Kultura

SPECIALE/Lamtumirë Piro Mani, një qiri i ndezur në artin shqiptar! Regjisori ishte një 'akademi' për artistët shqiptarë

7 Qershor 2021, 19:07| Përditesimi: 7 Qershor 2021, 21:17

  • Share

Piro Mani, një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare. Ai lindi në Korçë më 14 Prill të vitit 1932. Aktor dhe regjisor i niveleve të jashtëzakonshme, si dhe pedagog i shkëlqyer për dekada, ai luajti dhe vuri në skenë me dhjetëra role dhe shfaqje , për t’u nderuar me shumë çmime dhe duke fituar duartrokitjet e respektin e merituar të artdashësve. Ai la pas një trashëgimi të vyer kulturore, që na bën krenar të gjithëve dhe që përherë do të mbetet një shembull frymëzimi për brezat e artistëve të rinj. 

Ishte pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta të Pirro Manit, ku personalitete të politikës dhe të artit e kulturës shprehën hidhërimin për ndarjen e tij nga jeta.  Kryeministri Edi Rama shkroi se Pirro Mani ishte aktor dhe regjisor i niveleve të jashtëzakonshme, ndërkohë që ka luajtur dhe ka vënë në skenë dhjetëra role e shfaqje. Ata që punuan me të kanë shumë më tepër për të thënë. Aktori ka ndërruar jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte prej disa kohësh së bashku me bashkëshorten, aktoren e njohur Pavlina Mani dhe familjen e tij.  Trupi i tij është endje atje, por fryma e Piro Manit do të vijojë të endet gjatë në jetën e teatrit shqiptar, një frymë që frymëzon. 

Homazhe me qirinj dhe lule, kjo është mënyra për t’i dhënë lamtumirën e fundit mjeshtrit të regjisurës së filmit dhe teatrit kombëtar. Mbrëmjen e së premtes, drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli ka improvizuar në ambientet e jashtme të Art Turbinës ku është zhvendosur tashmë trupa e teatrit një skenë për të qenë të gjithë pjesë e një homazhi shpirtëror në nder të Piro Manit, një prej korifenjve të skenës shqiptare, pedagogut dhe artistit të dashur. Të gjithë janë aty, dramaturgu i njohur Ruzhdi Pulaha, aktorët Robert Ndrenika, Mirush Kabashi, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, e regjisorë e aktorë të njohur. E jo vetëm ata.  Kanë ardhur artistë nga fusha të tjera të artit; skulptori i njohur Muntaz Dhrami, por edhe piktorë, artistë, muzikantë edhe  ish-studentët e mjeshtrit, që për mbi tri dekada personifikoi teatrin dhe filmin shqiptar. 

Piro Mani studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet.  Që nga 1967 – 1992 ka qenë regjisor i Teatrit Kombëtar, ku ka vënë me dhjetëra pjesë teatrale. Rajmonda Bulku, ndjeshmërisht rrëfen portretin e regjisorit, duke kujtuar rritjen si aktore dhe të kolegëve të saj. Ishte koha e Piro Manit, regjisori që frymëzoi regjisorët e aktorët më të mirë. Ai ishte mjeshtër i aktrimit dhe regjisë. Në fillimet e teatrit dhe të filmit shqiptar, ai mbeti një model aktori i papërsëritshëm në krijimin e plotë të figurës së personazhit, cilësi që e konvertoi në një vlerë edhe më të madhe të mësimdhënies në shkollën e aktrimit shqiptar

Pas emrit të ndritur të Piro Manit vjen një gjeneratë artistësh me emër. Ai ishte modeli. Do të kishte qenë një humbje e madhe për artin shqiptar, nëse nuk do të ishte Piro Mani. Artit shqiptar do t’i mundonin veprat monumentale.  Nëse nuk do të ishte Piro Mani, shkollës së artit skenik do t’i mungonin shumë risi, shumë modele origjinale që kanë krijuar tashëm fizionominë e teatrit shqiptar.  Nëse nuk do të ishte Pirro Mani, teatrit shqiptar do t’i mungonin dhjetëra personazhe e karaktere që kanë lënë gjurmë në kujtesën e publikut. E gjithë vepra e Piro Manit është edhe një barrë e rëndë për t’u trashëguar nga institucionet shqiptare të kulturës. 

Piro Mani ishte një regjisor që krijoi në një kohë trazimesh e shtrëngesash ideologjike. Mjeshtrit e regjisë që punonin me të u burgosën dhe u privuan nga diktatura, ndërsa Piro Mani, ashtu me krahë të këputur mbajti të gjithë peshën e profesionalizmit dhe mbijetesës së verdiktit të artit kundrejt atij të ideologjisë. E vështirë, por dashuria për teatrin i qëndronte mbi krye si bekim hyjnor, si një engjëll mbrojtës. Piro Mani ishte i lindur për teatrin dhe regjinë. Magjia e tij skenike kishte mbetur në kujtesën e largët të shokëve të shkollës që bëri në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Ata nuk e harruan kurrë aktorin më të mirë të klasës që vinte nga Shqipëria e largët. Në vendin e tij ai duhej që të bënte vepra të mëdha.

Në karrierën e tij artistike Pirro Mani numëron mbi 80 shfaqje. Ishte mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës.  Ai ishte regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar dhe ka qenë drejtor i këtij teatri. Shfaqjet kulminante me regji të Piro Manit janë: “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj. Është angazhuar edhe në disa filma artistikë dhe ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”. Pirro ishte një akademi. Bëri një epokë në teatrin shqiptar. Për këtë flasin ata që kanë kontribuuar më shumë për teatrin. Pikërisht ata që u përpoqën krah tij për lulëzimin e teatrit shqiptar. 

Emri i Piro Manit i kapërcen kufijtë e shqiptarisë. Aktori, regjisori, dramaturgu dhe shkrimtari Xhevat Limani nga Struga ka ardhur të ndez një qiri dhe të thotë fjalë zemre për yllin e një teatri që falë Pirro Manit diti të flasë bukur shqip.  Piro Mani e mësoi publikun që teatri të bëhej pjesë e jetës.  Mirënjohja nuk rresht, aktorja Luiza Xhuvani shpreh atë që kanë në zemër gjithë aktorët që nxiti në skenë, studentët që përgatiti në shkollën e regjisë dhe aktrimit. Ata ndihen të bekuar me praninë në jetën e tyre artistike të regjisorit të madh Piro Mani.

 Lamtumirë mjeshtër! Lamtumirë Piro Mani!

Aktori dhe regjisori Piro Mani dhe foto nga homazhet

Ora 19:12
Foto/ I jepet lamtumira e fundit Piro Manit

Aktorit dhe regjisorit të njohur Piro Mani i është dhënë lamtumira e fundit në SHBA, aty ku dhe ndërroi jetë. Të pranishëm në ceremoni kanë qenë familjarët dhe miqtë e tij. Fjala e lamtumirës është mbajtur nga Pëllumb Kulla.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?