Drejt Punës
Speciale

Speciale/Pensionistët që bëjnë punët e (pa)mundura nga të rinjtë

25 Maj, 14:17| Përditesimi: 25 Maj, 14:25

  • Share

Dalja në pension ka nënkuptuar kohën kur duhet të pushosh e të merresh me gjithçka nuk ke mundur deri në atë ditë. Por në Shqipëri jo të gjithë duan të mos jenë më aktivë, disa sepse e duan punën e të tjerë sepse ndihen të detyruar nga shifra e pamjaftueshme e parave në fund të muajit.

Të dhënat më të fundit të Eurostat të publikuara në shkurt të vitit 2025 treguan se popullsia mbi 65 vjeç ishte 33,9% e forcës së punës. Ndërsa sipas të dhënave të INSTAT nga Censi 2023, raporti i varësisë së të moshuarve ndaj forcës së punës ishte 30,4%, shumë më e lartë se në vitin 2011, kur treguesi ishte 16,4%, dhe në vitin 2002, vetëm 12,3%. Kjo do të thotë se tashmë ka rreth 3.2 shqiptarë në moshë pune për çdo të moshuar mbi 65 vjeç. Ata i gjejmë në të gjithë vendin.

Në një rrugicë të qytetit të Lezhës, nënë Lizën e shohim çdo ditë teksa thur me shtiza triko, jelekë, çorape si dhe qëndis mbulesa, shami e aksesorë të tjerë.

Në stendën e nënë Lizës nuk mungojnë veshjet e gruas mirditore, pjesa më e rëndësishme e identitit kulturor të vendit të saj të origjinës. Liza Gjikolaj është 83-vjeçe dhe detyrohet të shesë në rrugë punimet e saj të dorës, diktuar nga kushtet e vështira ekonomike.

Nënë Liza tregon për Report TV se ka mësuar të thurë me shtiza dhe të qendisë me grep që në moshë fare të vogël.

"Nuk kishim si të jetonim. Bënim çorape e rrobat me dorë. Kishim 4 kalamaj. Nuk mund të rri pa punuar", thotë ajo.

Punimet artizanale me grep e shtiza, janë për 83-vjecaren pasion i kahershem por dhe mjet fitimi pasi pensioni është i pamjaftueshem për të përballuar jetesën. Nënë Liza na tregon se kohët e fundit shitjet kanë rënë ndjeshëm megjithatë ajo do të punojë derisa të ketë fuqi.

"Pa lodhje nuk ka punë. Prej 10 vitesh që jam në Lezhë jam marrë me këtë punë. Tani të rejat nuk i vënë pe gjilpërës, se nuk kanë as nevojë por ne nuk kishim", thotë Nënë Liza.  

Në një botë që ndryshon me ritme të shpejta drejt industrisë e teknologjisë, Liza Gjikolaj është shembulli më frymëzues i përkushtimit ndaj punës dhe ruajtjes së vlerave të trashëgimisë, ku një pjesë të rëndësishme e zënë punimet artizanale.

Ashtu si nënë Liza janë edhe shumë gra pensioniste në Fier që kanë zgjedhur punën e dorës për të plotësuar boshllëqet financiare.

Kjo pamje haset çdo ditë në pranë lulishtes në Xhaminë e qytetit.

Një treg i improvizuar, ku shiten punime artizanale.

Vasilika dhe Vojsava janë vetëm dy prej tyre, të cilat për orë të tëra thurin papuçe e triko, me motive tradicionale e kombëtare.

“Jam një punonjëse që merrem me punimin e leshit Kam punuar dhe në tezgjah para 20 vitesh duke prodhuar qilima . Kam punuar dhe rrugica. Por tani siç e shikoni jam shkëputur dhe jam ulur këtu dhe punoj me shtiza”, shprehet Vasilika Branushi.

 “Kam 20 vjet që punoj punëdore”, tregon Vojsava Muka.

Më shumë sesa pasioni, kushtet e vështira ekonomike kushtëzojnë daljen e tyre.

Ato thonë se pensioni nuk u mjafton për të përballuar jetesën dhe shitja e këtyre punimeve është shpresë për të fituar të holla.

