Spektakël me Olen Cesarin, ç’ndodhi në koncert/ Pamjet e anijes ‘Vlora’ e mesazhi për nënën, rrëfehen artistët: Kjo skenë, mrekullia e 8-të!

19 Prill, 14:54| Përditesimi: 21 Prill, 20:41

  • Share

Prej koncertit të parë në Pallatin e Kongreseve në 2015-ën, entuziazmi i publikut për performancat e violinistit e kompozitorit eklektik Olen Cesari, veçse është shtuar. Mbrëmjen e së enjtes, radhët e sallës së koncerteve u mbushën plot.

“Shqipëria është Shqipëri! Tirana, Tiranë, tanimë është ndërkombëtare. Mrekullia e 8-të! (Olen po përmbush ëndrrën për të performuar në 7-mrekullitë e botës). Kjo skenë është mrekullia e 8-të. “, shprehet violinisti .

Në skenë ai shfaqet me familjen e tij muzikore, prej 15-vjetësh  “International Clandestine Orchestra”. E nisin spektaklin me “Noë ëe are free” nga filmi “Gladiator”. Por surprizat vijojnë gjatë mbrëmjes, me instrumentistë të Orkestrës  që transformohen e kalojnë në mikrofon, edhe për të kënduar.

“Një publik fantastik! Kemi ardhur shpesh në Tiranë dhe shpresoj që të vazhdojmë të kthehemi sërish!”, thotë Raul, perkusionist.

Në homazh të rrënjëve, për promovimin e talenteve që rriten, e yjeve që shkëlqejnë në skenat tona, emocionet dhe ritmin shfaqjes ja shton me praninë e dy solistëve të Operas, Adela dhe Anxhelo Muçollarit, instrumentistëve të Liceut, si dhe me nxënësit e Shkollës së Baletit në ‘Adagio-n’ e Albinonit përcjellë edhe me gjuhën e trupit...Dedikimin special për nënën e tij, që po kalon një moment delikat shëndetësor zgjedh ta bëjë përmes pjesës ‘900’ të Ennio Morricone. Në skenë ekranizohen edhe pamje të emigrantëve shqiptarë që zbarkojnë në Bari me anijen ‘Vlora’.

“ ‘900’ është vetë një pjesë emigrimi dhe imazhet që zgjodhëm janë imazhe emigrimi. Mamaja ime emigroi me mua në Itali kur isha i vogël dhe shkoi drejt së panjohurës. Të njëjtën gjë kishte bërë dhe gjyshi im. Të njëjtën gjë me anijen “Vlora” bëri dhe gjyshi im. Kështu që ne jemi një familje emigrantësh, popull emigrant dhe për këtë motiv dedikimi special ishte për mamanë time që i uroj shërim të shpejtë”, thotë Cesari.

Koncerti vijon me një larmi performancash dhe ndërveprim me publikun. Nuk mungojnë as elementët e muzikës së traditës sonë, polifoninë përfshirë. Ndërsa entuziazmi i artistëve të ftuar si Ermal Rodi, Carlos Paz, Gaz Paja e Marsela Çibukaj ndihet edhe në paskuinta.

“Ky është koncerti i tretë i Olenit, ku unë marr pjesë si i ftuar special. Është gjithmonë kënaqësi me këtë publik të mrekullueshëm e kaq mikpritës” , thotë Carlos Paz.

Sergio Cammariere, në pamundësi shëndetësore, i bashkohet spektaklit përmes një video-performance. Me të cilin artisti interpreton edhe “Anema e Core” të kënduar nga Lucio Dalla që po ashtu publiku do të shijojë përgjatë këtyre dy netëve.

Sigurisht që me ne në përfundim të maratonës së performancave 2-orëshe, s’mund të mungonte përshtypja e një spektatori të veçantë.

“Ky ishte me të vërtetë një koncert shumë dinjitoz”, thotë aktori Luftar Paja.

 

 

Komento

Komente

  • Lui: 19/04/2024 16:55

    Me gjithë respektin për të gjithë artistët bashke me Olen Çezarin. Por është e pafalshme që të bëhet gjithë kjo reklamë për një lloj koncerti të tillë dhe mos të flitet dy fjalë për një koncert tek katedralja ortodokse ku perfomuan Philarmonix, një ansambël instrumentisësh të orkestrave më të mira botërore si filarmonia e Berlinit dhe ajo e Vjenës. Tani bëjeni vetë ndryshimin e një koncerti në kufijtë e tallavasë me një koncert të instrumentistëve elitë botëror.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?