetin e lindjes, Gegë Marubi trashëgimtari i fundit i Marubve, dinastisë që i dhuroi Shqipërisë një pasuri të jashtëzakonshme e cila as nuk mund të riprodhohet e as nuk mund të zhbëhet.
Komente
