Në vijim të vizitës zyrtare në Sofje, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali u prit sot nga Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, Nataliya Kiselova.
Teksa u pyet mbi nismën e presidentit serb për “Botën Serbe”, ajo tha se uron që të jetë kalimtare dhe të vijojmë me procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
'Së pari dhe mbi të gjitha dua të them se marrëveshja që ju përmendët, bëhet në kuadër të planit strategjik të NATO-s. Pra, i gjithë koncepti strategjik i NATO-s e parashikon edhe bashkëpunimin rajonal në këtë nivel. Pra, jo kundër kujt, por vetëm Pro sigurisë në rajonin tonë. Ne do donim shumë që edhe Bullgaria, të ishte pjesë e kësaj marrëveshje dhe çdo aktor tjetër rajonal me këtë mendësi dhe me këtë qasje që ne kemi, jo vetëm të ngjashme por gati identike sa i takon besimit dhe kontributit që ne japim në Aleancën Euroatlantike.
Sa i takon pyetjes që ju bëtë, ne mbështesim aspiratat euroatlantike të Kosovës padiskutim dhe urojmë që kërkesa e Kosovës për të ardhur më pranë aleancës së NATO-s të shqyrtohet me përparësi sepse hijet e së shkuarës që shfaqen herë pas here në skenën politike në rajonin tonë siç e përmendët, janë të dëmshme për të ardhmen tonë të përbashkët, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për aspiratat që ne kemi si rajon për të lënë pas një të shkuar të dhimbshme dhe për tu bërë bashkë në Bashkimi Europian por dhe në bashkëpunime të tjera rajonale. Patjetër që çdo lëvizje e tillë që nuk sheh nga e ardhmja por reflekton retorikë dhe narrativë të së shkuarës shihet me shqetësim në Kosovë, Shqipëri dhe në rajonin tonë. Uroj të jetë kalimtare dhe ne të vijojmë me procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke të vendeve dhe me proceset tona euroatlantike dhe integruese', tha ajo.
Spiropali, theksoi se Bullgaria po jep mbështetje të vazhdueshme për Shqipërinë si në marrëdhëniet dypalëshe në aleancën tonë në NATO dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Ajo theksoi se Shqipëria mirëpret investimet bullgare ndërsa do të ketë një thellim të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
“Sa i takon shkëmbimeve, duhet patjetër që ne të thellojmë patjetër shkëmbimet tona tregtare, ekonomike, investimet në infrastrukturë, siç është Korridori VIII, apo në turizëm, që janë fusha prioritare për të dyja vendet. Kjo marrëdhënie e shkëlqyer, miqësore, mes vendeve tona, por edhe politike, duhet të përkthehet e në më shumë mirëqenie për qytetarët tanë. Duke nisur nga investimet bullgare, të cilat janë të mirëpritura por edhe shkëmbimet e tjera. Shkëmbimet tregtare, në fushën e turizmit, ne kemi një marrëveshje të nënshkruar nga tetori i 2024 në fushën e turizmit, marrëveshja për bashkëpunimin në fushën e pensioneve apo sociale dhe ajo ka hyrë në fuqi. Urojmë që këto marrëveshje, që kanë impakt të drejtpërdrejtë ekonomik në jetën e qytetarëve tanë, të mund të shkojnë më tej”, u shpreh kryeparlamentarja”, u shpreh Spiropali.
Spiropali përgëzoi Kryetaren Kiselova për arritjen e shënuar të hyrjes së Bullgarisë në Eurozonë, në janar 2026. Kryetarja Kiselova vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, përgëzoi Spiropali për miratimin nga Parlamenti Europian në 9 korrik të Rezolutës për Shqipërinë, e cila u votua nga të gjithë eurodeputetët bullgarë, dhe e vlerësoi vendin tonë si një kampion në plotësimin e kritereve të anëtarësimit.
Objektivi i Shqipërisë për anëtarësim brenda vitit 2030 ka mbështetjen e vendosur të Bullgarisë dhe plani i juaj është edhe i yni. Asambleja Kombëtare e Bullgarisë, përveç mbështetjes politike, do t’i japë edhe ndihmë teknike Kuvendit në procesin e integrimit europian.
Kiselova nënvizoi se bashkëpunimi dypalësh do të zgjerohet dhe Shqipëria dhe Bullgaria, Kuvendi dhe Asambleja Kombëtare do të rrisin kontributin edhe në disa prioritete të bashkëpunimit rajonal, si mbrojtja e paqes dhe siguria në rajon e më gjerë, konektiviteti, infrastruktura, turizmi, politikat rinore etj.
Komente