“Pensioni është shume i ulët dhe nuk e përballojmë dot me hallet që kemi prandaj dhe dalim këtu për të shitur. Jetesa nuk përballohet dot me pension. Kjo katër mijë lek që na shtuan s’na del, çfarë do bësh me ato! Nuk na del as për kafen! Jemi këtu çdo ditë në shi, breshër  duke shitur punët e dorës. Vendosim një çadër aty dhe  presim klientët. Rrimë deri në orën 12 dhe largohemi në shtëpi. Puna jonë është e bukur dhe artistike por s’kanë lek njerëzit për t’i blerë. Kemi shumë punime, se ne punojmë edhe në shtëpi edhe këtu ku presim klientët”, shprehet Vasilika Branushi.

“Nuk ushqehemi dot me pension  se e kemi shume të ulët. Na ndihmojnë fëmijët që kemi në emigrim për të blerë materialin se është i shtrenjtë. Ndonjëherë dalim me fitim nga shitjet ndonjëherë jo. P.sh tani ka 15 ditë që kane rënë shitjet. Ky nuk është treg i mirëfilltë, por ndihmohemi nga bashkia”, tregon Vojsava Muka.

Vasilika dhe Vojsava thonë se janë rreth 50 gra që shesin produktet e tyre në këtë të ashtëquajtur treg, kryesisht pensioniste.

Rruga është vendi i punës edhe për Ferdinand Makrin në Gjirokastër.

Prej më shumë se tre dekadash gdhend me daltë, duke u bërë simbol i mjeshtërisë së gdhendjes së gurit në këtë qytet.  I ulur në një stol në hyrje të kështjellës ai vazhdon një trashëgimi e lenë prej të atit në kohën kur vlera e punës ishte më e çmueshme se kurrë.  Ferdinandi e skalit gurin në moment. Në duart e tij, një gur i thjeshtë shndërrohet në një pamje piktoreske të Gjirokastrës, flamurin shqiptar, një lule delikate, apo çfarëdo që i kërkon klienti.

“Unë e kam pas trashëgimi, nga gjyshi nga babai. E kam mësuar këtë zanat që në moshën 8 vjeç dhe e kam vazhduar pas viteve 90-91. Unë bëj gjithçka. Çka janë të interesuar të huajit, ata marrin gjithçka. Pamje nga Gjirokastra një qen a një lepur, na një lule. Çdo gjë që del nga dora ime e pëlqejnë shumë.”

Por kërkesat më të pazakonta të turistëve vijnë për portrete të figurave të komuniste.

“Gdhendjen e Enver Hoxhës ma kanë kërkuar, ma kanë kërkuar shumë shpesh. Edhe stalinin. Sidomos kohërave të fundit kam pas shumë kërkesa. Edhe për Stalinin po ashtu, por unë nuk i kam bërë sepse kërkon shumë kohë, përkushtim”.

Çdo punim është një proces i ndërlikuar, ku emocionet luajnë rol të madh.

“Varet nga gjendja emocionale. Sa më në formë të jesh aq më shpejtë e punon. Pastaj një punim mund të shkojë në kohëzgjatje nga 2 orë deri në 3 ditë. Varet edhe nga puna që kam në dorë.”

Ferdinand Makri e trashëguar zanatin tek djali e nipi dhe kjo për të është fitorja më e madhe. Por përtej gjithçkaje që lidhet me pasionin. gdhendja e gurit për të moshuarin është burim i rëndësishëm jetese.

“Unë këtë e kam gjet si një mundësi pune, thjesht e shoh sikur jam i punësuar edhe marr një rrogë. Jam i kënaqur me një rrogë 500-700 mijë në muaj dhe arrij të ha. Gjatë dimrit nuk është na një gjë kushedi. Por këto muaj deri në fund të tetorit jam mirë. Këto 4-5 muaj punoj.”

Dikur ish-ushtarak, sot ne pension, Zenel Zarka, është një ndër ato raste frymëzuese që na tregon se “ushqyerja” e trurit me dije nuk është kurrë e mjaftueshme.

Çdo ditë, për 13 vite me radhë, qëndron në bulevardin e Skelës në Vlorë në pritje te blerësve. Me një kapele në kokë dhe i ulur pranë kioskës së tij të mbushur plot me libra na kujton vlerën e leximit dhe pasionin për dijen. Ai rrëfen se gjatë jetës ka lexuar pafund dhe nuk do ndalet asnjëherë.

“Këtu e kam gjetur veten mirë sepse jam rritur në një mjedis me libra, kam jetuar me librin edhe e dua atë. Unë kam lexuar me mijëra libra nuk e them për mburrje por po. Tani jam 72 vjeç dhe lexoj edhe sot”, Zenel Zarka.

Tregtia e librave, për të nuk është vetëm një burim të ardhurash, por mbi të gjitha një mision për të përcjellë dashurinë për leximin sidomos tek brezi i ri.

