MILANO - Interi ka marrë një biletë për në finalen e këtij sezoni në Champions League, duke prenotuar vendin për në Munich mbrëmjen e 31 majit. Djemtë e Simone Inzaghit triumfuan mes dramës, përmbysjes dhe emocioneve të mëdha 4-3 kundër Barcelonës në ‘San Siro’, teksa u deshën 120 minuta në gjysmëfinalen e kthimit për të mësuar fituesin.
Pas 210 minutave lojë Interi me rezultatin e përgjithshëm 7-6 kalon në finale dhe pret nesër fituesin e çiftit PSG - Arsenal (1-0 sfida e parë) për të mësuar rivalin.
NDESHJA - Dueli ishte me dy fytyra për skuadrat, me 45 minutat e para që u dominuan nga Interi. Lautaro Martinez në minutën e 21-të shënoi golin e parë për zikaltërit, para se Calhanoglu në shtesën e parë të tregohej i saktë nga penalltia për rezultatin 2-0. Fraksioni i dytë foli për Barcelonën që përmbysi me Garcia, Olmo dhe Raphinha, por në shtesën e tretë Acerbi barazoi për 3-3 në një ndeshje për ata me zemër të fortë.
Me rezultatin e përgjithshëm 6-6 skuadrat iu drejtuan 30 minutave shtesë nën rebeshin e Milanos. Duhej minuta e 99-të që Frattesi nga brenda zonës të shënonte golin e katërt për Interin dhe të dërgonte në delir tifozët. Minutat kalonin dhe paçka rasteve të Barçës, ishte një super Sommer në portë që i dha Interit një biletë për në finalen e madhe.
Komente
