Breshkë

Speciet e rralla të brigjeve shqiptare kërcënohen nga ndotja dhe peshkatarët

18 Qershor 2023, 20:25| Përditesimi: 18 Qershor 2023, 20:27

  • Share

Breshkat e detit dhe fokat mesdhetare janë shfaqur gjithnjë e më shumë në brigjet shqiptare si pasojë e ndryshimeve klimatike, por mbijetesa e tyre kërcënohet nga një sërë faktorësh të aktivitetit njerëzor.

Breshka e ujit caretta-caretta është ndër speciet e rralla që frekuenton brigjet e Shqipërisë. Ky është një rast fatlum, kur breshka del e gjallë nga rrjetat e peshkatarëve. Në të shumtën e rasteve, ato ngordhin nëpër rrjeta pas një kohe të gjatë, pa mundur të dalin në sipërfaqe për frymëmarrje.

Tratat e peshkatarëve përbëjnë rrezikun kryesor për speciet në rrezik zhdukjeje.

Breshkat e detit janë gjallesa të shfaqura rreth 110 milionë vjet më parë dhe njihen si bashkëkohës të dinosaurëve. Ato mbrohen nga akti i Specieve të Rrezikuara i vitit 1973.

Si pasojë e ndryshimeve klimatike, popullata e rrezikuar e breshkave të detit është shfaqur në detin Adriatik edhe për folezim. Studiuesi Enerit Saçdanaku, kërkues shkencor për florën dhe faunën, ndjek me pasion praninë e tyre në brigjet shqiptare.

“Nga 7 llojet e breshkave detare që janë në botë, në Shqipëri janë tri lloje. E para është breshka kokëmadhe, ose siç quhet ndryshe, Caretta Caretta, e dyta breshka e gjelbër ose fluturuese siç është Chelonia mydas dhe breshka kurriz-lëkurore, që është breshka më e madhe në botë dhe quhet Dermochelys coriacea”, thotë Saçdanaku.

Prania e breshkave detare monitorohet edhe nga administrata e zonave të mbrojtura.

“Jemi duke i monitoruar prej disa vitesh. Gjatë viteve të fundit që ne kemi monitoruar, 80% e rasteve të breshkave që janë shfaqur, janë caretta caretta dhe 20% e gjelbra”, thotë Nexhip Hysolakaj, specialist i zonave të mbrojtura.

Breshkat detare janë të ekspozuara përballë disa rreziqeve që vijnë kryesisht për shkak të aktivitetit njerëzor, si ndotja nga ujërat e zeza, mbetjet plastike apo ndërhyrjet në bregdet.

“Pranë qendrës së ndihmës së parë gjatë një viti kishim 12 deri 15 individë breshkash të sëmura ose të ngordhura. Pasi i kemi studiuar rastet, kemi vënë re se problematikat kanë ardhur për shkak të çarjes së karpaksit, gëlltitje të plastikës apo për shkaqe të panjohura prej nesh,”shpjegon Hysolakaj. “30-40% dalin të ngordhura në buzë të detit rastet e tjera janë me dëmtime të vogla. I mbajmë 3-4 ditë sa i shërojmë dhe i lëshojmë në det”, shtoi ai.

Foka e mesdheut është një specie tjetër e rrallë, e cila është shfaqur në Shqipëri si pasojë e ndryshimeve të klimës. Foka mesdhetare popullon zonën e Karaburunit dhe Sazanit dhe ekspertët e konsiderojnë atë si mjaft të rrezikuar globalisht.

“Prej disa vitesh, ne jemi duke monitoruar me kamerat kurth këtë specie. Monitorimin ka nisur me inventarizimin e shpellave që gjenden në Karaburun, të cilët janë të përshtatshme si habitat për popullimin e këtyre specieve. Deri tani kemi dy individë që kanë populluar parkun Karaburun- Sazan dhe jemi duke marrë masa që parku të jetë një destinacion që vizitohet gjithnjë e më shumë nga kjo specie“, tha studiuesja Laureta Sadikllari.

Njësoj si breshkat e detit, edhe fokat mesdhetare kërcënohen nga aktiviteti njerëzor në habitatin e tyre bregdetar./VOA

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?