Speciale
Sociale

Speciale/Motër Grazia, një Nënë Terezë e dytë në Fushë-Arrëz! Historia e misionares gjermane që kontribuoi më shumë se shteti për banorët

28 Dhjetor, 14:08| Përditesimi: 28 Dhjetor, 14:51

  • Share

Prej vitit 1995, nuk e ka ndalur asnjëherë misionin për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. Kjo është motër Grazia Ruf, misionarja gjermane që nuk ka banor të Fushë Arrësit dhe zonave përreth që nuk e njeh. Një tjetër familje do të ketë çati të re falë saj. Si zakonisht Motër Grazia po ndjek ecurinë e punimeve me qëllim që gjithçka të kryhet në kohë dhe me cilësi.

Fatin e kësaj familje e kanë patur shumë në Fushë Arrëz e jo vetëm. Rinovimi dhe ndërtimi i banesave për të pamundurit është vetëm një ndër qëllimet e misionit të Motër Grazia Ruf. Historia e kontributeve të saj nis më 26 Prill 1995.

HISTORIA E MOTËR GRATIAS RUF

“Kam lexuar një gazetë një herë në Gjermani, për Shqipërinë, pastaj kam parë fotot dhe kam menduar të shkoj në Shqipëri. Nuk kam dituar asnjë send si është situate vetëm kam kuptuar që ka njerëz që kanë nevojë për ndihmë. Ishte Monsinjor Fran Ilia, ipeshkëvi i parë në Shkodër. Ai kishte dëshirë dhe më ka pyetur: a mund të shkoni në Fushë-Arrëz? Kemi qenë në Burrel njëherë por nuk më ka pëlqyer, Në Fushë Arrëz kam parë shtëpinë, shiu që binte jashtë, hynte dhe brenda. Por ambienti më ka pëlqyer menjëherë dhe më pas kam thënë: po, unë do të rri në Fushë-Arrëz.” e nis historinë e rrugëtimit të saj në Shqipëri, misionarja gjermane.

Motër Grazia tregon se në atë ato fillime nuk kishin ende një shtëpi pasi godina ku janë sot ka qenë e pabanueshme. Ajo qëndroi në një hotel ku së bashku me misonaret e tjerë morën disa dhoma me qira.

Në shkallët e hotelit kanë bërë edhe katekizmin e parë që u pasua nga shumë të tjerë. Me syrin e një të huaje ajo kuptoi se varëria ishte e dukshme ngado.

“Njerëzit ishin shumë të varfër. Në dyqan kishte patate, qepë, pure edhe vezë, asgjë tjetër. Njerëzit nuk kishin as rroba për të veshur. Vetëm një palë pantallona që I lanin në mbrëmje dhe i vendosnin pranë sobës për t’u tharë që t’i vishnin të nesërmen. Ishin shumë shumë të varfër. Ne thamë fillojmë njëherë. Nuk kishim furnizime të mëdha, bënim çanta me ndihma për të ndihmuar sadopak njerëzit”tregon Motër Grazia.

Kur u zhvendosën në këtë shtëpi, u shtuan dalëngadalë edhe furnizimet. Bënë pako me ushqime e thasë me rroba. I shpërndanë në njerëzit që banonin në Fushë-Arrëz e përreth. Motër Grazia tregon se në atë kohë ka patur shumë banorë.

“Më kujtohet, në fshatin Qafë Mali kanë qenë 300 familje. Ndërsa tani siç e dini edhe ju vetë, shumë shumë njerëz kanë ikur. Edhe dy shkollat kishin 4 klasa paralele. Sot është trishtim i madh.”shprehte misionarja.

Nisën të shpërndanin ndihma për çdo familje në çdo fshat. Shumë njerëz kanë qenë pa punë e nuk kishin asgjë, vëren misionarja gjermane. Kjo i shtyu që yë nisnin të përgatisnin pako me ushqime enkas për fëmijët të cilat i vazhdojnë edhe sot e kësaj dite për ata që kanë nevojë. Një tjetër risi për kohën ishte adoptimi në distancë për të cilën bashkëpunuan me shoqata nga Gjermania dhe Austria.

“Kishte mbi 300 fëmijë nga 300 familje janë ndihmuar cdo muaj. Sot nuk kanë nevojë si në atë kohë, por sot kemi rreth 150 familje që u japim ushqime cdo dy muaj.”

Pas nevojave bazike për ushqim e veshmbathje, fëmijëve në Fushë Arrëz iu është dhënë mundësia e shkollimit brenda e jashtë vendit. Pasi sipas motër Grazias kjo është mënyra më e mirë që nesër të krijohen familje të shëndetshme dhe të qëndrueshme ekonomikisht.

Anduel Kovaçi sot është një tenor dhe këngëtar i njohur. Fillimet e tij në muzikë kanë qenë me korin e kishës, aty ka mësuar të këndojë e I janë dhuruar nga motër Grazia instrumentet e parë. Falë saj ai është shkolluar dhe diplomuar në degën e kantos. Për të ndihma e motër Grazias nu ishte thjesht ekonomike por edhe shpirtërore.

Francesk Gega është një tjetër i ri nga Fushë Arrëzi që është diplomuar për veteriner në Universitetin Bujqësor të Tiranës e që sot gjendet në Gjermani. I gjithë rrugëtimi i tij është ndikuar gjithashtu nga misionarja gjermane.

Francesku tregon se janë të shumtë studentët nga Fushë Arrëzi që janë diplomuar falë bursës së siguruar nga motër Grazia. Prandaj dalenderimet thotë ai janë mëse të pamjaftueshme.

Qendra shëndetësore Fushë Arrëz është mbështetur që prej vitit 1995 nga misionarët e kryesuar nga motër Grazia. Në funskion të të sëmurëve është vënë ambulanca e kishës Shën Jozefi. Ndërsa për të sëmurët ofrohet kurim dhe ilaçe falas.

Dr Nikolin Bardhoku, drejtor i kësaj qendre tregon kontributet nuk janë vetëm në infrastrukturën shëndetësore, por edhe nëpërmjet projekteve bashkëpunimeve me Austrinë dhe Gjermaninë.

Aty ku nuk ndërhyn dot shteti, ka ndërhyrë motër Grazia. Madje edhe për ndërhyrjet e pamundura kirurgjikale.

Rrugëtimi i saj në Shqipëri ka hasur jo pak vështirësi. Megjithatë të shënjuara në kujtesën e saj janë vetëm dy vite. 1999 kur 4 persona të armatosur hynë në kishë dhe plagosën një ndër motrat që shërbenin aty. Dhe viti i trazirave, 1997.

Ato ditë janë të hedhura pas krahëve për motër Grazian. Ajo zgjedh të flasë për momentet e bukura. Ndërtimi i kësaj shtëpie është një prej tyre.

Motër Grazia ka depërtuar në mentalitetin e shqiptarëve dhe sheh se ky vend i bukur me nëntokë të pasur dhe tokë pjellore siç e përkufizon ajo Shqipërinë, ende nuk është kuptuar sic duhet nga banorët e vet.

Prandaj ajo ka zgjedhur që të mos u shërbejë njerëzve vetëm me të mira materiale, por edhe shpirtërore. E falenderojnë të krishterë dhe muslimanë sepse për misionaren gjermane janë të gjithë të barabartë.

I tha po qëndrimit në Shqipëri në prill të vitit 1995 dhe sot kërkon të bëjnë të njëjtën gjë edhe shqiptarët. Kjo është motër Grazia Ruf.

S.G/E.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Qofsh e bekuar: 28/12/2024 20:51

    Faleminderit moter!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?