Në udhën e bashkimit hap pas hapi me PD-në e Rithemeluar të Berishës, ish-sekretari Përgjithshëm i PD-së zyrtare, Gazmend Bardhi, qe pyetur se si do të bashkëpunojë me një të shpallur non ngrata nga SHBA. Pyetja konsideronte vijën ndarëse që ka hequr midis dy pjesëve të PD-së sanksionimi amerikan i Berishës. Njëherësh edhe një sërë deklaratash të zyrtarëve dhe diplomatëve amerikanë, sipas të cilave, SHBA nuk bashkëpunon me individë të sanksionuar dhe as me subjekte politike të drejtuara prej tyre.
Bardhi pati dhënë një përgjigje të zhdërvjellët, por edhe provokative, që ndërsa pohonte relativizimin nga kryeministri Edi Rama të të shpallurve non grata në kampin e shumicës, e hidhte topin vetvetiu në oborrin e ambasadës amerikane në Tiranë.
Përgjigja ishte: Siç bashkëpunon Edi Rama me non gratat e tij në qeveri. Duke patur parasysh koalicionin e PS-së me PSD-në, që ka kryetar Tom Doshin, apo kandidimin për deputet të djalit të një ish-deputeti të sanksionuar. Morali i fabulës: Përderisa Ramës nuk i thonë gjë, përse të mos na lejohet ne të tjerëve? Pra, pse u dashka të tregohemi më katolikë se Papa?
Në vija të përgjithshme kishte vërtetësi në paralelizmin e përdorur nga Bardhi. Por paralelizmi në fjalë kishte edhe asimetri të forta, për të cilat kam shkruar në një artikull në kohë reale me këto zhvillime. Nuk mund të krahasohet rasti i kryetarit të një partie të vogël si Tom Doshi, që për më tepër ka bërë një hap prapa, duke lënë mandatin e deputetit pikërisht për shkak të shpalljes non grata nga SHBA, me rastin e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili, në vend të hapit prapa të Tomës, bëri përpara ta merrte atë që kishte dorëzuar, Partinë Demokratike, për ta patur si mbështetje në betejën e tij të sedrës, inatit dhe karshillëkut me SHBA.
Legjitime si betejë për dinjitetin e tij si person, por që duke përfshirë Partinë, ka çuar në përçarjen si asnjëherë tjetër të saj dhe në dobësimin e opozitës në kufijtë e pamundësisë për të mundur Partinë Socialiste. Miku i Ramës, ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjel Dako, i sanksionuar gjithashtu non grata, është hetuar në gjendje arresti me burg. Në krahun tjetër Berisha i prin përpjekjes për të sfiduar e deligjitimuar SPAK-un dhe drejtësinë e re.
Krahasimi i non gratave çalon më shumë se çdo krahasim. Megjithatë, instrumentalizmi i ekuivokeve të kryeministrit Rama është përdorur si një justifikim i mirë nga Bardhi me shokë, për të shtruar udhën e hequr pengesën e përfshirjes së tyre në një formacion politik të drejtuar nga një i shpallur non grata.
Vetëm kaq? Jo.
E panjohura e madhe në këtë zhvillim të rëndësishëm në kampin plural opozitar ka të bëjë me qëndrimin amerikan. A ka ndryshuar qasja e tyre, qoftë edhe në nuanca, në raport me qëndrimet e mbajtura në verën dhe vjeshtën e vitit 2021? A kanë sugjeruar një zbutje apo tërheqje nga intrasigjenca e tyre e fillimit dobësitë e treguara nga Basha dhe grupimi i PD-së zyrtare në arenën e përballjeve politike me Berishën dhe Rithemelimin?
Kjo e quajtur e panjohur nga ana ime mund të jetë inekzistente për SHBA, ku ndoshta mund të qeshin me flateritë dhe fantazitë që prodhon politika e tyre në shamatoret publike të vendit të vogël aleat. Por është reale për mijëra demokratë shqiptarë që e kanë shndërruar vendimin dhe qëndrimin amerikan ndaj të shpallurve non grata në kriter të marrëdhënieve me SHBA.
