Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka reaguar për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut. Teksa ka ndarë një foto nga takimi i familjes së saj me Atin e Shenjtë në vitin 2024, ajo shkruan se do të mbetet një ndër kujtimet më të bukura.
Spiropali thotë se shqiptarët kishin një vend të veçantë në zemrën e Papa Françeskut, dhe kjo u dëshmua edhe me vizitën e tij në vitin 2014, vizita e tij e parë në një vend evropian që kur mori këtë post.
“Mëngjesin e së Hënës së Engjëllit, përfundoi rrugëtimi tokësor i Papa Françeskut.
Jeta e këtij dishepulli të Jezu Krishtit, iu kushtua shërbimit të Zotit, të Kishës, besimtarëve, njerëzve, bashkëjetesës dhe drejtësisë shoqërore.
Ati i Shenjtë ishte mbrojtës i fuqishëm i më të varfërve, më të dobtëve dhe më të margjinalizuarve, të cilëve u kushtoi gjithë jetën dhe dashurinë e Tij.
Shqipëria dhe shqiptarët kishin një vend të veçantë në zemrën e madhe të Papa Françeskut, të cilën e shfaqi edhe gjatë vizitës në vendin tonë, në 21 shtator 2014, vizita e Tij e parë në një vend europian nga fillimi i Papnisë.
Takimi me Atin e Shenjtë në tetor të vitit 2024 do të mbetet ndër kujtimet më të bukura të jetës sime.
U Prehtë në Paqen e Zotit!”, shkruan znj. Spiropali.
Lajmi kryesor:
Ndahet nga jeta Papa Françesku, mesazhet e politikës shqiptare dhe udhëheqësve fetarë
Xh.D/ReportTv.al
