Speciale/Fitorja historike e Vetëvendosjes, qytetarët presin drejtësi dhe punësim! Sfidat e qeverisë Kurti dhe dilema e Presidentit të ardhshëm

17 Shkurt 2021, 18:21| Përditesimi: 17 Shkurt 2021, 18:41

  • Share

Report TV për herë të parë ndoqi nga afër për dy ditë rresht zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë të cilat u zhvilluan në 14 shkurt.

Kamera e Report TV pasqyroi në çdo edicion lajmesh për të paktën 24 orë  zhvillimet më të fundit nga disa zona të Kosovës përfshirë dhe veriun e me shumicë serbe.

791.288 qytetarë në Kosovë, iu drejtuan qendrave të votimit për të shprehur vullnetin e tyre për ndryshim në zgjedhjet e 14 shkurtit një pjesëmarrje e lartë krahasuar me zgjedhjet e tjera. 

Kjo do të mbahet mend dhe si fushata elektorale më e shkurtër në historinë e vendit që zgjati vetëm 10 ditë. Gjithashtu këto zgjedhje u zhvilluan dhe në mes të pandemisë dhe një të ftohti të acartë që pushtoi Kosovën dhe Shqipërinë.

Pavarësisht temperaturave qytetarët e Kosovës ishin te vendosur që të kontribuonin me votë në këto zgjedhje. Të parët që iu drejtuan qëndrave të votimit, ishin liderët e partive politike.

“Sot është ditë e bardhë, e ndritshme ashtu siç do të jetë e ardhmja jonë. Sot kjo nevojë është edhe e drejtë e cila më tej paraqet mundësi dhe rast që duhet përdorur. Kosova si shtet i pavarur këtë të diel i kthehet si sigurim i sovranitetit. Fushatat zgjedhore kanë përfunduar. Sot vendos populli, ”tha Kurti.

“Sot është një ditë e bardhë për Kosovën, është një ditë kur të gjithë qytetarët tanë do ta përcaktojnë të ardhmen e tyre, do ta përcaktojnë fatin e vendit dhe individual. Është një ditë e ftohtë por ftoj të gjithë qytetarët të votojnë, ftesë e veçantë për të gjitha vajzat dhe gratë,” tha Osmani.

Votimet u mbajtën nën masa të shumta sigurie për të shmangur rritjen e shkallës së infektimeve nga COVID-19.

Pavarësisht se në disa raste ka pasur shkelje të këtyre masave qytetarët shprehen se gjatë votimit janë respektuar masat dhe kufizimet.

Mendimin e tyre me votë e kanë shprehur edhe personat të cilat ishin të infektuar me COVID-19, ose të sëmurë në spitale, mjaft që të kishin dërguar tre ditë para zgjedhjeve një kërkesë, për votim nga shtëpia apo spitali ku gjendeshin.

Pavarësisht pandemisë kufizimeve që kushtëzonin udhëtimet, të shumtë ishin dhe emigrantët që erdhën në kosovë për të shprehur vullnetin e tyre me votë, plot 196 autobusë dhe mbi 7000 makina personale

Lëvizja vetëvendosje arriti një fitore historike në këto zgjedhje plot 378.550, qytetarë votuan forcën politike të drejtuar nga Albin Kurti. Duke i dhënë atij një shumicë prej 47,86% të votave rreth 205 më shumë se në zgjedhjet e 6 tetorit të 2019.

Në fjalimin e tij të para mbështetësve Kurti tha se zgjedhjet ishin referendum.   

“Ishin zgjedhje të jashtëzakonshme. Është një lajm i mirë për Republikën e Kosovës dhe vitet e ardhshme që vijnë.  Qytetarët sot u bënë bashkë dhe morën pjesë masivisht në zgjedhje dhe u vërtetua vullneti i qytetarëve. Me orë të tëra kanë qëndruar në acar dhe kanë udhëtuar me orë të tëra për të votuar. Ky referendum u fitua .Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës. Na pret shumë punë e angazhim. Rruga përpara është e gjatë dhe do të ketë pengesa, do të bëjmë ndonjë gabim por qëllimin e kemi fisnik. Nuk do të hakmerremi ndaj askujt por do të kërkojmë përgjegjësi. Kjo ditë do të mbahet mend nga gjeneratat që do të vijnë si ditë kur fitorja u erdhi qytetarëve. Nuk do ta kemi prioritet krijimin e ekipit të dialogut me Serbinë që në të gjitha matjet e opinionit publik dialogu është në vendin e gjashtë e herë në vendin e shtatë. Neve na kanë zgjedhur këta qytetarë dhe u përgjigjemi atyre. Prioritet i kemi drejtësinë dhe punësimin”, tha Kurti.

