Elisa Spiropali dhe Alfred Moisiu

Politikë

Spiropali: Figura e Moisiut, filli që përshkon tri kohë! Krenarë që e kemi pasur president

9 Maj, 13:18| Përditesimi: 9 Maj, 13:24

  • Share

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka vlerësuar dhënien e titullit “Honoris Causa” ish-presidentit Alfred Moisiu. Në fjalën e saj ajo ka folur për kontributin e Moisiut, ndërsa ka theksuar se ai ka dhënë në tri kohë dhe iu përket të rrallëve që ndodhen midis nesh nga brezi i antifashistëve dhe partizanëve.

“Alfred Moisiu u përket të rrallëve që kemi fatin të kemi midis nesh nga brezi i antifashistëve dhe partizanëve të Luftës Nacional-Çlirimtare, në të cilën mori pjesë në moshë fare të re.

Por kohën e parë, atë të Luftës, Alfred Moisiu e ndau me babanë e tij, Spiro Moisiun. Është nga rastet tipike kur nga një familje u rreshtuan në rradhët e brigadave partizane, si luftëtarë me uniformë, dy breza, ati dhe biri.

Ati për të shërbyer si Komandant i Ushtrisë Partizane, ndërsa biri si një ushtar i thjeshtë, madje i vogël në moshë, që u poq dhe u bë djalë në luftë.

Nuk po bëj biografi, por nuk mund të mos them dy fjalë për Spiro Moisiun, i cili, para se të bëhej Komandant i Ushtrisë Partizane, dëshmoi një gjest të lartë patriotik, kur kthehu mbrapsht batalionin që drejtonte, i mobilizuar nga Italia fashiste për të sulmuar Greqinë nëpërmjet kufirit shqiptar”, tha Spiropali.

Më tej Spiropali shprehet se ndihet krenare që kemi pasur një president i cili është i njohur dhe i vlerësuar për lidershipin e natyrshëm, principialitetin dhe virtytet.

“Spiro Moisiu e dinte që ligjet e luftës ishin të pashpirta, por nuk pyeti për pasojat e tyre, sepse ishte i bindur se shqiptarët nuk mund të luftonin kundër popullit fqinj grek. Kjo vetëdije kombëtare, fqinjdashëse e paqësore do të zhvillohej edhe në personalitetin e Alfred Moisiut, jo vetëm gjatë përvojës partizane, por gjatë gjithë jetës së tij.

Koha e dytë, ishte për Moisiun, po kaq e vështirë, madje në disa raste edhe më e rrezikshme sesa lufta kundër pushtuesit. Me Atin e mënjanuar nga shokë-udhëheqësit komunistë, të cilët i kishte udhëhequr në Luftën Partizane, nuk do të ishte e lehtë mbijetesa politike dhe karriera për inxhinierin ushtarak të diplomuar me Medalje të Artë.

Vetëm cilësitë e tij të rralla mund të shërbenin, dhe shërbyen si mburoja e tij, në detyrat delikate në të cilat shërbeu dhe ku vetëm një hap e ndante suksesin nga gremisja. Pjesë e fatit dhe rrethanë e këtij shpëtimi ishte edhe dalja në pension në moshën 56-vjeçare.

Koha e tretë është më e rëndësishmja në jetën e Alfred Moisiut, të cilën e urojmë të bëhet edhe më e gjatë. Ndryshimet e vrullshme demokratike në Shqipëri e rithirrën në skenë, për të shërbyer gjatë viteve 1991-1992 si Ministër i Mbrojtjes së Qeverisë Teknike dhe në vitin 1997, pas disa vitesh shërbimi në institucione, ridel në pension.

Prej nga më 24 qershor të vitit 2002 rithirret në jetën publike dhe zgjidhet President i Republikës së Shqipërisë. Për të qenë i pari dhe i fundit President konsensual i Republikës, detyrë në të cilën shërbeu me përkushtimin e tij të njohur, si ushatarak, politikan, atdhetar dhe burrë i shquar shteti.

I njohur dhe i vlerësuar për lidershipin e natyrshëm, principialitetin, virtytet e larta dhe qëndrimin mbi palët, të cilat nuk ngurroi t’i vinte në rrjesht, kur ishte nevoja për të ardhmen dhe dobinë e Shqipërisë.

Jemi krenarë që e kemi pasur dhe e kemi Alfred Moisiun, antifashistin, partizanin, inxhinierin, funksionarin publik me cilësi të rralla, Presidentin, prindin e shkëlqyer dhe njeriun fort të admiruar nga të gjithë. I kam ende mbresat e një takimi të ngrohtë e miqësor me Presidentin Moisiu, buzë detit, në Kavajën e tij të dashur të origjinës, pak javë më parë. Përgëzime dhe jetë të gjatë, zoti President. Të Paçim!”, përfundoi Spiropali.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, si ju është dukur fushata zgjedhore?