“Unë kënaqem se i marr pesë lekë sepse pensionist jam, por edhe kënaqem kur shoh brezat e rinj që blejnë, ndjej kënaqësi të veçantë”, tha ai.

Librashitësi vlonjat ka edhe një mesazh për shtëpitë botuese.

“Ndihem keq kur ndonjë fëmijë kërkon një libër edhe prindërit nuk kanë mundësi t’ia blejnë. Unë u bëj thirrje shtëpisë botuese të ulin çmimet”, shprehet Zenel Zarka. 

Çdo ditë pranë kioskës së tij ndalojnë qytetarë të moshave të ndryshme por dhe turistë. Disa kërkojnë letërsi klasike, të tjerë libra historikë, romane apo poezi. 72-vjeçari nuk e sheh thjesht si punë, por edhe si mision për të përçuar vlerën e dijes dhe leximit.

Në një tjetër kënd të vogël të Vlorës, midis zhurmës së qytetit dhe hapave të njerëzve që vijnë e shkojnë, ndodhet punishtja e Hamdi Memetit, mjeshtrit të vjetër të këpucarëve. Çdo qepje, çdo ngjitje dhe çdo prekje mbi lëkurën e këpucëve mbart historinë e tij 52 vjeçare me këtë zanat.

Këpucaria sot për Hamdiun është një zanat i pa pëlqyer nga të rinjtë, por që mund ta realizojë pa shumë mundim edhe një i moshuar.

Një zanat qe sipas Hamdiut nuk të le pa bukë dhe ndjen lodhje, ai del çdo ditë në punë.

“Lodhja? Unë nuk e njoh lodhjen! Për mua, këpucaria është jetë”, thotë ai me një buzëqeshje të sinqertë, ndërsa vazhdon të punojë mbi një palë këpucë të vjetra që dikush ka sjellë për riparim.

Ndër vite, klientët e tij janë bërë më shumë se thjesht klientë. Ata janë miq, njerëz që e vlerësojnë mjeshtërinë e tij dhe që e dinë se duart e Hamdiut mund të rikthejnë në jetë edhe këpucët më të vjetra.

“Ka shumë të huaj që sjellin këpucët për të riparuar. Më së shumti janë gra që blejnë këpucë të shtrenjta dhe duan ti riparojnë se skanë mundësi ti blejnë sërish”.

Pavarësisht moshës 72-vjeçari nuk ka menduar asnjëherë të ndalojë, dalja në pension nuk e ka penguar, përkundrazi për të mosha është thjesht një numër.

“Sa të kem fuqi, do të jem këtu. Ky është zanati im, dhe nuk di të bëj tjetër”, thotë ai.

Këshilli i Ministrave ka miratuar tashme ndryshimet në ligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të cilat i hapin rrugë punësimit të pensionistëve, duke iu hequr detyrimin e pagimit të kontributeve. Madje janë ftuar të gjithë mësuesit pensionistë që duan të punojnë, të kthehen të japin mësim me orar të reduktuar.

Shkëlqim Ruçaj e ka vazhduar profesionin e mësuesit edhe këto 8 vite pas daljen në pension, duke ndihmuar brezat e rinj të përvetësojnë sa më mirë lëndën e vështirë të matematikës.

“Unë e kam kohën të organizuar dhe nuk ndjej asnjë shqetësim se jam në pension.”

I dekoruar nga ish-ministrja Lindita Nikolla me Urdhrin  “Naim Frashëri”, profesor Shkëlqim Ruçaj është njëherazi autor i dy librave jashtëshkollorë të matematikës ndërsa ka gati për botim librin e tretë.

“Po punoj për librin e tretë, i cili më merr shumë kohë. Ndërsa në fundjavë vijnë studentët, të cilët kanë nevojë për konsultime në matematikë dhe unë i ndihmoj me kënaqësi”, shprehet më tej.

Ndërkohë profesor Shkëlqimi thotë se matematika nuk ka qënë thjesht një profesion e mision, por njëherazi edhe udhërrëfyese në jetën e përditshme pasi të ndihmon “të bësh llogaritë mirë”.

Për ta përmbyllur me shifra, të dhënat nga Eurostat, tregojnë se vetëm 13% e pensionistëve në BE vazhdojnë të punojnë pas daljes në pension, gjë që tregon se  norma e pensionistëve të punësuar në Shqipëri është rreth 3.6% më e lartë se mesatarja e këtij treguesi në vendet e Bashkimit Europian.

Xh.K/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?