Anketat dhe sondazhet që u publikuan para zgjedhjeve kishin të drejtë se “Vetëvendosja” e Albin Kurtit do fitonte zgjedhjet me një diferencë të madhe nga kundërshtarët.

Këto zgjedhje shënuan dhe një standard të ri për të gjithë rajonin e Ballkanit pasi jo vetëm rezultati doli në kohë rekord që nuk është e re për Kosovën por të gjithë humbësit e zgjedhjeve përshëndetën fituesin dhe njohën rezultatin.

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ishte nga të parët

 “Rezultati i sotëm e vë VV-në në pozitën e parë, ndërsa  PDK në pozitën e dytë. Unë dua ta uroj Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin e arritur dhe dua t’i ftoj që të punojnë që të forcojnë shtetin dhe institucionet e Kosovës. tha Hoxhaj. 

Gati  800 mijë votues përcaktuan forcën e tretë më të fortë, “Lidhjen Demokratike të Kosovës”, me rreth 13 përqind të miratimit.

Për “Lidhjen” që dikur mbizotëronte skenën politike në Kosovë, e cila u themelua nga aktivisti kosovar për të drejtat civile dhe heroi Ibrahim Rugova, i cili vdiq në 2006, është rezultati më i keq në historinë e saj. Isa Mustafa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është shprehur se LDK-ja do ta respektojë rezultatin e zgjedhjeve. Por pa kaluar ende 24 orë nga përfundimi i votimeve, Mustafa dhe gjithë ekipi drejtues dha dorëheqjen duke lënë shumë pikëpyetjeje në lidhje me atë se çfarë do të ndodhë.

Si forca e katërt, “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës” të ish-udhëheqësit komandantit Ramush Haradinaj u zhvendos në parlamentin e shtetit më të ri në Evropë. Ajo arriti në rreth 7.5 përqind. Përveç kësaj, disa anëtarë të popullatës serbe dhe pakicave të tjera, të cilët kanë garantuar mandate sipas kushtetutës, hyjnë në parlament. 

Fitorja e Albin Kurtit ka ngjallur reagime të shumta në politikën ndërkombëtare, të cilët shpresojnë në një stabilizim të situatës politike në vend dhe vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi. Një ndër ta ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i cili uroi presidenten në detyrë Vjosa Osmani dhe tha se mezi pret të punojë me qeverinë e re me objektiv kryesor njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne mezi presim që të punojmë me Qeverinë e ardhshme për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. Ka shumë punë për të bërë, përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë, me të cilën forcohet sundimi i ligjit, përballimi i pandemisë globale COVID-19 dhe nxitja e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme të prosperuar për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Biden.

 

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett ka uruar qytetarët e Kosovës për daljen në zgjedhjet parlamentare, duke thënë se ata me këtë kanë demonstruar përkushtim ndaj demokracisë dhe një vizion për të ardhmen.

 “Urime qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë demonstruar përkushtim ndaj demokracisë dhe një vizion për të ardhmen. Amerika qëndron me Kosovën dhe ne shpresojmë të punojmë me qeverinë e re, sapo të formohet, në qëllimet e përbashkëta të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit”, shkruan Kosnett.

 

Dy komisionerët kryesorë të BE-së, për politikën e jashtme Joseph Borrell dhe Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, kanë treguar vlerësimin për procesin zgjedhor dhe shprehën besimin në vazhdimin e dialogut, njëjtë është shprehur edhe i dërguari special i BE për dialogun.  që çdo gjë do të shkojë në rrugën e duhur.

“Zgjedhjet e djeshme në Kosovë treguan maturitet të institucioneve të saj, të gjithë aktorëve dhe partive politike. Qytetarët e ngritën zërin e tyre në mënyrë që ai të dëgjohet dhe po pres që të punoj me qeverinë e re për vazhdimin e Dialogut’, shkroi Lajçak.

Fitorja e bindshme e Kurtit në zgjedhjet e 14 Shkurtit nuk është e mjaftueshme për ti siguruar atij i vetëm maxhorancë. Kreu i PDK ka mohuar një bashkëpunim të mundshëm, për shkak të ndryshimeve në bindje.

 “PDK-ja nuk do jetë pjesë e qeverisë, meqë ne kemi dallim të madh në orientimet tona politike, dhe jemi shumë larg njëra tjetrës dhe nuk bëjmë kompromis mbi vlerat që është ndërtuar dhe mbi të cilat qëndron PDK. Kosova ka nevojë për stabilitet, dhe ne zotohemi si PDK që të jemi faktor i stabilitetit nga pozita e partisë kryesore në opozitë", tha Hoxhaj. 

Ndërkohë që kreu i AAK-së është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me Vetëvendosjen.

Bashkëpunim që për më shumë se kurrë është i nevojshëm për të zgjidhur krizën presidenciale dhe zgjedhjen e një presidenti të ri për vendin.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?