Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, zhvilloi një takim me kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Nataliya Kiselova. Në një deklaratë për mediat, Spiropali vlerësoi mbështetjen e Bullgarisë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë, teksa theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Marrëdhëniet politike midis Shqipërisë dhe Bullgarisë janë të forta, të qëndrueshme dhe pa çështje të pazgjidhura mes nesh. Kryetares Kiselova i shpreha gatishmërinë tonë për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë dypalësh nëpërmjet shkëmbimit të vizitave politike të nivelit të lartë. Ne vlerësojmë mbështetjen e fortë të Bullgarisë për integrimin evropian të Shqipërisë dhe kemi bindjen se kjo mbështetje do të vijojë edhe për planin tonë ambicioz të përfundimit të negociatave brenda 2027 dhe anëtarësimin brenda kësaj dekade. Mbështetja e asamblesë kombëtare do të jetë garanci më shumë për këtë qëllim. Ky objektiv ynë shkon me prioritetet e axhendës së komisioneres së zgjerimit Marta Kos të prezantuara në Komisionin e jashtëm të PE. Kemi besim në mbështetjen e Bullgarisë si vend anëtar dhe në mbledhjet e Këshillit të BE. Shqipëria ka bërë thirrje për proces të përshpejtuar të anëtarësimit në familjen evropiane, i rëndësishëm jo vetëm për Ballkanin Perëndimor po edhe për BE, nëse kemi parasysh pasojat e luftës Rusi-Ukrainë në Ballkanin dhe kontinentin evropian.”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi edhe se Bullgaria është një partner ekonomik i Shqipërisë por shtoi se duhet të intensifikohet edhe më shumë. Spiropali u shpreh gjithashtu se do të mbështesin komunitetet shqiptare dhe bullgare në të dy vendet , për ruajtjen e gjuhës dhe trashëgimisë kulturore si urë miqësie mes dy vendeve.
“Plani i përbashkët i veprimit për turizmin i nënshkruar tetor 20254, mund të pasohet nga aspekte të tjera bashkëpunimi, si Korridori VIII, një projekt me rëndësi strategjike me të dy vendet, projekte të infrastrukturës, energjisë, zhvillimi të qëndrueshëm, që janë jo vetëm investime ekonomike por edhe kontribute për sigurinë në rajon.”, tha ajo.
Ndërkohë, kryeparlamentarja bullgare vlerësoi faktin se Shqipëria është kampione në përpjekjet që po bën për t’u anëtarësuar në BE. Ajo tha se Bullgaria do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Shqipërisë në BE, që sipas të cilës, është e një rëndësie të madhe si faktor stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Në vend të parë dëshiroj të përgëzoj Shqipërinë për rritjet serioze që ka në procesin e anëtarësimin në BE. Jeni kampion në përpjekjet për integrim të plotë në BE, në krahasim me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Shteti bullgar, jo vetëm kuvendi, por edhe qeveria, mendon se integrimi i plotë i Shqipërisë është faktor stabiliteti për Ballkanin Perëndimor. Kuvendi bullgar do të bëjë përpjekjet për të ndihmuar në rast nevoje punën tuaj intensive në vitet e ardhshme në mënyrë që të përgëzojmë së bashku kur të jemi të gjithë pjesë e BE. Dialogu jonë politik është i nivelit të shkëlqyeshëm dhe do vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhëniet tona pozitive.
Legjislatura juaj do nisë nga shtator, besoj do ketë bashkëpunim të mirë dhe do ndihmojmë me çdo gjë, edhe në kuadër të NATO-s dhe çdo organizatë ndërkombëtare ku punojmë së bashku. Do punojmë për paqen dhe sigurinë e Ballkanit.”, tha kryeparlamentarja e Bullgarisë.
Komente