Gjuha e lëvizjeve politike flet në heshtje. Ato, lëvizjet, i mbush me fjalë, pohime, interpretime mjedisi politik ku tema e marrëdhënieve të opozitës shqiptare me SHBA është kryesorja. Ja, një shembull ilustrues: I ngarkuari për Ballkanin Perëndimor, zoti Eskobar, pret në zyrën e tij në Departamentin e Shtetit një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë. Fotografohet me ta. Të gjithë e publikojnë me gëzim takimin dhe foton në rrjetet sociale. Edhe Gazmend Bardhi. I cili para kësaj pritjeje, ndërsa është bashkuar në Kuvend me deputetë të Rithemelimit, ka qëndruar kujdeshëm i distancuar nga veprimtaritë politike të këtij subjekti.
Hapin e fundit, apo si të thuash kalimin e Rubikonit, zoti Bardhi e bën me t’u kthyer nga SHBA ku u bashkohet ndjekësve të Berishës në ritualin e tyre të përnatshëm poshtë banesës ku ky i fundit është në masën e arrestit shtëpiak. Bardhi nuk bën verbalisht asnjë lidhje mes hapit të tij dhe fotografisë me Eskobar. Askush që shfaqet në veprimtaritë politike të Rithemelimit menjëherë pas daljes në fotografi me zyrtarë të Departamentit të Shtetit nuk i përfshin amerikanët në gjestin e tij. Nuk ka nevojë. “Dekodimin” dhe interpretimin e gjesteve e bën mexhlisi, deri duke e shfryrë fantazinë.
“Deputët kanë marrë bekimin e Departamentit të Shtetit për tu bashkuar me Rithemelimin! Vetëm budallenjtë nuk e kuptojnë! Amerikanët po e pranojnë Sali Berishën si një realitet që u është imponuar me betejën e tij. U kanë kërkuar vetë disave që kanë qenë me PD zyrtare deri dje të shkojnë te e madhja, të bëhën faktorë atje, për marrjen e kalasë nga brenda në momentin e duhur”!
Ky është mexhlisi ku nuk mund ta kuptosh kollaj ku mbaron logjikja dhe ku fillon spekulimi. Por që ndikon në formimin e narrativave të reja politike në zbehje dhe në relativizim të euroatlantizmit si busull, në rritje të konfuzionit politik në spektrin opozitar. Si për ti vënë vulën këtij konfuzioni, Sekretari Blinken në vizitën e tij në Tiranë e anashkaloi plotësisht opozitën jo vetëm në axhenden e takimeve, çfarë justifikohej me kohën e shkurtër të qëndrimit, apo me terrenin e minuar të opozitarimit në vend, por edhe në konferencën e shtypit kur u pyet drejtpësëdrejti.
E dimë se dyert e Departamentit të Shtetit janë të hapura për delegacione deputetësh apo deputetë të veçantë të Kuvendit të Shqipërisë. Askush atje nuk do të dedektojë përkatësinë politike të njërit dhe tjetrit. Edhe kjo të na duhej!
Tingëllon pozitive që fabulat politike të çdo subjekti, edhe të Rithemelimit berishian, puntojnë te marrëdhëniet e mira me SHBA. Por të mos harrojmë se “proamerikanizmi” deklarativ dhe konjuktoral nuk ka qenë problem dhe nuk e ka penguar kastën politike plurale solidare në Tiranë të vendosë vetëm mbi ligjin dhe të çimentojnë pandëshkueshmërinë në sistem për një kohë të gjatë.
Mendoj se diplomatët që merren me Shqipërinë do të duhej të jenë gjithnjë të informuar për fluiditetin e vijës ndarëse në Partinë Demokratike të vendosur nga shpallja non grata e Sali Berishës. Shqiptarët, sidomos opzitarët, kanë nevojë për një përditësim të qëndimeve të tyre, kur është e përligjur, me qëllim që të mos u jepet hapësirë keqkuptimeve, ekuivokeve dhe spekulimeve. Kjo nuk është e nevojshme për ata demokratë që janë distancuar me kohë nga berishizmi si praktikë autoritariste e drejtimit të partisë dhe vendit, duke e përballuar pa mbështetjen amerikane këtë betejë të gjatë.
Por qartësia ka vlerë për të gjithë ata demokratë që janë pozicionuar ekluzivisht në raport me vijën ndarëse që vendosi sanksionimi amerikan i Berishës.
Ky osht non grata, osht per arabi
Përgjigju